“Receta” e Lilajt: Duhet grintë dhe dëshirë për ta fituar sfidën ndaj Kukësit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 18, 2017 | 11:22

“Receta” e Lilajt: Duhet grintë dhe dëshirë për ta fituar sfidën ndaj Kukësit

Skënderbeu tashmë është i gjithi i përqendruar te ndeshja e radhës ndaj Kukësit, takim përcaktues i fatit të kampionit për këtë sezon, që pritet të jetë pikërisht edhe ndeshja më e rëndësishme e sezonit për korçarët. Transferta në Kukës për këtë arsye bëhet sa e rëndësishme, aq edhe delikate për Skënderbeun.

lilaj2

Por një prej lojtarëve më të rëndësishëm të bardhekuqve, Sabjen Lilaj, ishte heroi i takimit të dy viteve më parë kur korçarët fituan në Kukës. Ai tregon gjatë një interviste për “Panorama Sport” mënyrën se si mundet Kukësi i këtij sezoni.

lilaj

Sabjen, fillimisht si shkon rikuperimi juaj?

Për fat të mirë, jam duke ecur mirë me rikuperimin dhe gjithçka po shkon ashtu si duhet. Sigurisht që dua ende kohë për të qenë gati dhe me shumë mundësi e kam mbyllur për këtë sezon.

Ju vjen keq që në këto dy ndeshje kaq të rëndësishme nuk do të jeni pjesë e ekipit?

Sigurisht që po, çdo lojtari i vjen keq kur mungon qoftë edhe një minutë në fushë e jo më kaq gjatë. Do të doja të isha atje edhe unë duke ndihmuar shokët e mi në këto dy finale titulli, por që gjithsesi jam i bindur që ata do të bëjnë më të mirën. Skënderbeu ka vetëm një fitore në Kukës, atë që i keni dhënë ju me golin e shënuar.

Kukesi-Skenderbeu

Si e kujtoni atë takim?

Si ta them, ka qenë një ndeshje shumë e rëndësishme për ne, një lloj finaleje që duhej fituar patjetër për të përmbysur rrugën drejt titullit kampion. Natyrisht që kjo e kësaj javë është më e rëndësishme pasi mbeten më pak ndeshje dhe nuk ka më kohë për të rikuperuar.

Ka qenë një fitore decizive për ju. Si e fitoi Skënderbeu atë takim?

Përveç aspektit teknikotaktik që ne e kishim përgatitur takimin dhe nuk dua të ndalem te këto pjesë, mund të them se e kemi fituar me dëshirë dhe vendosmëri. Kemi qenë mjaft të bindur që duhet të fitojmë dhe të njëjtën bindje e kemi pasqyruar edhe në fushë.

Skenderbeu

Po këtë të shtunë, çfarë duhet të bëjë Skënderbeu që të fitojë në Kukës?

Janë shumë lojtarë që ishin në atë takim të fituar dhe e dinë mirë se çfarë duhet bërë. Unë jam i mendimit që Skënderbeu duhet të jetë sa më i përqendruar tek ajo ndeshje, me të njëjtën grintë dhe dëshirë që ka luajtur gjithmonë në ndeshje decizive. Ekipi dhe çdo lojtar në veçanti duhet të funksionojë në perfeksion, duke vënë mbi gjithçka dëshirën dhe grintën për të fituar një takim kaq të rëndësishëm.

Bernard Berisha Skenderbeu

Në atë ndeshje, ju dhe Berisha ishit ndër më të mirët në fushë, tani mungoni të dy. Kush do t’ju zëvendësojë?

Nuk dua të ndalem te lojtarë të caktuar, pasi më e rëndësishme është që ekipi të funksionojë si grup. Ka shumë lojtarë cilësorë në ekipin aktual, që janë të aftë të bëjnë diferencën dhe të zgjidhin vetë një takim. Do të na duhet që të jemi cinikë dhe oportunistë që rastin më të vogël ta shfrytëzojmë në favorin tonë.

Është një takim direkt ku fitorja shtyn Skënderbeun drejt titullit, humbja shpall Kukësin kampion dhe barazimi shtyn verdiktin për javën e fundit. Skënderbeu ka vetëm një rezultat?

Skënderbeu duhet të shkojë në Kukës vetëm për një rezultat, i bindur që do të marrë fitoren, në këtë mënyrë jam i sigurt që kemi për t’ia dalë.

Skenderbeu festa

Keni qenë pranë shokëve këto ditë, si i keni parë?

I kam parë të përqendruar dhe të karikuar në maksimum. Janë tepër të bindur që kjo do të jetë ndeshja e tyre dhe një gjë të tillë do ta tregojnë në fushë.

Skënderbeut i është refuzuar nga federata kërkesa për arbitra të huaj, si e gjykoni ju?

Këto janë punët e klubit dhe unë nuk dua të komentoj pasi i përkasin klubit të bëjë koment. Por mund të them se pasi u vunë arbitra të huaj dy javë më parë, nuk kishin pse të refuzoheshin sot. Ndeshja e së shtunës është mjaft e rëndësishme, jo se nuk arbitrohet dot nga arbitrat e federatës sonë, por një arbitër i huaj do të ishte më i paanshëm dhe më i drejtë në gjykimin e tij duke mos u përfshirë nga emocionet.

partizani kukesi jug

Kukësi ka një sezon pa humbje, është vërtet i pathyeshëm ky ekip?

Do të duhet të presim edhe këtë javë për ta thënë një gjë të tillë. Kukësi ka treguar vërtet që është një ekip i fortë përderisa nuk ka humbje deri tani. Por shpresojmë ta ndëshkojmë ne në mënyrë që gjithë ato barazime dhe fitore t’ia çojmë dëm.

LLAZI SARO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"