“Receta” e guximshme e Mezanit: Ja si mundet Skënderbeu

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 5, 2017 | 13:42

“Receta” e guximshme e Mezanit: Ja si mundet Skënderbeu

Laçi i sezonit 2017-2018 nuk ka asnjë ngjashmëri me kurbinasit e edicionit të shkuar. Këtë gjë e vërtetojnë më së miri shifrat që laçianët kanë arritur në këto 13 javë, pasi kanë grumbulluar 8 pikë më shumë se e njëjta periudhë e kampionatit të shkuar. Fitorja e fundit në transfertën e Shkodrës e ka rritur moralin te kurbinasit para ndeshjes së radhës, ku të dielën presin Skënderbeun në shtëpi.

Mezani

Trajneri Mezani, të dielën në darkë, në studion e emisionit “Rubrika Sportive” në RTSH, pohoi se nuk i druhet përballjes me korçarët. Trajneri i Laçit nuk e sheh si të pamposhtshëm Skënderbeun, por për t’ia dalë, duhet guxim. “Sigurisht, Skënderbeu është një skuadër që duhet respektuar për gjithçka që po bën, si në kampionatin shqiptar, por edhe në Ligën e Europës.

Pa diskutim që është një skuadër model për momentin, por mendoj se nëse trajnerët shqiptarë, trajnerët e skuadrave të tjerë, do të kenë pak më shumë guxim kundrejt kësaj skuadre, do të merrnin ndoshta rezultate të tjera. A do guxoj kundër Skënderbeut? Absolutisht, unë kam guxuar edhe me Flamurtarin para dy vitesh.

Normalisht edhe kësaj radhe do të guxojmë. Mendoj që është një skuadër shumë e mirë, por në qoftë se do kishte pak më shumë guxim, do kishte rezultate të ndryshme”, u shpreh trajneri Mezani. Sa i përket pikave të forta të skuadrës së tij dhe lojtarëve që ka në përbërje, trajneri Mezani u shpreh: “Pika më e fortë e Laçit është karakteri që ata lojtarë kanë në vetvete.

mezani

Unë jam munduar që t’i shtyj për të marrë rezultate pozitive. Në fakt, te Laçi kemi lojtarë të rinj dhe të talentuar që janë ndërthurur me ata me eksperiencë. Bushi, Kallaku, Selmani apo edhe Xhixha janë lojtarë që duhet të kenë vëmendjen e duhur, pasi janë me kualitet.

Në fakt, nuk dua të veçoj asnjë, pasi në skuadrën tonë, të gjithë lojtarët janë të nevojshëm dhe përgjithësisht janë të rinj në moshë. Uzuni? Është një lojtar i afirmuar tashmë. Edhe te Laçi po bën mirë nga ndeshja në ndeshje. Për momentin po justifikon punën e tij. Duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë. Kjo, pasi lojtarët janë të rinj dhe kanë shumë punë për të bërë përpara”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"