Rebelohet Kutinjo, e-mail Liverpulit për largimin. Klop: Klauzolat nuk kanë më vlerë, të caktohet kufi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 12, 2017 | 11:23

Rebelohet Kutinjo, e-mail Liverpulit për largimin. Klop: Klauzolat nuk kanë më vlerë, të caktohet kufi

Ditët e fundit të merkatos po shndërrohen gjithnjë e më shumë një skenë ekskluzive e dëshirave apo tekave të futbollistëve. Një javë më parë, Nejmar u largua nga Barcelona, një transferim që, përveç milionave të shumtë, përfshiu edhe shumë thashetheme e replika, të cilat nuk po ndalen.

kutinjo

Meqë jemi te katalanasit, para dy ditësh ishte radha e Osman Dembelesë. Sulmuesi i Borusias shihet si një nga zëvendësuesit e mundshëm të brazilianit në ekipin e Ernesto Valverdes dhe për t’ju bashkuar pikërisht ekipit në fjalë, francezi vendosi të mos paraqitej në stërvitjen e verdhezinjve. Nëpërmjet këtyre sinjaleve apo bojkotimeve të mirëfillta, futbollistët kanë gjetur një mënyrë për të arritur qëllimet e tyre.

Risia e fundit vjen nga Felipe Kutinjo, i cili gjithashtu është një alternativë e mundshme për të zëvendësuar Nejmarin. Sipas mediave angleze, braziliani i Liverpulit i ka dërguar një “e-mail” klubit të tij duke shprehur dëshirën për të larguar. Reagimi i 26- vjeçarit vjen pas një deklarate të disa orëve më parë kur klubi i tij e kishte cilësuar si të pashitshëm.

Në fakt, mëngjesin e djeshëm klubi nga “Mersey Side”, nëpërmjet një deklaratë të shkurtër për shtyp, kishte thënë se: “Liverpuli nuk do të marrë në konsideratë asnjë ofertë për futbollistin Felipe Kutinjo në ditët e mbetura të merkatos. Ai do të jetë ende një lojtar i këtij klubi edhe pas datës 31 gusht”.

Në të njëjtën gjatësi vale edhe trajneri Jurgen Klop i cili në një intervistë për median gjermane “Dazn”: “Deri dje viheshin klauzola të larta me idenë se askush nuk do t’i paguante, ndërsa sot del dikush dhe arrin të shpenzojë të tilla shifra. Zgjidhja është e thjeshtë, të vihet një kufi, cilido qoftë ai në mënyrë që më pas askush të mos ankohet.”

Sipas të njëjtit burim, Kutinjo ka disa ditë që përpiqet në mënyrë miqësore për të siguruar kalimin në Barcelonë dhe përballë qëndrimit të klubit ka menduar të ndryshojë strategji. Braziliani nuk është grindur me shokët në stërvitje dhe as ka bojkotuar ndonjë seancë nën urdhrat e trajnerit Klop, por nëpërmjet një “e-maili” ka kërkuar largimin nga Liverpuli nëpërmjet shitjes.

Lojtari nuk ka përcaktuar destinacionin, por është e qartë dëshira e tij për një transferim drejt Barcelonës, ku sigurisht trajneri Valverde do ta priste krahëhapur, sidomos pas ankimeve të këtij të fundit për prurjet e pakta në merkaton blaugrana.

REINOLD BAKALLI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"