Rebelohen në Lezhë, presidenti Noka: Qeveria nuk mbajti asnjë premtim, le të mbyllet këtu…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 30, 2020 | 10:03

Rebelohen në Lezhë, presidenti Noka: Qeveria nuk mbajti asnjë premtim, le të mbyllet këtu…

Drejtuesit e Besëlidhjes po pres in me padurim vendimin e qeverisë për rifillimin e aktiviteteve sportive dhe konkretisht të futbollit. Presidenti i Besëlidhjes, Gjok Noka, gjatë një deklarate për “Panorama Sport”, shpreh mendimet e tij për pjesën e mbetur të sezonit dhe mundësitë që ka skuadra e tij për të rinisur kampionatin.

gjok noka

“Ndërprerja e kampionatit për shkak të ‘COVID-19’ është humbje e madhe, por është mbarëbotërore dhe jemi të detyruar t’i përshtatemi që të kemi sa më pak dëme. Kjo sëmundje jo vetëm që ka paralizuar sportin, por edhe ekonominë, që është ajo që mbështet edhe sportin. Jam president i Besëlidhjes dhe me aktivitetin tim ekonomik e mbaj, por po mbushen dy muaj që e kemi ndërprerë punën me urdhër të qeverisë, ndaj nuk kemi rigjeneruar të ardhura e kemi pësuar humbje”, thotë fillimisht presidenti i lezhjanëve.

APEL QEVERISË – Noka kërkon ndërhyrjen e shpejtë të qeverisë që situata të mos precipitojë: “Qeveria, ndonëse ka premtuar shumë, këtu në terren nuk po shohim gjë konkrete, vetëm propagandë politike. Ndryshe nga qeveria që mbahet nga taksat tona, presidenti i FSHF-së Armand Duka po na mbështet me paga, tani nis shpërndarja e pagës së dytë, ndaj dua ta falënderoj për këtë ndihmë të çmuar financiare në këtë kohë tepër të rëndë. Kjo ndihmë e presidentit Duka, përveç anës ekonomike që mbështet futbollistët dhe stafin, pasi një pjesë e madhe e tyre janë kryefamiljarë e me këtë punë jetojnë, ka edhe efekt shumë të madh psikologjik në këtë periudhë pasigurie shëndetësore”.

noka

MBYLLJE E SEZONIT? – “Shpresojmë që në fillim të javës së ardhshme qeveria të lejojë hapjen e sporteve që të nisë grumbullimi i skuadrave për të rifilluar kampionatin. Nëse nuk na jepet mundësia javën e ardhshme për grumbullimin e skuadrës, atëherë le të mbyllet sezoni, siç u mbyllën shkollat dhe të veprohet si në disa vende perëndimore, si Franca, Holanda etj. E them këtë, pasi skuadrave u duhen tri javë apo një muaj kohë fazë përgatitore, pasi futbollistët po pushojnë gati sa dyfishi i pushimeve verore. Sido që të vendoset, Besëlidhja është e gatshme që të luftojë për objektivat e saj.

Noka

Ne jemi gati në të gjitha drejtimet, stadiumin, fushën e gjithçka i kemi të gatshme. Presim udhëzimet e qeverisë se si do të bëhet dezinfektimi i ambienteve, mënyrat e qëndrimit të personelit dhe numrit të tyre etj., etj.”, thekson presidenti i Besëlidhjes, Gjok Noka. Lezhjanët janë në vend të dytë në Grupin A dhe me këtë pozicion kanë të sigurt vetëm ndeshjet shtesë për të synuar objektivin e ngjitjes në Superiore.

PRENG GJIKOLA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"