Realizoi supergol ndaj bluve të kryeqytetit, flet mbrojtësi i Laçit: Luajtëm më mirë se Dinamo

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 19, 2021 | 15:42

Realizoi supergol ndaj bluve të kryeqytetit, flet mbrojtësi i Laçit: Luajtëm më mirë se Dinamo

Marko Roganoviç ishte heroi i Laçit në ndeshjen e mbrëmshme ndaj Dinamos duke realizuar një supergol në fund që i jep edhe pikën e parë këtë kampionat kurbinasve. Në prononcimin për “Panorama Sport” pas ndeshjes, mbrojtësi shprehet i kënaqur që i dha të paktën një pikë skuadrës edhe pse do të ishin të lumtur nëse nga kjo ndeshje do të kishin fituar.

roganovic

“Jam shumë i lumtur sepse ky është goli im i parë që kam shënuar te Laçi, por më shumë e rëndësishme është sepse shënova golin në fund të ndeshjes duke i dhënë edhe një pikë. Pësuam një gol, i cili ishte i pafat për ne. Luajtëm më mirë se Dinamo, sulmuam më shumë, por rezultati në fund duhet pranuar. Ky është futbolli”, u shpreh fillimisht mbrojtësi malazez i skuadrës kurbinase.

ECURIA – Në lidhje me ecurinë, ku pas dy ndeshjesh Laçi ka vetëm një pikë, Roganoviçi ndihet keq që ende nuk kanë arritur te fitorja, por gjithsesi ka besim se ajo do të ndodhë që këtë javë në përballjen me Kukësin.

“Sigurisht që ndjehemi shumë keq, pasi akoma nuk kemi arritur te fitorja, por që sigurisht edhe tri pikët do të vijnë, pasi jemi duke luajtur shumë mirë. Tani shpresojmë që në ndeshjen e radhës të arrijmë të marrim fitore. Presim Kukësin në shtëpi dhe duhet të fitojmë sepse luajmë ndeshjen në fushën tonë dhe i kemi mundësitë për të marrë tri pikët”, përfundoi prononcimin e tij për gazetën autori i golit të barazimit për kurbinasit kundër Dinamos.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"