Realizoi një nga golat e sezonit, flet Lorenco Vila: E kam provuar goditjen në stërvitje

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 27, 2020 | 23:57

Realizoi një nga golat e sezonit, flet Lorenco Vila: E kam provuar goditjen në stërvitje

Ka shënuar vetëm dy gola si profesion ist, e megjithatë kryeveprat po i kthen në zakon. Pasi ka ndëshkuar Skënderbeun, dje radha ishte e Bylisit. Shumëkush u habit kur Lorenco Vila e çoi atë predhë nga 25 metra drejt e në trekëndësh, por duket se nuk është rastësi. Në një intervistë të dhënë enkas për “Panorama Sport”, mesfushori me tipare sulmuese na rrëfen se bën thuajse çdo ditë prova me gjuajtjet nga distanca.

lorenco vila

Adhuron Kristiano Ronaldon, por në të njëjtën kohë është me këmbë në tokë. Dhe ndoshta është ky shkaku që i jep të drejtë kushëririt të tij (Emiljano Vilës). Nuk ngurron të na zbulojë mesazhin më emocionues që i ka ardhur në celular pas ndeshjes dhe dhuratën që ka në plan t’i bëjë vetes.

Tjetër gol dhe sërish tri pikë, Lorenco bëhet vendimtar për Teutën…

Goli më gëzon, por rëndësi kanë pikët. Pas asaj ndeshjeje që zhvilluam me Laçin, kthesa ishte e domosdoshme.

Çfarë menduat kur shkarkuat të djathtën nga 25 metra?

T’ju them të drejtën, e kam provuar shpeshherë edhe në stërvitje të godas nga larg. Ndaj mos u çudisni (qesh). Kisha shumë besim që do ta çoja topin në rrjetë dhe ashtu ndodhi. Unë stërvitem shumë çdo ditë dhe ndjek me vëmendje këshillat që me jep trajneri dhe sot që flasim  kam shënuar dy gola me të vërtetë shumë të bukur, që nuk i ndaj dot nga tjetri. E kam thënë edhe herë tjetër që adhuroj Kristiano Ronaldon, por e di që më duhet shumë punë të eci në hapat e tij.

vila

Si ndryshoi Teuta në 5 ditë, pas asaj humbjeje zhgënjyese me Laçin?

Futbolli i tillë është, ajo ndeshje ka kaluar u harrua. Kishim më tepër grintë dhe luftuam të gjithë si grup. Nuk u dorëzuam kurrë dhe ndoshta ky është ndryshimi i Teutës së sotme (djeshme) me atë të para disa ditëve përballë Laçit. Tani shpresojmë vetëm që të ruajmë këtë ecuri dhe të vazhdojmë me fitoret. Vetëm për pikë kemi nevojë tashmë.

Cili është mesazhi më i veçantë që keni marrë pas golit dhe nga kush?

Mesazhe më kanë ardhur realisht shumë deri në këto çaste, por më i bukuri dhe më speciali është ai që më erdhi nga babai.

Dhe çfarë shkruante, nëse mund të na e zbuloni?

“Urime Enco, jam krenar për ty”. Tani që po luani sistematikisht, keni më shumë mundësi për të shënuar.

Me sa gola do të donit ta mbyllnit sezonin?

Më e rëndësishme është t’i shërbej ekipit, pastaj për golat do të shohim. Dëshira është të shënoj sa më shumë dhe nuk mund ta mohoj këtë fakt. Jam shpallur dy herë edhe golashënues me moshat, ndaj… gjithsesi, shifër ekzakte nuk mund të jap.

Emiljano Vila ka thënë në një intervistë që Enos i duhet ende shumë punë që ta parakalojë. Ka të drejtë kushëriri?

emiljano vila teuta

Emiljano ka më shumë se të drejtë për gjithçka thotë. Unë jam ende i ri dhe duhet të mësoj dhe të stërvitem më shumë për të arritur në nivele të larta. Kam fatin që te Teuta kam në krahë lojtarë që nuk u mungon përvoja, ndaj çdo ditë marr prej tyre diçka të re.

Çfarë dhurate do i bëni vetes pas kësaj kryevepre?

(Qesh) S’ka kohë për dhurata, pasi jam i fokusuar te ndeshja e radhës. Por më e pakta që mund të bëj, është një drekë me familjen.

Tani që jeni të tretët në renditje, do tentoni më shumë se Europa?

Unë jam i mendimit që t’i hedhim hapat me radhë. Klubi ka vendosur si objektiv Europën dhe ne për këtë duhet të luftojmë.

ZAMIR QYPI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"