Realizoi 16 gola me Apoloninë, sulmuesi: Nuk i trembem përforcimeve, ëndërroj kombëtaren

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 4, 2020 | 13:30

Realizoi 16 gola me Apoloninë, sulmuesi: Nuk i trembem përforcimeve, ëndërroj kombëtaren

Nuk është e lehtë për një 19- vjeçar që të bëhet pikë referimi për skuadrën e tij, por Mario Gjata ia doli. Ai ka qenë “9”-ta e Apolonisë dhe ka realizuar plot 16 gola për kampionët e Kategorisë së Parë. Tashmë është një vit më i pjekur nga vjet dhe është gati për tjetër sfidë, këtë herë në elitën e futbollit shqiptar.
Mario Gjata Apolonia
Goleadori i bardhejeshilëve duket se po hedh pas krahëve edhe problemet që ka pasur me muskujt e barkut, gjë që e pohon për “Panorama Sport”: “Jam bashkuar me grupin, por ende nuk jam 100% gati. Edhe javën e ardhshme do të vazhdoj një program stërvitor specifik dhe besoj se do të jem shumë shpejt gati, në gjendjen time optimale. Ai që u mbyll ishte një sezon i suksesshëm dhe shumë pozitiv, si në anën individuale, por ca më tepër si ekip. I qëndroj asaj që kam thënë edhe më parë: golat e mi janë produkt i një loje kolektive, i harmonisë dhe funksionimit në grup, pasi jemi disa lojtarë që prej vitesh luajmë bashkë tek Apolonia dhe kuptohemi me sy mbyllur me njëri-tjetrin”.
118795159_1586857431518141_6465092624536291482_n
Konkurrenca – Konkurrenca në sulm po rritet, por kjo nuk e tremb fierakun. Edhe pse janë bërë disa afrime në merkato, 20-vjeçari ndihet i motivuar për këtë sfidë të re. “Tani që të luajmë në elitë, e kemi të qartë se koeficienti i vështirësie do të jetë më i lartë. Duhet të jemi një skuadër më cilësore se ajo e Kategorisë së Parë. A më trembin përforcimet në sulm? Jo, përkundrazi, më motivojnë. Është në të mirë të skuadrës të ketë rivalitet, por edhe të lojtarëve. Kështu do të karikohemi për të dhënë maksimumin dhe pastaj zgjedhjet i bën stafi teknik. Luan ai që e meriton, kjo është logjike”, ka thënë Gjata.
Mario Gjata
DËMTIMI – Ndoshta dëmtimi i privoi një ftesë të mundshme nga Kombëtarja U-21, por ëndrra e madhe e sulmuesit vazhdon. “Çdo futbollist e ka ëndërr të madhe përfaqësimin e ngjyrave të kombit, himnin, flamujt kuqezi dhe ovacionet e një publiku gjithëshqiptar, që presin nga një skuadër. Padyshim që edhe unë pres që një ditë të jem pjesë e Kombëtares, por dëshirat plotësohen me punë dhe me meritë. Jam ambicioz, jo egoist, dhe do të bëj maksimumin hap pas hapi për të realizuar këtë ëndërr. Duke nisur që nga ky sezon tek Apolonia ime, do të përpiqem të jap mbi 100% nga vetja ime”, përfundoi Gjata.

Sakaq, dje skuadra ka vijuar përgatitjet me ritëm të lartë. Xhovani Kolela ka menduar që të shohë Apoloninë e tij në fushë, ndaj të shtunën është planifikuar një testuese me 19-vjeçarët e trajnerit Bledar Borova.

BUJAR RAMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"