“Realin e lashë prej Pepit”, Alonso: Kundër Klopit si të luash në… kafaz

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 17, 2019 | 23:43

“Realin e lashë prej Pepit”, Alonso: Kundër Klopit si të luash në… kafaz

Ksabi Alonso pranon se ai u largua nga Reali i Madridit drejt Bajernit të Mynihut në vitin 2014, sepse ishte i dëshpëruar që të luante për Pep Guardiolën. Ish-mesfushori spanjoll zbulon gjatë një interviste për “The Athletic” se atij nuk i ka pëlqyer gjithashtu të luajë kundër futbollit asfiksues që luante Borusia e Dortmundit në kohën e Jyrgen Klopit. 

Alonso-Guardiola

Ish-ylli i Liverpulit, i cili ka nisur të bëjë hapat e parë për t’u bërë trajner, duke marrë drejtimin e ekipit të dytë të Sociedadit në verë, pranon se u transferua në Gjermani pasi fitoi Championsin e 10-të me Realin vetëm për të mësuar nga Pep Guardiola. “Isha shumë kurioz për të zbuluar sekretet e tij”, thotë 37-vjeçari për teknikun aktual të Mançester Sitit: “Ai na bënte të mendonim se ne e njihnim kundërshtarin më mirë sesa ata e njihnin veten”. Ai shton se katalanasi është një trajner i fiksuar me detajet e vogla.

“Ka një entuziazëm natyral të pashtershëm. Sezonet e futbollit janë të gjata, por Pep dukej se nuk lodhej deri në fund. Ishte gjithnjë vigjilent, gjithnjë gati. Për ne lojtarët, kjo ndoshta na dha disa metra më shumë në këmbë kur duhej më shumë. Nuk më pëlqente të luaja kundër Dortmundit, sepse ata ta bënin aq të vështirë, sa ti thuajse do të thyheshe. Dukej sikur Klop donte që të të fuste në një kafaz. Ai donte të ngrinte kurth. Kishte një presing të organizuar. Ishe nën presion gjatë gjithë kohës”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"