Reali shtyn Bajernin në flakët që premtoi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 30, 2014 | 9:28

Reali shtyn Bajernin në flakët që premtoi

Ronaldo decimaBAJERN MYNIH-REAL MADRID 0-4
Golat: Sergio Ramos 16′, 20′, Ronaldo 34′, 90′
Bajerni (4-2-3-1):
Neuer Lahm, Dante, Boateng, Alaba; Schweinsteiger, Kroos; Robben, Muller (Pizarro 72′), Ribery (Goetze 71′); Mandzukic (Javi Martinez 46′). Trajner: P.Guardiola
Real Madrid (4-4-2): Casillas; Carvajal, Pepe, Ramos (Varane 74′), Coentrao; Di Maria (Casemiro 84′), Alonso, Modric, Bale; Benzema (Isco 80′), Cristiano Ronaldo. Trajner: K. Anceloti
Arbitër: P.Proença (Portugali)
Kartonë të verdhë: Dante / Alonso

Në futboll, si gjithmonë lumturia e një skuadre përfaqëson fatkeqësinë e tjetrës. Mirëpo, mënyra sesi Reali i Madridit fiton 4-0 në “Allianc- Arena”, duke fituar të drejtën e finales së Lisbonës më 24 maj, e tejkalon edhe më shumë këtë rezultat të çmendur, shifra që bëjnë më shumë zhurmë sesa një koncert i muzikës tekno. Karlo Ançeloti i shton karrierës së tij një tjetër medalje, me shpresën se do të jetë e artë, si ato që tashmë i ka kafshuar në të kaluarën. Por, pavarësisht kësaj, leksioni që ai i jep Bajernit dhe Pep Guardiolës do të hyjë në historinë e Ligës së Kampioneve. Reali i italianit fiton në çdo aspekt, fizik, taktik dhe teknik. Ndërsa Guardiola, njeriu që ka ndryshuar futbollin e mijëvjeçarit të tretë, merr shuplakën më të rëndë të karrierës së tij. Nuk do të ketë sukses të dyfishtë radhazi për Bajernin, i cili pas kësaj disfate duhet të mendojë me kthjelltësi, për të përmirësuar disa defekte që mund të mjaftojnë për të fituar Bundesligën, por jo Champions-in. Kur në pjesën e dytë spanjolli vendos të largojë Mylerin, publiku i ofron breshëri vërshëllimash, duke thirrur në kor emrin e lojtarit. Natyrisht që ky është vetëm viti i tij i parë në stolin e bavarezëve, por alarmi që ra mbrëmë ishte shumë i qartë. Projekti “Pep” vihet bindshëm në diskutim, sepse limitet e skuadrave të tij dalin shpejt mbi sipërfaqe. Mungesa e një plani rezervë kur skuadra sulmon, por mbi të gjitha e një faze defensive që do të ishte e turpshme të quhej stabël, meritojnë një korrigjim të shpejtë, të qartë. Nëse kthehemi pak prapa në kohë, për Barcelonën e Pep Guardiolës çdo goditje këndi për kundërshtarët ishte një rast potencial për të shënuar, por idetë e tij nuk ndryshojnë as në Gjermani. Gjithsesi, fakti që Serxho Ramos bëhet mbrojtësi i parë në historinë e një gjysmëfinaleje Champions, që realizon një dopietë, të dy golat me kokë dhe për më shumë nga goditje standarde thotë diçka të madhe, diçka që Guardiola duhet të nisë ta dëgjojë edhe nga të tjerët, jo të mbrohet me faktin se sulmi është dhe mbetet mbrojtja më e mirë…
Zgjedhjet taktike Pep anulon Rafinjën nga ndeshja e kaluar me Lahmin që kthehet në të djathtë të mbrojtjes, por me Krosin përkrah Shvajnshtaigerit në një 4-2-3-1 me Manxukiçin si bomber të vetëm, por me Mylerin e sakrifikuar në mesfushë. Ndërsa 4-3-3 i Ançelotit është shumë i tërhequr mes reparteve, shumë i ngjeshur, për të ofruar më shumë siguri në prapavijë, ndonëse trioja sulmuese Bejl-Benzema- Ronaldo i kishte nxehur mirë motorët përpara takimit. Por, surpriza më e bukur e Ançelotit mban emrin e Karvahalit, një shpikje e tij, që me brazilianin në korsinë e djathtë ka gjetur një “traktor” që është i pakalueshëm edhe për një “mbret” si Riberia.
Reali s’e njeh frikën Madrilenët e nisin të bindur takimin, edhe pse presioni i tyre përpara kësaj sfide ishte shumë herë më i lartë sesa ai në “Bernabeu”. Bajerni nga ana e tij xhiron top, por pa u bërë keq spanjollëve, ndërsa Reali kur lëshohet përpara në shpejtësi është i frikshëm. Bejl shpërdoron rastin e parë real për gol, kur një dalje dhe një largim i gabuar i topit shumë larg zonës së tij nuk goditet saktë nga uellsiani, që zgjedh forcën në vend të teknikës, edhe pse gjuajti nga mbi 40 metra, pas nëntë minutash lojë. Gjithsesi, skuadra e Ançelotit do të godasë dy herë, brenda katër minutave, aq sa Bajerni nuk do ta besojë që ajo që bën Serxho Ramosi nuk është një ëndërr e keqe, por realiteti. Minuta e 16-të, Modriç kroson në zonë dhe mbrojtësi, që i shpëton mbulimit të Mylerit, godet me forcë në rrjetë. Në të 20-ën minutë Di Maria lëshon një goditje këndi në pikën e 11 metrave dhe Ramosi është sërish në vendin e duhur, në momentin e duhur. 2-0 për miqtë dhe paniku mbizotëron te gjermanët, që humbin busullën. Me këtë rezultat, Bajernit i nevojiten 4 gola për të kaluar, por teksa tentojnë në dëshpërim që të ngushtojnë diferencën i duhet të lënë hapësira Benzemasë, Bejlit dhe Ronaldos, që në të 34-ën mbyllin përfundimisht takimin. Uellsiani lëshohet si shigjetë në drejtim të portës së Nojerit, por edhe pse nën presionin e Boatengut pason në të majtë për Ronaldon që tund rrjetën. Zjarri i premtuar në “Allianc- Arena” nga Rumenige po djeg të tijtë, ndërsa Reali duket i një tjetër planeti për një natë, për 45 minutat e para.
Vetëm krenari Fraksioni i dytë i lojës është një peshë shumë e rëndë për t’u kapërdirë nga bavarezët, sepse edhe kur Guardiola mendon të rindërtojë Bajernin e tij në një 4-1-4-1 me Havi Martinezin për Manxukiçin dhe më pas me Gëcen e Pizaron, Kasijas nuk dridhet kurrë, përkundrazi. Në sekondat finale, Kristiano Ronaldo gjen edhe dopietën personale me një goditje dënimi, që zgjedh ta godasë poshtë barrierës, duke turpëruar, duke masakruar Pep Guardiolën, ndërsa Karlo Ançeloti duket personi më i lumtur në rruzull…

Titujt e medias botërore
“Kicker” (gjermane)
Reali mbretëron në Mynih, dëbon Bajernin
“Bild” (gjermane)
Rënia e Bajernit!
“As” (spanjolle)
Digjet Mynihu, Reali pret të dhjetën
“Marca” (spanjolle)
Natë historike për madrilenët në Mynih
“Mirror” (angleze)
Gjigandët spanjollë, në finalen e Champions-it
“L’Equipe” (franceze)
Reali rikthehet “mbret”, Bajerni bie nga froni
“Gazzetta dello Sport” (italiane)
Ançeloti poshtëron Guardiolën
“SportDay” (greke)
Bajerni nuk është më kampion, Reali pret të bëhet
“A Bola” (portugeze)
Ronaldo largohet nga Mynihu si rekordmen
Ole (argjentinase)
Ronaldo kërcen dhe fiton mes kampionëve
Globoesporte (braziliane)
Diçka jashtëtokësore! Ronaldo turpëron Bajernin

Real Madrid's Ramos (2nd R) celebrates his second goal against Bayern Munich during their Champions League semi-final second leg soccer match in MunichNë Mynih, Bajerni pësoi humbjen më të thellë në Champions
Ëndrra bavareze i ka dhënë fund aventurës së Champions-it. Edhe pse historia i bënte favorit në këtë duel gjigant rekordmenët gjermanë kanë pësuar humbje historike duke arritur rekord negativ në Champions. Ishte hera e parë që Bajerni i Mynihut humb një ndeshje në shtëpi 4-0 në finalet e Ligës së Kampioneve. Disfata të thella ata i kanë pësuar vetëm në ndeshje transferte. Humbja më e thellë për ta është ndeshja ndaj Ajaksit në Amsterdam në çerekfinale të sezonit 1972-1973. Të tillë humbje pësuan edhe ndaj Barcelonës në “Kamp Nou” në vitin 2009. Gjithashtu, bavarezët humbën 5-2 ndaj Ajaksit në gjysmëfinale të sezonit 1994-1995; Përballë St.Etienit 0-3 në fazën në grupe në sezonin 1969- 1970; 0-3 ndaj Lionit në Francë në fazën në grupe në vitin 2001 dhe kundër Milanit në “San Siro” 1-4 në sezonin 2005-2006. Edhe pse Bajerni nuk ka humbur kurrë në shtëpi 4-0, për herë të parë me 5 gola diferencë në të dyja ndeshjet, bavarezët e kanë pësuar në vitin 1977 në finalet e 1/8-ve të ish- Kupës UEFA kundër Frankfurtit. Në transfertë Bajerni humbi 4-0, ndërsa në Mynih humbi 1-2. Disfata 4-0 është humbja e katërt më e thellë brenda fushe për një ekip gjerman në historinë e Champions-it. Disfatën më të thellë e ka pësuar Leverkuseni ndaj Mançester Junajtid (0-5) sezonin e kaluar, Verderi ndaj Portos në vitin 1994 dhe Shalke ndaj Realit 1-6 këtë sezon.
0-4 vetëm në Bundesligë Humbje me rezultatin 4-0 në shtëpi, Bajerni e ka pësuar vetëm në Bundesligë në vitin 1979 ndaj Bilefeldit. Ndërsa humbjen më të thellë në shtëpi e ka pësuar ndaj Shalkes më 9 tetor 1976 me rezultatin 0-7.

Champions-in nuk e mbron dot asnjë kampion
Kampionët në fuqi nuk kanë arritur dot të mbrojnë trofeun në 20 vite Champions. Ja deri në çfarë faze kanë arritur sezonin e ardhshëm kampionët në fuqi: 4 herë në finale; 5 herë në gjysmëfinale; 5 herë në çerekfinale; 4 herë në finalet e 1/8-ve dhe një herë në fazën në grupe (Çelsi), kurse Marseja, si kampionia e parë me emërtimin e ri, u skualifikua për një vit nga UEFA pas fitores në Champions 1993. Edhe Bajerni nuk ka arritur dot të thyejë tabunë këtë sezon. Teksa u skualifikuan ndaj Realit në gjysmëfinale, për kampionët në fuqi është hera e 6-të që marrin valixhet në këtë fazë të Champions-it.

Notat
BAJERN MYNIH
NOJER 5 – Asnjë pritje e denjë për nivelin e tij. U befasua në golin e parë të Ramosit dhe të fundit të Ronaldos. Ishte ndër më pak fajtorët, por nuk bëri fenomenin si zakonisht.
LAHM 5 – I trullosur nga lëvizjet e Pepit. Mbrojtës i majtë, mesfushor qendre, mbrojtës i majtë, mesfushor qendre, mesfushor i djathtë, pastaj sërish në qendër… më pas në ndeshjen vendimtare kthehet të bëjë mbrojtësin e djathtë dhe harron se çfarë duhet të bëjë në atë rol….
BOATENG 4.5 – I shpejtë si një breshkë, i përqendruar si një fëmijë i klasës së parë fillore. Në pjesën e parë, edhe pse jo fajtor te episodet, është tërësisht jashtë loje. Në të dytën përmirësohet, por rrezikon gjithnjë.
DANTE 4 – Ishin të shumë ata që zhgënjyen në Mynih dje dhe ai ishte një ndër ta. Duke qenë i gjatë dhe i ngathët dribloi në çdo kundërsulm. Nuk është vetëm faji i tij, por edhe i atij që vendosi t’i besojë markimin tek për tek me ca mostra të tipit Benzema, Ronaldo dhe Bejl.
ALABA 5 – Një gjysmë vote më shumë sepse lufton vazhdimisht dhe me inkursionet e tij përpiqet të vërë në vështirësi Realin. Por problemet i ka në fazën mbrojtëse. Gaboi te goli i parë i Ramosit dhe është gjithnjë ai që lë në disavantazh numerik gjithnjë ekipin e tij në çdo kundërsulm të Realit.
SHVAJNSHTAIGER 4.5 – Nëse nuk luan me inat, me pasion me prepotencë ai shndërrohet në një lojtar normal. I markuar frikshëm dhe me pak ide, kënaqet vetëm duke bërë një posedim të ngadaltë të topit. Zhduket në fushë, ashtu si pjesa tjetër e skuadrës. KROS 4 – Një talent fantazmë. Në kuptimin që askush nuk vë në dyshim cilësitë e tij, por shtohen dyshimet nëse dje ishte i vërtetë në fushë apo jo…
MYLER 4.5 – Publiku e mbështet në mënyrë të pakufishme, por ai është i strukur tërë kohën prej pozicionit në të cilin është vendosur dhe nuk u duk asnjëherë. (nga 72′ luajti Pizarro që merr notën 6 për kurajën që ka).
RIBERI 4,5 – Karvahal do t’i shohë në ëndërr këto dy ndeshje, sepse janë trofeu i tij. Në dy takime nuk e la të merrte frymë. Asnjë ide, asnjë driblim, asnjë print “alla Riberi”. Donte “Topin e Artë”, por numri 7 i kundërshtarëve dje dukej që ka bërë disa gjëra “paksa” më mirë se francezi. (nga 72′ Mario Gëce që merr notën 6 sepse hyri në fushë dhe iu afrua golit. Të paktën kishte dëshirë të luante).
MANXUKIÇ 5 – Nuk merr asnjë pasim të saktë në ajër dhe në duelet me kokë i humb duelet me Pepen dhe Ramosin që duken si gjigantë para tij. I penalizuar nga skema e Guardiolës.
GUARDIOLA 3 – Ah sa keq, sa keq! Trajneri i Bajernit del i shkatërruar nga dueli i dyfishtë me Ançelotin. Taktika e posedimit të topit kur nuk je në formë fizikisht nuk funksionon. T’u besosh markim një për një lojtarëve si Dante dhe Boateng kundër disa “shigjetave” si Ronaldo dhe Benzema, duket një budallallëk. Mbrojtja në goditjet standarde e dënon. Një gjysmë katastrofe. Dhe kur publiku fishkëllen për ndërrimin e Mylerit dhe kërkon futjen e Gëces, aty e kupton se sa e hidhur ishte kjo humbje dhe se nuk ka për t’u kapërdirë lehtë. Paradoksale që në vitin e fundit të erës barceloniane, ka të ngjarë që të jetë edhe fundi zyrtar i “tiki taka”-s.

REAL MADRID
KASIJAS 6 – I sigurt dhe i kujdesshëm sa herë e thërret detyra. Asgjë e jashtëzakonshme, por i ruajti mrekullitë për në finale.
KARVAHAL 7.5 – Monstruoz, sepse përballë kishte Riberinë dhe në 162 minuta nuk i lejoi asnjë top për gol. Spanja ka gjetur një mbrojtës të majtë të mrekullueshëm. Dhe është vetëm 22 vjeç.
PEPE 8 – Çfarë ndeshjeje! I jashtëzakonshëm me kokë, i sigurt në vendosje. Një mbrojtës i rilindur, që me Ramosin formojnë një dyshe super. Ndonjë skenë teatrale mund ta shmangë, por kjo bën pjesë në karakterin e tij.
RAMOS 8.5 – Me siguri hakmarrja më e bukur në karrierën e tij. Ishte ai që gaboi penalltinë vendimtare në gjysmëfinalet e vitit 2012. Me një dopietë me kokë ka fshirë një kujtim të hidhur. Por, jo vetëm: në aspektin mbrojtës perfekt, elegant, lider.
KOENTRAO 6.5 – Një ndër ata që ranë më pak në sy. Përkundrazi, kishte luajtur më mirë në Bernabeu. Roben e vuri në vështirësi, por gjithsesi ia doli.
ALONSO 7 – Mëkat i verdhi që mori. Nga dëshpërimi, dukej si Nedvedi i vitit 2003. Ai, ndryshe nga çeku, e ka fituar një kupë me Liverpulin. Në Lisbonë do të bëjë tifo për shokët.
MODRIÇ 8 – Që kur Ançeloti drejton Realin, ai ka nisur t’i ngjajë Pirlos. Rastësi? Jo, sepse është çelësi i skemës së tij. Një Modriç elegant, kurajoz, inteligjent. Një lojtar i madh!
DI MARÍA 8 – Uau! Po nëse trajneri i Argjentinës vendos ta bëjë të luajë si te Reali? Di të sulmojë dhe di të mbrojë. E bën këtë me një shpejtësi të mahnitshme, ndaj edhe Ançeloti e adhuron. Ka mësuar një rol të ri dhe e ka mësuar shpejt.
BEJL 7 – Nuk shkëlqen fizikisht, por gjithsesi vendimtar. Asisti për Ronaldon dhe shpejtësia e tij ishin një perlë më vete. Nuk gjuajti asnjëherë, por në çdo sprint të fuste tmerrin.
BENZEMA 6.5 – Luan për skuadrën dhe është pak i rrezikshëm. Por, me pasimet e tij është në çdo cep. Goli i tij në ndeshjen e parë i peshoi shumë Bajernit. Këtë vit, që ka pasur besim total, ka treguar se është një ndër sulmuesit më të kompletuar në botë.
RONALDO 8 – Të përdorim disa fjalë: entuziazmues, vendimtar, elegant, cinik, i pamëshirshëm, i pakapshëm. Nuk është në 100 për qind, por bën dy gola dhe thyen rekordin e radhës në Champions. I pari ishte gol i lehtë për të, i dyti me dinakëri. Por, fakt është se ai shënoi gjithnjë.
ANÇELOTI 8 – Fitorja e tij e madhe. Kryevepra e tij: taktike dhe teknike. Ançeloti poshtëron Guardiolën dhe e “vret” atë duke asfiksuar armët e rivalit dhe i përdorur në favor të tij. Në 180 minuta siguron finalen që e meritoi më shumë se askush tjetër. Ka një skuadër monstruoze, por ama di edhe t’i marrë më të mirën dhe këtë di ta bëjë me stil.
Përgatiti: JETON STAMOLLA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"