Reali, Superkupa si vitaminë. Mund të rikthejë qetësinë në skuadër dhe për trajnerin Zidan

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 13, 2021 | 21:00

Reali, Superkupa si vitaminë. Mund të rikthejë qetësinë në skuadër dhe për trajnerin Zidan

Superkupa e Spanjës është trofeu i parë sezonal, i cili në pamje të parë duket jo shumë i vlefshëm, por mund të jetë vendimtar. Është shumë i rëndësishëm për mirë, por edhe për keq. Për këtë të fundit mund të flasë shumë mirë Ernesto Valverde. Një vit më parë ai u shkarkua sepse u eliminua në gjysmëfinalet e këtij kompeticioni kundër Atletikos së Madridit. Reali dhe Barcelona në këtë sezon kanë mbërritur në Malaga me objektivin për ta fituar këtë trofe dhe me dëshirën për të larguar fantazmat.

rEALI

Nga ana tjetër Atletiko e Bilbaos dhe Real Sociedadi mendojnë ende për finalen e Kupës së Mbretit (nuk e kanë luajtur ende), por sigurisht që duan të lënë gjurmë. As Ronald Kuman dhe as Zinedin Zidan nuk janë në situatë kaq të rrezikshme sa Ernesto Valverde në sezonin e kaluar, por sigurisht që duhet ta vlerësojnë shumë këtë trofe. Të dyja klubet kanë nevojë për lavdi dhe për kupa dhe kjo gjë sjell detyrimin e tyre për të marrë trofeun e parë të sezonit. Do të sillte disa ditë më të qeta dhe më shumë besim për të ardhmen.

SITUATA NË LIMIT – Zinedin Zidan e di çfarë do të thotë të jetosh në limite gjatë një sezoni. Francezi ka filluar të marrë frymë lirisht pasi u kualifikua në fazën e ardhshme të Ligës së Kampioneve. Skuadra u përgjigj shumë mirë në ndeshjen e fundit ndaj Gladbahut, ndërkohë që më parë kishte bërë hapa falsë, por ecuria në kampionat në javët e fundit nuk ka qenë e duhura. “Galaktikët” kanë barazuar me Elçen dhe Osasunën duke humbur terren me Atletikon kryesuese. Trajneri e di shumë mirë peshën e një trofeu për Realin e Madridit. Një titull, qoftë edhe Superkupë, do të jetë i gdhendur përjetësisht në historinë e klubit dhe për këtë arsye interesi është më i madh.

Duke qenë se titulli kampion nuk është shumë i lehtë për shkak se Atletiko ka dy ndeshje më pak për të luajtur, Superkupa merr akoma më shumë rëndësi. Fitorja për Realin bëhet detyrim për të rikthyer edhe qetësinë e humbur për arsye ekstrasportive, si rinovimet e Serxho Ramosit dhe Lukas Vaskezit. Klubi nuk ka gjetur gjuhën e përbashkët dhe dy lojtarët mund të largohen. Edhe problemet me La Ligën (si institucion) e cila e detyroi skuadrën që të udhëtonte në kushte të vështira atmosferike drejt Pamplonës kanë prishur disi ecurinë në ditët e fundit. Superkupa mund të shërbejë si një vitaminë për të gjithë madrilenët. Ata dinë që të zgjohen në momente vendimtare dhe të mos zhgënjejnë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"