Reali shqelmon krizën, 1.5 milionë euro premio për dy trofetë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 25, 2020 | 23:48

Reali shqelmon krizën, 1.5 milionë euro premio për dy trofetë

Lojtarët e Realit të Madridit pranuan të parët që të ulnin pagat në muajin prill me 10% për të ndihmuar skuadrën që të kalonte momentin e vështirë ekonomik që po kalonte për shkak të krizës nga Koronavirusi. Kjo ulje me shumë mundësi do të vazhdojë edhe kur të rikthehet kampionati. Pas shumë mbledhjeve me video mes lojtarëve, trajnerit Zidan dhe drejtorit Hoze Angel Sançez u arrit akordi që të kishte një zbritje me konsensus.

Reali Superkupa

Madrilenët vendosën për 10% ulje page, e cila do të shkonte në 20% në rast se nuk do të rikthehej më futbolli. Diçka e tillë nuk do të ndodhë sepse në fillimin e qershorit do të rifillojë edhe kampionati spanjoll. Në diskutimet e shumta për uljen e pagës, lojtarët këmbëngulën që të kishin premio në rast se do të fitonin tituj të rëndësishëm. Shpërblimi i futbollistëve nëse triumfojnë në La Liga, por edhe në Champions, do të jetë prezent.

Tani që do të rikthehen kompeticionet, lojtarët janë të bindur se premiot do të qëndrojnë dhe ata do të përpiqen të fitojnë si La Ligën ashtu edhe Champions-in. UEFA ende nuk ka sqaruar përfundimisht se sa do të jenë shpërblimet për ekipet që triumfojnë në Europë, por në Madrid mendojnë se nuk ka asnjë arsye të prekin premion. Në rast të fitores së dopietës (kampionat dhe Champions) skuadra do të marrë shpërblim 1.5 milionë euro, i cili do të bëhet afro 750 për shkak të taksave. La Liga ka një premio 300 mijë euro, ndërsa Liga e Kampioneve 420 mijë.

d5aee-1533735290-500

Shpërblimet nuk janë një motiv kryesor për lojtarët e Realit të Madridit, të cilët janë të mirëpaguar dhe luajnë për prestigj dhe për tifozët e tyre. Megjithatë, presidenti Florentino Perez u jep motive ekstra lojtarëve të tij, që këtë herë në rast se fitojnë titujt e sipërpërmendur, do të zëvendësojnë humbjen që patën nga ulja e pagave për shkak të krizës “COVID-19”.

Kjo është një mënyrë e mirë që Reali i Madridit të falënderojë lojtarët për sakrificat që kanë bërë. Florentino Perez ua komunikoi këtë gjë në takimin që pati me ta në qendrën stërvitore.

 Përgatiti: GENTJAN ALINANI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"