Reali shpërdoron shumë dhe mundet me Ronaldon në fushë, -7 nga Barça (VIDEO)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 21, 2017 | 9:24

Reali shpërdoron shumë dhe mundet me Ronaldon në fushë, -7 nga Barça (VIDEO)

Humbje befasuese. Reali i Madridit nuk e thyen dot rekordin e ndeshjeve radhazi duke shënuar dhe ndalet në 73 të tilla. Skuadra e Zidanit befasohet në minutën e 94-t, pikërisht në ditën e rikthimit si titullar të Kristiano Ronaldos.

Real Madrid 17/18 Betis 17/18

Në “Bernabeu” nuk mjaftojnë 94 minuta sulme të njëpasnjëshme dhe krosime të rrezikshme për të çarë murin e Betisit, që ia doli të bënte këtë fitore të madhe falë pritjeve spektakolare të portierit Adan dhe kundërsulmeve të frikshme. Sanabria hesht të gjithë stadiumin në minutën e fundit. Tani Zidan e sheh veten 7 pikë larg nga Barcelona. Shumë keq Kristiano Ronaldo, që shpërdoron më shumë nga të gjithë.

SHUMË GODITJE

Kristiano Ronaldo rikthehet si titullar (ndeshja e parë për të në La Liga këtë sezon) dhe formon treshen e sulmit me Bejlin dhe Iskon. Por, 45 minutat e para të ndeshjes Real-Betis nuk pati gola dhe protagonistët e mëdhenj ishin portierët Navas dhe Adan. Ky i fundit bëri ndërhyrje spektakolare dhe vendimtare ndaj goditjeve të Iskos dhe Ronaldos, por edhe portieri i Realit pati punë për të ndaluar tentativat e Sanabrias. Kristiano ishte më i uritur se kurrë për të shënuar dhe bën 7 goditje drejt portës kundërshtare, pa arritur të dërgojë asnjë në rrjetë.

Reali nuk ia doli të shënonte në 45 minutat e para dhe kjo gjë nuk ndodhte që prej prillit, kur luanin përballë Atletikos. Por ishte më dramatike, sepse Reali u ndal së shënuari pas 73 ndeshjesh radhazi pa arritur të merrte kryesimin e këtij rekordi. Aktualisht e ndan me Santosin e Pelesë (73 ndeshje radhazi duke shënuar). Prej 512 ditësh nuk kishte ndodhur që të mos shënonte, por dje s’ia doli dhe pësoi një humbje që e largon 7 pikë me Barcelonën.

Real Madrid 17/18 Betis 17/18

SHTYLLË DHE GOL

Në pjesën e dytë, Reali duhet t’i bëjë llogaritë edhe me fatin kundër. Karvahal zhytet në shtyllën e dytë pas një topi të Ronaldos dhe topi përfundon në shtyllë. Rastin më të mirë e ka Bejl, i cili me finte kërkon të befasojë Adanin, që e ndal pak dhe e dërgon topin sërish në shtyllë. Zidan hedh në fushë të gjithë sulmuesit dhe Majoral tenton me kokë, por sërish Adan vendimtar. Atëherë kur pritej goli i Realit, vjen kundërpërgjigjja e Betisit. Sanabria me kokë thyen Navasin dhe tifozët nisin fërshëllimat.

Përgatiti: GENTJAN ALINANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"