Reali ‘rilind’ me Ançelotin, madrilenët makinë që prodhon 3.5 gola për ndeshje

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 25, 2021 | 0:01

Reali ‘rilind’ me Ançelotin, madrilenët makinë që prodhon 3.5 gola për ndeshje

Një makinë që prodhon 3.5 gola për ndeshje “Unë vendos eksperiencën time në dispozicion të skuadrës dhe jap gjithçka kam: përvojë, besim… Kam fatin të stërvis një skuadër të guximshme, me cilësi të mëdha dhe që kupton menjëherë”.

Benzema dhe Anceloti

Kështu u shpreh Karlo Ançeloti në konferencën për shtyp pas fitores 6-1 ndaj Majorkës. Gabimet në mbrojtje të kundërshtarit nuk e zbehin aspak nisjen e vrullshme të mandatit të dytë të Karletos në “Shtëpinë e Bardhë”.

3.5 GOLA PËR NDESHJE – Ashtu si në vitin 2013, Ançeloti e nisi me 6 fitore dhe 1 barazim në La Liga dhe 1 fitore në Champions. Por 8 vite më parë, më pas humbi derbin me Atletikon dhe në javën e 6-të nuk ishte në krye si sot, por i treti -2 nga Barcelona dhe skuadra e Çolos, e cila fitonte më pas La Ligën. Në 2013, Reali kishte shënuar 14 gola në 6 javët e para, sot është në kuotën 21 ose 3.5 gola mesatarisht për ndeshje. Një shifër kaq e lartë golash në startin e një kampionati nuk shikohej në Madrid që prej vitit 1987.

SUPER BENZEMA – Një pjesë të madhe të meritës i shkon formës së jashtëzakonshme të Benzemasë, i cili ka marrë pjesë në 15 nga 21 golat e skuadrës së tij në La Liga. “Karim nuk është njëri që shënon dhe kaq. Është shumë i kompletuar. Ndihmon skuadrën, ndihmon të luajnë të tjerët dhe ndonjëherë golat e tij bëjnë të harrohet puna e madhe që bën për të tjerët. Kur të lodhet, do të përdorim Joviçin, i cili po luan mirë dhe ka një konkurrencë shumë të fortë”.

“MUAJ MJALTI” – Karlo është kthyer në Madrid shumë i qetë dhe i lumtur. Nuk ka asgjë për të treguar dhe e di shumë mirë se kur gjërat të shkojnë keq, Perez nuk bën kompromise. “Tani jemi në ‘muaj mjalti’, por do të vijnë momente të vështira. Dallimi në krahasim me përvojën time të parë këtu është se e njoh shumë më mirë ambientin”. Kjo e bën të punojë më i qetë dhe rezultatet duken.

Benzema ishte vendimtar edhe vitin e shkuar, por Vinicius duket tjetër lojtar dhe ka shënuar 5 gola në kampionat nga 3 sezonin e shkuar. Asensio firmosi me Majorkën tripletën e tij të parë në një klub, ndërkohë që sezonin e shkuar e mbylli me 5 gola. Valverde ka bërë një kapërcim vendimtar në cilësi. Kamavinga, 18 vjeç, e ka në xhep “Bernabeun”. Sigurisht që mbrojtja nuk është e papenetrueshme, me 8 gola të pësuar, por do të ketë kohë për të përmirësuar dhe sidoqoftë, me një sulm të tillë, ndonjë gol më shumë pas edhe mund të pranohet. Ançelotët, Karlo dhe Davide, i kanë dhënë oksigjen, besim dhe forcë Realit.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"