Reali në krizë, i jep leksion Atletiko

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 8, 2015 | 9:26

Reali në krizë, i jep leksion Atletiko

RealiReali i Madridit fillon të ndiejë krizë. Pasi e mbylli në mënyrë të shkëlqyer vitin 2014 (përjashto një humbje në miqësore ndaj Milanit), ekipi i Karlo Ançelotit po kalon momente të vështira. Dy ndeshje dhe dy disfata në 2015-ën! Kaq mjafton për të kuptuar se gjigantët spanjollë po notojnë në ujëra të turbullta. Në ndeshjen e djeshme, morën një goditje të fortë nga rivalët e Atletikos, kur u mundën me rezultatin 2-0 në Kupën e Mbretit dhe tashmë rrezikojnë ndjeshëm eliminimin.

Formacionet Të dy trajnerët surprizuan me përzgjedhjet e tyre. Simeone e nisi me Fernando Torresin si titullar, ndërkohë që uli në stol emra si Turan, apo Koke, duke preferuar Saulin dhe Lukasin. Nga ana tjetër, Ançeloti dhuroi lëvizjen më të paparashikuar, duke lënë në pankinë Kristiano Ronaldon. Ai e nisi me modulin 4-3-3 dhe vendin e portugezit e zuri Hames Rodrigez. Ndërkohë, Isko shoqëronte Khedirën e Krosin në mesfushë.

Pjesa e parë Mjaftuan vetëm dy minuta lojë që Reali të vërë në provë portierin Oblak, i cili realizoi një pritje të shkëlqyer ndaj goditjes me kokë të Serxhio Ramosit. Kampionët në fuqi të Spanjës e patën të vështirë të kontrollojnë lojën, pasi miqtë dominuan me mbi 70% zotërimin e topit. Gjithsesi, ky superioritet nuk u konvertua në raste për shënim, për shkak se Atletiko ishte hermetike në mbrojtje dhe nuk lejoi hapësira. Garet Bejl gëzoi për pak sekonda shokët e skuadrës, kur shënoi një gol që u anulua me të drejtë për pozicion jashtë loje. Një 45-minutësh i parë me shumë rivalitet, por me pak mundësi për të prishur ekuilibrin e barazimit pa gola.

Pjesa e dytë Gjithçka nisi shkëlqyeshëm për ekipin e Simeones. Pas disa minutash agresive në portën e Kejlor Navasit, Serxhio Ramos humbi qetësinë dhe shkaktoi një penallti. Ai tërhoqi brenda zonës Raul Garsian dhe arbitri Klos Gomez nuk pati dyshime për të akorduar 11-metërsh, pavarësisht protestave të Realit. Ishte pikërisht mesfushori 28-vjeçar që mori përsipër ta ekzekutojë, duke shkundur rrjetën e gardianit kostarikan. Tekniku argjentinas i Atletikos bëri menjëherë lëvizjen e tij, duke nxjerrë Torresin dhe futi Koken, për të përforcuar më tepër mesfushën dhe për të ruajtur avantazhin. Ndërkohë, Ançeloti nxori Hamesin dhe aktivizoi Kristianon. Merengesit u treguan me kërkues dhe u munduan me të gjitha mënyrat për të barazuar rezultatin, por ishte thuajse e pamundur.

“Muri” para zonës kundërshtare ishte i pakalueshëm. Ndërkohë që po mundoheshin të mos pësonin gol, tek Atletiko përdorën armën e tyre më të fortë për të shënuar sërish: goditjet standarde. Një krosim në zonë nga këndi u shfrytëzua shkëlqyeshëm prej Gimenezit, i cili i dhuroi avantazh të dyfishtë ekipit. Një humbje 2-0 në “Visente Kalderon”, e cila e bën shumë të vështirë misionin e Realit në ndeshjen e kthimit, më datë 15 janar, ku duhet të përmbysin gjithçka për të vazhduar aventurën në Kupën e Mbretit. Në provën e parë që Ançeloti uli në stol Ronaldon, mori një leksion të rëndësishëm në derbin e Madridit…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"