Reali “luftë” kundër dronëve, madrilenët u tremben… spiunëve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 16, 2019 | 22:16

Reali “luftë” kundër dronëve, madrilenët u tremben… spiunëve

Çështja e sigurisë në Spanjë nuk shqetëson vetëm Realin e Madridit. Vjedhjet në masë të shtëpive të futbollistëve në kryeqytetin spanjoll ka bërë që policia dhe përgjegjësit e sigurisë së Atletikos dhe Realit të kenë një takim javën e ardhshme për të diskutuar një plan masash.

real madrid seance stervitore

Por, klubi madrilen kërkon që të jetë i avancuar në këtë çështje dhe të blindojë gjithçka ka të bëjë me futbollistët, duke nisur nga qendra stërvitore “Valdebebas”. Gjatë ditëve të fundit ka pasur takime të shumta për të marrë masat, ku më kryesorja ka të bëjë me moslejimin e fluturimit të dronëve. Si për rastësi, 5 vite më parë në ndeshjen SerbiShqipëri u ngrit një dron, i cili tërboi tifozët serbë dhe çoi në dhunimin e futbollistëve shqiptarë dhe ndërprerjen e ndeshjes.

PLANI

Ideja e Realit është që të krijojë një hapësirë ku asnjë dron të mos afrohet dot në zonën e sigurisë sportive madrilene. Kjo është thjesht një çështje privatësie dhe sigurie. Do të tentohet të mbrohet skuadra nga spiunimi i stërvitjeve, por mbi të gjitha nga situatat e rrezikshme.

Rreziku nga ajri është një problem shumë prezent i kohëve të fundit dhe duhet të kujtojmë se finalja e Ligës së Kampionëve në Kardif u luajt në stadium të mbyllur, pikërisht nga frika dhe rreziku i ndonjë sulmi me dron gjatë zhvillimit të ndeshjes.

Qendra stërvitore në “Valdebebeas” është shumë pranë me aeroportin “Barahas” dhe qarkullojnë shumë dronë. Ato shërbejnë për të kapur video sportive, apo pamje të ndryshme. Problemi është që me kalimin e kohës mund të ketë dronë që mund të vënë në rrezik skuadrën. Disa ekipe në Europë i përdorin për të parë lëvizjet e futbollistëve dhe përmirësimin e tyre, ndërsa Reali kërkon të bëjë gjithçka për t’i ndaluar në qendrën stërvitore.

Përgatiti: GENTJAN ALINANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"