Reali i Madridit, një kampion Europe edhe në… kuzhinë. Shefi i “tiganëve” në Kiev tregon sekretet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 25, 2018 | 19:30

Reali i Madridit, një kampion Europe edhe në… kuzhinë. Shefi i “tiganëve” në Kiev tregon sekretet

Jashtë Botërorit dhe kompeticioneve UEFA, por marka “Made in Italy” do të jetë gjithsesi prezente në finalen e Ligës së Kampioneve. Prekja dhe shija italiane do të jetë të paktën në tavolinë. Ndoshta, Italia do të kërkojë të rinisë gjithçka nga Kievi për finalen Champions, pa Italinë e topit, por me flamurin trengjyrësh që do të valëvitet gjithsesi në kuzhinë dhe sigurisht që me kulinarinë, italianët do të mburren dhe do të jenë gjithmonë fitimtarë. Personazhi, të cilit “Corriere dello Sport” ka dashur t’i japë hapë- sirë, pak orë përpara sfidës në Ukrainë, është Gaetano Sgroi, sicilian nga Kalatafimi Sexhesta, i cili në fushën e tij ka po aq talent sa Kristiano Ronaldo, një juventin i çmendur, por që është i detyruar të përmbushë kërkesat e atyre që eliminuan bardhezinjtë.

“Shefi ekzekutiv” i kuzhinës së Realit të Madridit ka zbritur menjëherë në skenë në hotelin luksoz të kryeqytetit ukrainas (pronari i tij është gjithashtu edhe padroni i klubit të Shahtjor Donetsk), aty ku Reali akomodohet, por gjithashtu i njëjti hotel që mirëprit Spanjën, e cila gjashtë vite më parë shkatërroi ëndrrat e Italisë së Prandelit në finalen e Europianit.

kuzhinieri realit

CHAMPIONS-I I… HELMUAR – Shef Sgroi e pranon hapur: “Po, jam rritur me një zemër bardhezi. Betega ishte ishulli im dhe ai Juventus me Tardelin dhe Platininë më mahniste. Fatkeqësisht, këtë vit përfundoi shumë keq për ne dhe pikërisht kundër Realit… Do të kisha dashur Juven në Kiev. Dikush madje edhe më ka pyetur? ‘Sa erëza helmuese do të fusësh në pjatat e Realit?’ ‘Përse duhet ta bëj?’, – iu përgjigja. ‘Do të të japim një grusht me parà!’, – më tha. Jo, jo, paratë mbajini, sepse nuk është bukur që të hysh në histori, si monstra që helmoi Realin e Madridit! Duke lënë mënjanë batutat, krenaria jonë është ajo që t’u përshtatemi kërkesave të klientëve, në këtë rast të famshëm dhe shumë të veçantë. Dhe mbi të gjitha nuk mund të gabojmë asnjë presje”.

SEKRET E MADRILENËVE – Të fshehur mes furrave, tenxhereve dhe tiganëve, “Corriere dello Sport” dhe gazetarët e këtij reportazhi zbuluan sekretet kulinare të skuadrës së Zinedin Zidanit: çfarë hanë e pinë madrilenët e pasur; gjërat e lejuara dhe të ndaluara; fletë të mbushura me rekomandime, një plan monstruoz edhe në të ushqyer, po aq i rëndësishëm sa edhe taktika apo magjitë e fenomeneve të Realit. Menyja është prej maniakësh të vërtetë: pesë vakte në ditë (mëngjes, drekë, ushqim përpara stërvitjes së pasdites, darkë dhe ushqim të lehtë, në korridoret e hotelit mes orës 21 dhe 01:00 të natës. Ndalohen rreptësisht pijet alkoolike, madje duke nënvizuar edhe markat e produkteve; futbollistët nuk do të shërbehen nga kamerierët nëpër tavolina, por do të vetëshërbehen. Birrat dhe pijet e gazuara u lejohen vetëm stafit. Ndërkohë, për pesë myslimanët në skuadër, pulë dhe të gjitha llojet e tjera të mishit sipas procedurës Hallall, të gjitha të certifikuara sipas dogmave të fesë islame.

RROFTË ITALIA – Italia fiton në pjatën e parë dhe në të veçantat. Por edhe në drekë. “Djathi kaçkavall parmixhani është mbreti i menysë, si gjithmonë… Në këtë mënyrë edhe ne jemi për Champions”, nënvizon me krenari Sgroi. Brumërat, linguinet dhe penet, ekskluzivisht të markave “De Ceço” dhe “Barilla”, gatuhet pak sekonda përpara se lojtarët të ulen në tavolinë, shërbehet “al dente” dhe është e përzier me vaj ulliri ekstra të virgjër. Uthulla, apo edhe balsami i saj i vetëm i lejuar është ai i Modenas, salca e domateve dhe ushqimet e detit duhet të jenë gjithashtu të tokës dhe ujërave italiane, ragu alla bolonjeze dhe sigurisht parmixhano, i grirë apo edhe copë, ashtu sikurse vetëm sallamra e proshutë italianë për vaktet pas ndeshjes.

REKOMANDIMET – Pudingu i orizit me qumësht do të përgatitet vetëm nga shefi i kuzhinës së Realit të Madridit. Të gjitha ushqimet që do të konsumohen do të identifikohen dhe do të jenë të shkruara në meny. Pjatancat e ngrohta apo të ftohta do të përgatiten direkt në bufe. Gjatë transportit, vaktet do të jenë të mbuluara nga një qese transparente, me përjashtim të brumërave që do të shërbehen në moment. Për sallatat dhe makaronat do të nevojiten tasa të gjerë porcelani ose pjata të gjera 18 ose 20-centimetërshe. Përbërësit e sallatave do të shërbehen në mënyrë të ndarë. Është e ndaluar rreptësisht që të përdoret gjalpi. Uji duhet të jetë i mbyllur në shishe. Erëzat aromatike janë të lejueshme. Ndërsa të vetmet pije që mund të konsumohen, do të jenë uji natyral ose i gazuar, portokall i freskët i shtrydhur, miks molle e limoni ose portokalli e limoni.

MISTERI I PROSHUTËS – Proshuta për paninet, pas përfundimit të ndeshjes, është i një markë të veçantë spanjolle, e marrë në udhëtim nga vetë shefi i kuzhinës së skuadrës. Dhe kjo gjë ka qenë ajo që ka bërë shumë kurioz shefin italian të hotelit, Sgroi, ku akomodohet Reali. “Ky është një diktat dhe pyes veten pse? Në Ukrainë ka mjaft proshute spanjolle të cilësisë shumë të mirë, por ky më duket edhe më special se kaq. Pres që ta shijoj dhe të kuptoj arsyen. Jam mësuar që të gatuaj për skuadra të ndryshme, nga Milani te Barcelona, por një tjetër e veçantë më ka mahnitur më shumë. I referohem menysë përpara ndeshjes dhe drekës së fundit përpara finales. Kur prisnim të na kërkohej e njëjta dietë, për këto dy vakte na është kërkuar gjëra të rafinuara: peshku më i mirë në treg, i sapo kapur; mish ose pulë e cilësisë së parë, por vetëm nëse është e importuar nga Franca. E trajtojnë veten vërtet mirë… Mungon vetëm shampanja (qesh)… Nuk kisha parë kurrë një gjë të tillë”, tregoi shefi italian i hotelit në Kiev.

RONALDO, ZIDAN E PEREZ – Mes katit të tretë, të katërt dhe të pestë, Reali i Madridit ka prenotuar 74 dhoma, duke përfshirë edhe 13 dhoma “VIP”. Numri një i skuadrës, presidenti Florentino Perez, do të akomodohet në suitën e luksit, “Russia 407”: dy dhoma gjumi, soxhorno dhe banjo, një pallat mbretëror në miniaturë me pak fjalë. Për futbollistët, sistemim në dhomat standard, përfshirë edhe Ronaldo dhe Zidani. Kristiano do të akomodohet te 421 (4+2+1 bëjnë 7, numri i tij i fanellë), Bejl ngjitur me portugezin te 422, ndërsa Zidan, një kat më lart te 507. Asnjë prej personave “VIP” të pranishëm nuk do të darkojë me skuadrën, apo qoftë edhe të ketë kontakt në hapësirat publike, si palestrat, salla e mbledhjeve, fizioterapia apo masazhet. Të gjitha pijet në minibar janë zëvendësuar me shishe uji dhe askush nuk mund të përdorë shërbimin në dhomë. Me pak fjalë, Reali i Madridit, edhe pse mes luksit, duhet t’i përshtatet këtij regjimi ushtarak. Fundja, për të pasur sukses, sakrifica të tilla duhet të durohen.

Përgatiti: JETON STAMOLLA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"