Reali i Ançelotit padron, italiani shkon për rekord

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 3, 2021 | 17:44

Reali i Ançelotit padron, italiani shkon për rekord

Reali i Madridit e ka nisur me qetësi kampionatin spanjoll, por me kalimin e javëve ekipi i tij ka nisur të marshojë si një tren i pandalshëm dhe kur kanë kaluar 11 javë në La Liga, Madridi ka marrë arratinë. Falë suksesit të vuajtur përballë Bilbaos në ndeshjen e prapambetur të javës së nëntë, Reali i Madridit është shkëputur 7 pikë nga vendi i dytë.

anceloti

Ndonëse deri në fund të vitit për “Los Blancos” ka dhe të tjera malore të forta, duket se ekipi i Ançelotit sa vjen e kolaudohet, duke i treguar rivalëve se cili është “bosi”. Ndaj baskëve ka ardhur fitorja e shtatë radhazi mes kampionatit dhe Ligës së Kampioneve dhe në takimet e fundit asnjëri nga rivalët në kampionat nuk ka mundur të ruajë hapin e Madridit. E vërtetë është se Reali jo gjithnjë ka dominuar apo luajtur mirë, por për Ançelotin vlejnë pikët. Objektivi final mbetet titulli dhe premisat janë pozitive.

TË TJERA TERRITORE – Reali nuk njeh humbje që nga 19 tetori, kur Espanjoli i shkaktonte humbjen e vetme në kampionat deri më tani. Për madrilenët kanë ardhur 40 ditë vërtet ideale, ku mes të tjerëve ka mundur dhe rivalët historikë, Barcelonën, në fushën e kësaj të fundit. Edhe në Champions gjithçka ka shkuar mirë, teksa ka siguruar biletën e kualifikimit me një ndeshje nga fundi dhe mesjavën e ardhshme do të ndajë vendin e parë me Interin. Por, për trajnerin emilian, titulli në La Liga mbetet në krye të listës.

Një sukses i mundshëm do ta kthente Ançelotin në “Zotin” e padiskutueshëm të trajnerëve në aktivitet. Deri më tani ai ka fituar të paktën një herë 4 nga 5 kampionatet më të rëndësishme në Europë. Ka fituar Serinë A, Premier Ligën, Ligën franceze dhe Bundesligën. Mungon vetëm Spanja për të vendosur cepin e pestë të yllit të tij. Dhe me këto ritme të Realit gjithçka duket e mundur.

E ARDHMJA – Karlo Ançeloti është një nga trajnerët më të suksesshëm në qarkullim. Bëhet fjalë për një trajner që ka fituar kudo ku ka drejtuar, por Reali i Madridit nuk do të shënojë fundin e karrierës së tij. Tekniku italian ka plane të tjera përpara. Ka qenë vajza e tij, Katja Ançeloti, që ka zbuluar se çfarë ka në kokë babai i saj. “Për momentin i pëlqen të angazhohet në përditshmëri me klubet, por herët e vonë do të vijë dita që ai do të marrë drejtimin e një ekipi kombëtar”, ka thënë vajza e tij për radio “Kiss Kiss”.

Përgatiti: LEDJO SEFERKOLLI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"