“Reali duhet të puthë tokën ku ka shkelur”, shpërthen agjenti i Bejlit: Ja pse zgjodhi Totenhemin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 23, 2020 | 23:56

“Reali duhet të puthë tokën ku ka shkelur”, shpërthen agjenti i Bejlit: Ja pse zgjodhi Totenhemin

Garet Bejl te Reali i Madridit është një histori më vete, ose jo. Varet nga këndvështrimi i gjithsecilit. Fakti i vetëm është që këtë vit, uellsiani do të jetë nën urdhrat e Zhoze Murinjos te skuadra e Totenhemit. Por një pjesë të fajit për ato që kanë ndodhur gjatë sezoneve të fundit e ka edhe agjenti i tij, Xhonatan Barnet. Në një intervistë për “BBC Radio 4” ai u mundua të shpjegojë se si lindi ideja për huazimin e tij te londinezët.

Bejl agjenti shperthen

“Daniel Levi (president i Totenhemit) u interesua për ta rikthyer Bejlin prej shumë kohësh, por gjithmonë ka pasur një arsye që e ka penguar këtë gjë. Tani ishte momenti i duhur”, tha fillimisht Barnet. Pavarësisht dëmtimeve dhe moshës së tij 31-vjeçare, Bejl kishte shumë alternativa për të zgjedhur për të ardhmen e tij. “Ai e do Totenhemin mbi gjithçka dhe ata ishin të parët që lëvizën. Ky është motivi kryesor për Garet që zgjodhi të rikthehej në Angli për të luajtur me “Spërsat”.

Në listë kishte shumë skuadra të tjera”, vazhdoi më tej menaxheri. Krisja me Realin- Shtatë sezonet që uellsiani qëndroi te Reali kanë pasur dritë dhe hije. Nga një anë memoria e tifozëve është në “Mestalla” në finalen e Kupës, por edhe në golin në Lisbonë për Champions-in e dhjetë, pa harruar edhe roveshatën në finale kundër Liverpulit. Nga ana tjetër, është apatia e tij, papërgjegjshmëria, dëmtimet, ankesat, raporti i ftohtë me tifozët dhe me shokët e skuadrës. “Në mendimin tim, Bejl nuk u trajtua mirë nga klubi. Me gjithçka që ai ka bërë dhe ka fituar te Reali, duhet të kishte një tjetër trajtim. Ajo që kanë bërë tifozët me të është e turpshme dhe klubi nuk e mbrojti fare në atë situatë.

Bejl agjenti

Shpresoj që gjërat të shkojnë mirë me Totenhemin sepse nuk dua që të rikthehet sërish te Reali. Dëshiroj që të qëndrojë më shumë sesa 1 vit huazim, por deri atëherë ka kohë për të folur. Di të them që Reali i Madridit duhet të puthë në tokën që ka shkelur Bejl për shtatë sezonet që qëndroi aty sepse ka dhënë kontribut të madh në fitoren e titujve”, ka thënë agjenti i Bejlit, Barnet. Uellsiani u transferua në Londër, por në fakt duhet të presë për debutimin e tij sepse është i dëmtuar dhe ende nuk është rikthyer të stërvitet me skuadrën.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"