Reali blindon Benzemanë, por tërbohet… Serxho Ramos

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 18, 2021 | 10:36

Reali blindon Benzemanë, por tërbohet… Serxho Ramos

Karim Benzema është gati të rinovojë me Realin e Madridit deri në vitin 2023. Nëse nuk do të ndodhë ndonjë çudi e madhe, përpara fundit të sezonit sulmuesi francez do të hedhë firmën në kontratën e re. Kontrata aktuale i skadon në vitin 2022, por Benzema është duke kaluar një moment të artë dhe klubi dëshiron që ta vlerësojë duke i ofruar një tjetër vit deri kur të jetë 35 vjeç. Me rinovimin për një vit, “Galaktikët” i qëndrojnë besnikë politikës së tyre për të rinovuar me një vit futbollistët që janë 30-vjeçarë.

benzema

Por, interesant është fakti që me Benzemanë klubi nuk ka pritur që të arrijë deri në vitin e fundit të kontratës, ashtu si me Serxho Ramosin, Lukas Vaskezin apo Luka Modriçin. Marrëveshja mes Benzemasë dhe Realit të Madridit është arritur dhe firma do të vijë përpara fundit të sezonit. Sintonia është totale dhe e tillë ka qenë që nga momenti kur sulmuesi francez ka firmosur për Realin e Madridit. Rinovimet e tij janë bërë në mënyrë shumë të shpejtë, pa polemika dhe pa diskutime. Nga klubi madrilen bëjnë me dije që Benzema është një nga lojtarët më të lehtë për të rinovuar kontratën. Që nga viti 2009 ai kurrë nuk ka trokitur në dyert e klubit për të kërkuar rritje rroge apo kontratë të re. Ka qenë gjithmonë Reali ai që e ka telefonuar për të zgjatur “martesën”. Benzema është i sigurt që do të vazhdojë në Madrid deri në vitin 2023 dhe diçka të tillë e konfirmoi në konferencën për shtyp përpara ndeshjes me Atalantën.

“Nëse presidenti do që unë të rinovoj, dyert e mia janë të hapura”, tha ai. Nuk përjashtohet mundësia që ai të qëndrojë edhe pas vitit 2023, por mbetet për t’u parë se në çfarë forme do të jetë në moshën 36- vjeçare. Sigurisht që Serxho Ramos është rebeluar nga kjo situatë. Në fakt klubi është i qartë me të gjithë lojtarët, por thjesht Benzema është ai që nuk ka probleme të tilla dhe është gati të hedhë firmën.

Përgatiti: GENTJAN ALINANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"