Reagon trajneri i Këlcyrës: Djali im nuk luante, e tërhoqa dy herë skuadrën për të qetësuar situatën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 14, 2017 | 11:49

Reagon trajneri i Këlcyrës: Djali im nuk luante, e tërhoqa dy herë skuadrën për të qetësuar situatën

Trajneri i Këlcyrës, Robert Spahiu, ka reaguar menjëherë në lidhje me akuzat se arbitri Alvi Paço është dhunuar edhe nga djali i teknikut. Ai i hedh poshtë këto akuza, ndërsa vazhdon t’i mëshojë faktit se ndeshjen e prishi gjyqtari Paço. Megjithatë, ai e dënon dhunën, ku thotë se do të merren masa ndaj futbollistëve që sulmuan arbitrin.

Trajneri i Kelcyres

REAGIMI – “Jam kundër dhunës dhe atyre çfarë Lorenc Jemini deklaroi në emisionin “Proçesi Sportiv”. Djali im nuk ishte fare në fushë dhe as në stol, pasi sivjet unë kam ndërtuar një skuadër me mjaft lojtarë me përvojë dhe që stërviten bashkë. Djali im është student dhe asnjë prind nuk e nxit të birin apo lojtarët e tjerë për dhunë.

Unë jam trajner i 25 futbollistëve dhe mundohem t’i orientoj drejt lojës ‘fair play’ dhe jo dhunë. Për sa i përket asaj çfarë deklaron gjyqtari Paço, unë kam nisur procedurat për kallëzim penal për të, pasi kam videon e ndeshjes ku kam tërhequr dy herë skuadrën për të qetësuar situatën. Gjithashtu, kam edhe tabulatet me drejtuesit e Federatës për të dërguar një arbitër kompetent. Kam shkuar dy herë në Tiranë, ku kam kërkuar që t’i kushtohet vëmendje këtij takimi, pasi nga eksperienca ime, ‘derbet’ gjithmonë kanë kaluar me problem.

Por, me këtë që gatoi gjyqtari Paço, nuk ndikoi te tifozëria përmetare, të cilën e falënderoj. Gjithashtu, falënderoj në veçanti edhe lojtarët e të dyja skuadrave, të cilët u distancuan nga dhuna”, u shpreh fillimisht Spahiu në reagimin e tij.

MASAT – Më tej, trajneri Spahiu paralajmëroi masa ndaj lojtarëve që dhunuan gjyqtarin Paço. “Kam vite që drejtoj dhe që kam luajtur futboll, por si këtë gjykim nuk kam parë. Ne kemi fajin tonë ku pritet që pas daljes së futbollistëve të ndaluar, do te ndalemi të marrim masat tona. Por, të mos ndalemi vetëm te pasoja e asaj që ndodhi, por të përqendrohemi dhe të marrim masa për të zbuluar shkakun.

Dhe ky shkak tashmë dihet dhe duhet ndaluar që edhe ai të ndëshkohet. Le të jetë Federata ajo që të gjykojë me gjakftohtësi këtë ngjarje ku presidenti ynë, i cili ka shpenzuar shumë para nga tatim paguesit këlcyrjotë për të ndërtuar një skuadër, e cila të konkurroje denjësisht dhe të kënaqë tifozërinë e saj, ka dërguar një notë proteste për këtë gjyqtar pranë Federatës”, përfundoi reagimin e tij trajneri i Këlcyrës, Robert Spahiu. Roland Suli

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"