Reagon Pogradeci dhe del kundër vendimeve të Disiplinës: Boll me dënime kolektive

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 21, 2020 | 12:52

Reagon Pogradeci dhe del kundër vendimeve të Disiplinës: Boll me dënime kolektive

Pogradecarët janë njohur me ven dimet e Komisionit të Disiplinës, që i ka dënuar me 4 ndeshje pa tifozë, për shkak të trazirave që ndodhën në sfidën e fundit ndaj Lushnjës. Për drejtorin ekzekutiv të klubit liqenor, Kopi Gusho, është një dënim shumë i rëndë, sepse futbolli, në fund të fundit, luhet për tifozët.

Pogradeci-Lushnja

“Është një dënim i ekzagjeruar. Ne me vështirësi i kemi afruar tifozët në stadium, në ndeshjen me Lushnjën kishte mbi 2500 tifozë dhe ky është rekord, por tani dënohemi. Dënimet nuk duhet të jenë kolektive. Jemi provokuar nga tifozët miq dhe realisht nuk meritojmë të ndëshkohemi kështu në të parin moment. Pogradeci kishte nevojë më shumë se kurrë për spektatorët”, thotë Gushi.

HIDRI – Por masat ndëshkimore ndaj Pogradecit janë thelluar nga dënimi prej 5 ndeshjesh i Emiljano Hidrit. Për këtë dënim drejtori Gusho shton: “Hidri është një futbollist shembullor, ka mbi 16 javë që luan titullar dhe ka vetëm dy kartonë të verdhë, edhe pse është një mbrojtës. Ai bëri një ndërhyrje për top ndaj kundërshtarit dhe i është bindur gjyqtarit për kartonin e kuq pa bërë as më të voglën fjalë. Pse ky dënim kaq i ashpër, i ekzagjeruar? Pavarësisht këtyre masave, do të luajmë shumë fort ndaj çdo kundërshtari për të arritur objektivin tonë”.

Pogradeci

 

EKIPI – Liqenorët po përgatiten për takimin e radhës me Besën, një transfertë e vështirë, sipas trajnerit Abazaj. “Jemi maksimalisht të motivuar dhe java përgatitore ka shkuar mirë. Kemi mungesën e Hidrit, të tjerët janë gati. Futbollistët e dëmtuar janë rikuperuar dhe kanë marrë edhe gjendjen fizike. Shpresoj të mos kemi dëmtime deri të dielën”, shprehet trajneri pogradecar. Ekipi i tij është stërvitur në temperatura të ulëta ditët e fundit, ku nuk kanë munguar edhe reshjet e shiut. “Besa është kundërshtari më i fortë i grupit, edhe pse është më poshtë në renditje. Ka futbollistë cilësorë dhe luan shansin e fundit për të mos u shkëputur nga 4 vendet e para. Do të bëjmë lojën tonë dhe do të kërkojmë fitoren”, përfundon Abazaj.

ROMEO XINXIFI 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"