Reagon Mërgjyshi: Kotorri s’është burrë, donte 50 milionë lekë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 19, 2016 | 11:13

Reagon Mërgjyshi: Kotorri s’është burrë, donte 50 milionë lekë

Artan Mërgjyshi nuk e ka pritur aspak mirë akuzën e bërë nga ish-portieri i dibranëve, Elvis Kotorri, i cili e ka quajtur një trajner dështak, duke iu referuar humbjes ndaj Luftëtarit. Në një prononcim për “Panorama Sport”, Mërgjyshi u shpreh:

mergjyshi

“Nuk kam dëshirë të merrem me Kotorrin. Se kush jam unë, atë s’e vendos ai, por janë specialistët, drejtuesit dhe lojtarët e ekipit që duhet të vlerësojnë punën time. Nuk mund të replikoj me të, pasi nuk ia vlen. Nëse do t’i kundërvihem atij, nuk bëjmë gjë tjetër veçse i rrisim më shumë vlera, kur në një kohë është thjesht vetëm një portier rezervë.

Nuk është më ai Kotorr i dikurshëm kur luante me Dinamon e Superiores. S’dua t’i përgjigjem, pasi është një portier që ka kërkuar më shumë se ç`jep. Ka kërkuar 50 milionë lekë nga klubi, në një kohë që nuk ka asnjë portier tjetër që të jetë paguar me këtë shumë, duke qenë se në planet tona ky ishte projektuar thjesht si një portier rezervë.

Ai nuk është burrë, pasi unë kam telefon, ose të vijë të më takojë e të m’i thotë gjërat në sy dhe jo të veprojë në këtë mënyrë. Unë jam i hapur për çdo kritikë, por jo të shfryjë kështu, ndonjë pakënaqësi të tij, apo mosplotësim dëshire”, kanë qenë fjalët e trajnerit Mërgjyshi, i cili duket jo pak i mërzitur nga deklaratat e portierit.

Mërgjyshi ka folur edhe për mungesën e golit duke thënë se:

“Plaku po mundohet shumë, por është i paqartë përpara portës, ndërsa sulmuesi tjetër, Adelaja, nuk e ka kondicionin e duhur fizik. S’dua të justifikohem, por për momentin këto janë mundësitë tona dhe gjendja jonë”, ka mbyllur Mërgjyshi.

Çfarë tha Kotorri

kotorri2

Postimi i Kotorrit në Facebook

Ish-portieri i skuadrës së Korabit në sezonin e shkuar, Elvis Kotorri, ka shpërthyer pas ndeshjes që dibranët luajtën me Luftëtarin në “Elbasan Arena”. Me një status në rrjetin social “Facebook”, Kotorri ka shkruar:

“Ekip milionash dhe paraqitje mediokre. Trajner amator dhe dështak. Sa më shumë e shoh këtë ekip, aq më shumë e dua skuadrën e vjetshme”, ishin fjalët e Kotorrit.

Kjo nuk është hera e parë që portieri i larguar nga skuadra ka dalë kundër drejtuesve, pasi edhe pak muaj më parë ai i akuzoi si trajnerin, ashtu edhe drejtuesin Mziu.

ABDULLA DUSHKU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"