Reagon Drejtori i Shkollës Kombëtare të Futbollit, Tahiri: S’kam lidhje me talentet në Kroaci, ja si është situata e tyre

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 27, 2020 | 0:20

Reagon Drejtori i Shkollës Kombëtare të Futbollit, Tahiri: S’kam lidhje me talentet në Kroaci, ja si është situata e tyre

Shkolla Kombëtare e Futbollit është bërë trampolinë për shumë futbollistë që mund të kenë sukses në skuadrat brenda dhe jashtë vendit, pasi e përfundojnë atë. Drejtori i saj, Ermal Tahiri, në një emision sportiv në “ABC News”, komentoi disa ditë më parë rinovimin e futbollistëve shqiptarë në skuadrën e Lokomotivës së Zagrebit. Ndër të tjera, Tahiri tha se “lojtarët kanë firmosur kontratën pa praninë e kompanisë së menaxhimit dhe për këtë do të kenë pasoja ligjore”. Lidhur me këtë deklaratë, “Panorama Sport” kontaktoi me drejtorin e shkollës së futbollit për të mësuar versionin e tij në lidhje me futbollistët, çështjet ligjore si dhe për kompaninë e menaxhimit.

ermal-tahiri-0492ccb1-de07-4ebb-8a77-d666c95902a-resize-750

Deklarata – “Kam thënë që ‘fëmijët kanë firmosur një kontratë pa praninë e menaxherit. Në bazë të ligjeve, ato do t’i nënshtrohen ligjit, ose gjyqit, ose si është procedura, sepse mund ta çojnë në UEFA apo atje’. Këtë kam thënë. Lidhur me këtë, çunat më kanë thënë se Lokomotiva e Zagrebit ka kërkuar që të bëhet një takim për çështjen në fjalë, në lidhje me ecurinë e karrierës. Me shkollën nuk kanë lidhje fëmijët, sepse nuk kanë asnjë detyrim pasi ikin nga këtu. Por, në dijeninë time, asnjë prej lojtarëve nuk është në gjyq deri më tani, pasi përpara një ballafaqimi, ka një rrugë të mesme për t’i zgjidhur gjërat. S’jam menaxheri i tyre dhe s’kam asnjë lidhje”.

Kompania e menaxhimit – “Nuk kam asnjë lidhje me kompaninë. Nuk kam punë. As nuk i njoh fare”.

Problemi – “Ka një problem. Kompania ose menaxheri i një lojtari që ka çuar njërin ose disa lojtarë te Lokomotiva, me anë të një kontrate si në të gjithë botën me kushtet dhe klauzolat e saj, në momentin që një lojtar rinovon, lojtarit i takon që të jetë në praninë e menaxherit. Ata lojtarët nuk e kanë bërë këtë të fundit. Arsyet nuk i di”.

tahiri

E drejta e formimit – “Lojtarët që mbarojnë shkollën te Shkëndija, kanë të drejtën që të ikin ku të duan. Shkolla nuk përfiton të drejtë formimi për ta. Ne i kemi dërguar të gjithë lojtarët te klubet e Dinamos, Partizanit, Tiranës, Laçit etj. dhe nuk kanë të drejtë formimi. Ose, mund të kenë të drejtë formimi, por duke pasur parasysh që nuk kemi një klub, e lë të lirë lojtarin”.

Shkolla – “Kam biseduar edhe me ministrinë që duhet të bëjmë kontratë me fëmijët, pasi aktualisht pasi mbarojnë vitet e shkollimit, ata nuk mund t’i detyrojnë që të paguajnë vitet e formimit. Nëse ata i bllokon dhe nuk i lejon që të luajnë, ata digjen. Unë dua që të ecin fëmijët, t’i çojmë përpara, të dalin mirë dhe ne të nxjerrim lojtarë. Destinacioni i shkollës është që t’i dërgojmë lojtarët në ekipet tona të para dhe në ekip kombëtar. Në këto pesë vite që jam drejtor i shkollës, kam 12 apo 13 lojtarë që luajnë në ekipe të para. E mira është që fëmijëve të mos u pritet e ardhmja”.

E ardhmja – “Në vazhdim, pasi këtë vit nuk ka pasur lojtarë, kush kërkon të marrë lojtarë nga shkolla, do të kërkoj që të sjellin bazë materiale për shkollën. Nuk më interesojnë të ardhurat brenda Shqipërisë për vitet e formimit. Me ligjet që ka nxjerrë federata, do të kërkojmë që cilido që merr një futbollist, të sjellë topa, veshje, bazë materiale për t’u krijuar kushtet e duhura fëmijëve”.

OLSI TUJANI

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"