Re të errëta mbi Dinamon, sfumohet projekti superiore. Bashkëpunimi me familjen Nuri drejt fundit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 2, 2019 | 12:49

Re të errëta mbi Dinamon, sfumohet projekti superiore. Bashkëpunimi me familjen Nuri drejt fundit

Një deklaratë e pak ditëve më parë për “Panorama Sport” nga ana e administratorit Ismet Saliaj ndezi shpresat për të parë më në fund një Dinamo vërtet pretendente për rikthimin në Superiore, por gjithë ai optimizëm duket se është shfryrë shumë shpejt si një tullumbace.

Dinamo

Mbi ekipin blu ka sërish re gri, për të mos thënë të zeza, pasi problemi financiar nuk po merr zgjidhje. Zhvillimet e ditëve të fundit flasin qartë se Dinamo e sezonit 2019-2020 do të jetë po ajo që kemi parë këto vite, një skuadër thjesht pjesëmarrëse në Kategorinë e Parë, pa objektiva madhorë, ndoshta edhe më keq. Largimi i Artan Mërgjyshit për tek Apolonia ishte shenja e parë se situata te Dinamo nuk është aty ku mendohej dhe parashikohej.

Projekti për Superioren është sfumuar, edhe pse askush nga drejtuesit nuk e pranon publikisht. Trajneri Mërgjyshi, pjesë e stafit drejtues të Dinamos sezonin e fundit, e ka pohuar vetë se ishte në pritje të zhvillimeve konkrete te ky ekip, por asgjë nuk ndodhi dhe ai vendosi të shkojë në Fier. Administratori Ismet Saliaj tha se ishte rënë dakord me sponsorët, vëllezërit Nuri, për një Dinamo kompetitive dhe se do të kishte lëvizje konkrete për fuqizimin e ekipit, por në fakt ka ndodhur ndryshe.

Dinamo

Vetë fakti që nga ekipi janë larguar edhe Marlind dhe Rei Nuriu flet qartë se familja Nuri nuk do të sponsorizojë më për Dinamon. Të dy këta lojtarë, sipas të gjitha gjasave, do të ndjekin trajnerin Artan Mërgjyshi tek Apolonia. Një tregues i qartë se Dinamo mbetet pa sponsorë në këtë moment delikat dhe ndoshta do ta ketë edhe më të vështirë sezonin e ri, nëse nuk afrohet dikush tjetër për ta mbështetur financiarisht këtë klub me histori në futbollin shqiptar.

Koha është e shkurtër dhe vështirë të bëhet diçka në këtë drejtim. Trajneri Igli Allmuca dhe pjesëtarë të tjerë të kampit dinamovit e kanë shumë të vështirë të shprehen për Dinamon e sezonit të ri, çka vërteton se askush nuk e di me siguri se çfarë do të ndodhë me këtë ekip. Në vend të përforcimeve, nga radhët e bluve të kryeqytetit mund të ketë të tjera largime.

FATJON RUPI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"