Raspadori, një bomber me libra në duar/ Ylli i Napolit, një nxënës ekselence në shkenca mjekësore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 28, 2022 | 21:06

Raspadori, një bomber me libra në duar/ Ylli i Napolit, një nxënës ekselence në shkenca mjekësore

Sa më e vështirë që të bëhet situata, aq më shumë dëfrehem të luaj. Sigurisht që nuk dua të luftoj gjithmonë deri në pikën e fundit në fushë, por e them këtë, pasi kur shënon në një moment të vështirë, goli merr më shumë vlera, ashtu sikurse ai kundër Hungarisë.

raspadori

Ata ishin surpriza e Ligës së Kombeve sivjet dhe t’i mposhtnim ishte tepër e vështirë, për më shumë përpara 60 mijë vetëve. Por këto janë ndeshjet që të përmirësojnë, këto janë ndeshjet që të bëjnë më të fortë dhe ne duam të rikthehemi njësoj si përpara Europianit”.

Xhakomo Raspadori është rikthyer dje në stërvitje te Napoli, pas mbylljes së aventurës në Ligën e Kombeve, ku ylli i të kaltërve ishte protagonisti dhe heroi që dërgoi i vetëm Italinë në finalet për trofeun e kompeticionit. Gjithsesi, fytyra e tij naive fsheh pas saj totalisht gjë tjetër, duke qenë se “Raspa” ka treguar se golin e ka në gjak dhe me shumë mundësi skuadra e re që po rindërton Roberto Mançini do të sillet rreth tij.

NXËNËS EKSELENT

22-vjeçari është shumë kërkues te vetja dhe jo vetëm në fushën e lojës. Xhakomo Raspadori adhuron të lexojë, madje ai është i vetmi që është parë disa herë që të hyjë në dyert e Koverçanos, në rastet e grumbullimeve të epokës “Mançini” me libra në duar. Ndonjëherë shokët e tallin, por ai thjesht buzëqesh dhe ndërron faqen, pasi përveç se kërkon të përmirësohet në fushë, i pëlqen që të informohet dhe të studiojë.

RASPADORI 3

Impenjimet sportive dhe transferimi te Napoli në verë bënë që ai të ndryshonte shkollë, madje edhe degë, duke kaluar nga shkencat njerëzore, në një lice shkencor.

Kjo, sepse pas diplomës Raspadori ka vendosur që të profesionalizohet në Shkenca mjekësore, për fizionominë e trupit, një zgjedhje që mund të jetë e vlefshme pasi të lërë futbollin dhe të vazhdojë të mbetet sërish brenda sportit. Xhakomo është një nxënës ekselence dhe pa dyshim që i tillë do të vazhdojë të jetë, ndonëse për Roberto Mançinin ekselenca e tij duhet të jetë në fushën e lojës, siç e tregoi me perlën e shënuar ndaj Anglisë.

HOBI I ËMBËLSIRAVE

Në të njëjtën kohë, sulmuesi i Napolit dhe i kombëtares së Italisë ka një dobësi për ëmbëlsirat. Këtë duket se e ka fituar nga e fejuara e tij, Eliza, gjithashtu një studente e shkencave, por në këtë rast të atyre të komunikimit dhe medias dixhitale. Të dy janë shpesh aktivë në rrjetet sociale, teksa tregojnë gatimet e tyre, sidomos të kekërave të ndryshëm që mund të konsumohen për mëngjes. Shkurt, Raspadori, edhe pas futbollit e ka të sigurt një profesion si pjesë e ndonjë stafi mjekësor, apo pse jo, edhe në kulinarinë e gatimeve të ëmbla…

Përgatiti: JETON STAMOLLA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"