Raporti UEFA, si financohet futbolli shqiptar nga bastet, lidhjet me politikën dhe te dënuarit për drogë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 17, 2018 | 9:17

Raporti UEFA, si financohet futbolli shqiptar nga bastet, lidhjet me politikën dhe te dënuarit për drogë

Raporti prej 93 faqesh i Organit të Kontrollit, Etikës dhe Disiplinimit të organizatës europiane të futbollit UEFA paraqet një hetim të thelluar mbi manipulimet e ndeshjeve të Skënderbeut të Korçës për qëllim vënien e basteve sportive si dhe për lidhjet mes futbollit, politikës, industrisë së basteve në Shqipëri dhe nëpër botë si dhe personave me dënime penale në trafikun ndërkombëtar të drogës.

Skenderbeu-Dinamo-Kiev1

Raporti, i cili u publikua në internet të premten, ngre akuza të rënda jo thjeshtë ndaj skuadrës së Skënderbeut, por edhe për ish-ministrin e Financave Ridvan Bode, i cili akuzohet se ka kërcënuar një trajner duke i kërkuar të humbasë ndeshjen, për presidentin aktual, biznesmenin Ardjan Takaj, ish presidentin Agim Zeqo, gjithashtu biznesmen, si dhe për një numër të madh lojtarësh, trajnerësh e personazhe të tjera të sportit dhe biznesit në Shqipëri.

Pas publikimit të raportit të premten në mëngjes, UEFA bëri edhe një deklaratë të jashtëzakonshme për shtyp, në të cilën njoftoi se inspektorët e saj patën marrë kërcënime me vdekje nga burime anonime.

“Sot, Inspektorët Disiplinarë të UEFA-s që punojnë mbi këtë rast kanë marrë kërcënime anonime me vdekje, të cilat supozohet se synojnë t’i frikësojnë ata që të ndalojnë të kryejnë punën e tyre,” thuhet në njoftimin e publikuar mbrëmjen e së premtes. “Këto kërcënime nuk do t’ia dalin dhe policia është informuar,” vijon deklarata e UEFA-s.

Pyetur nga BIRN, Ridvan Bode, i cili ka drejtuar Ministrinë e Financave në vitin 1996 si dhe në vitet 2005-2013, i hodhi poshtë akuzat si thashetheme.

“Janë të njëjtat thashetheme të dy viteve më parë. Një qëndrim publik e kam mbajtur atëherë”, tha Bode duke iu referuar një deklarate të vitit 2016, ku ka hedhur poshtë në tërësi akuzat.

BIRN nuk arriti të kontaktojë biznesmenët Takaj dhe Zeqo.

Skuadra e futbollit Skënderbeu, e cila ka fituar kampionatin shqiptar të futbollit rregullisht që nga viti 2011, mohoi që skuadra apo drejtuesit e saj të kenë lidhje me kërcënimet.

“Duke marrë shkas nga lajmi i publikuar së fundmi në portalin e UEFA-s, Klubi i Futbollit ‘Skënderbeu’ mohon kategorikisht dyshimet dhe akuzat se persona të lidhur me klubin kanë kërcënuar me jetë inspektorët e organizatës europiane të futbollit,” shkroi Skënderbeu në faqen e saj zyrtare në Facebook.

Raporti në tërësi akuzon një pjesë të lojtarëve, të trajnerëve dhe financuesve të Skënderbeut se kanë manipuluar së paku 53 ndeshje të kampionatit shqiptar, të garave europiane si dhe ndeshje të ndryshme miqësore, me synimin për të fiksuar paraprakisht rezultatet dhe për të vënë baste mbi rezultate të sigurta.

“Para se të prezantojmë natyrën e aktivitetit të fiksimit të ndeshjeve nga Skënderbeu përgjatë shtatë viteve të shkuara, është e rëndësishme të përmbledhim shkurtimisht historinë e hierarkisë së klubit dhe lidhjet e brendshme dhe të jashtme mes futbollit, politikës dhe krimit të lidhura me të”, shkruhet në raport, para se të shpjegohen lidhjet mes asaj që është pak a shumë, elita e biznesit, e futbollit dhe në disa raste, e krimit të Shqipërisë me industrinë e basteve sportive.

Nën akuzë janë disa lojtarë, të cilët analiza statistikore dhe teknike i ka nxjerrë si përgjegjës për fiksimin e rezultateve të ndeshjeve. Portieri, Orges Shehi, ish lojtari Renato Arapi që luajti për gjashtë sezone me Skënderbeun, mbrojtësi Tefik Osmani e të tjerë akuzohen se kanë qenë pjesë e skemave për fiksimin e rezultateve bashkë me presidentin Takaj, bashkë me ish-trajnerin . Organi i UEFA-s ofron si argumente mbështetëse faktin që skuadrat e futbollit në Shqipëri drejtohen ose janë të lidhura ngushtë me biznesmenë me aktivitet në fushën e basteve sportive si dhe për faktin se presidentët e skuadrave të ndeshjeve të dyshuara si të manipuluara, janë gjithashtu të lidhur me njëri-tjetrin në biznes apo në politikë. Raporti rendit lidhjet e Takajt me gjashtë kompani bastesh, përfshirë EuroBest, Star Bet, Top-Bast, SBObet, Baste-Live dhe Super Bast. Raporti vëren se presidenti i Skënderbeut Takaj është bashkëaksioner në kompaninë e basteve Star Bet me presidentin e Partizanit, biznesmenin Gazmend Demi.

Një ndeshje mes Partizanit dhe Skënderbeut e luajtur më 11 shtator 2014 u kap nga sistemi statistikor i UEFA-s si dhe nga një sistem statistikor tjetër i njohur si Starlizard, si ndeshje me “Probabilitet të Lartë Manipulimi”.

Raporti thekson gjithashtu lidhjet e ngushta mes politikës dhe presidentët e skuadrave të tjera.

“Ridvan Bode raportohet se ka gjithashtu marrëdhënie të ngushta me klube të tjera në Shqipëri. Ai është mik i mirë dhe donator kryesor i KS Shkumbinit, Dashnor Sula. Që të dy janë anëtarë të Partisë Demokratike”, thuhet në raport.

“Nuk vjen për surprizë që BFDS ka përshkallëzuar shumë ndeshje të Skënderbeut me një shkallë të lartë gjasash për manipulim ku përfshihen klube që kanë qenë ose nën presion nga z. Bode (Dinamo e Tiranës) ose të kontrolluar nga miqtë dhe kolegët e tij (KS Shkumbini). Kjo, bashkë me perceptimin tashmë famëkeq publik si fiksues ndeshjesh provon se ai është pjesë integrale e skemës së Skënderbeut,” vijon më tej raporti.

Ish-ministri demokrat i Financave i ka mohuar akuzat në mënyrë të prerë në një deklaratë të vitit 2016.

“Nuk kam qenë asnjëherë financues, donator apo anëtar bordi në asnjë organizim shoqëror, kulturor apo sportiv në Shqipëri apo jashtë saj,” deklaroi ai në atë kohë.

Bode akuzohet gjithashtu se ka kërcënuar ish-trajnerin Dinamos Luis Manuel Blanco gjatë një ndeshjeje mes Skënderbeut dhe Dinamos më 2011. Blanco ka dëshmuar para inspektorëve duke thënë se Bode i është drejtuar atij me këto fjalë: “Nëse ti na prish pushimet, unë do të të shkatërroj. Ai më kërkoi kur u ktheva për pjesën e dytë, skuadra jonë duhej të humbte. Unë nuk i besoja syve. Ishte e tmerrshme.”

Bode e ka mohuar edhe këtë akuzë më 2016. “Kurrë nuk jam takuar apo biseduar për ndeshje apo rezultate me presidentë, trajnerë apo lojtarë të asnjë ekipi futbolli,” tha ai.

Inspektorët pranojnë se provat që ata kanë mbledhur për manipulimin e ndeshjeve janë të gjitha rrethanore dhe të marra veçmas, mund të ketë shpjegime të sinqerta për të gjitha rastësitë. “Por, të marra sëbashku, ato theksojnë fajësinë përtej çdo dyshimi të arsyeshëm”.

Skema e kompanive

Industria e bixhozit në Shqipëri realizon të ardhura që shkojnë deri në 150 milionë euro në vit, nga të cilat, një pjesë e madhe i përkasin basteve sportive. Industria e basteve është e lidhur si donatore dhe në pronësi me disa nga skuadrat e futbollit.

Sipas raportit, një numër kompanish bastesh nga Shqipëria dhe nga Azia janë pjesë e skemës së vendosjes së basteve për ndeshjet e fiksuara.

Top Bast, një nga kompanitë më të mëdha të basteve sportive në Shqipëri me mbi 1 mijë pika bastesh në një vend me vetëm 2.8 milionë banorë, konsiderohet si kompania kyç në skemë. “Top-Bast është një kompani bastesh në Shqipëri dhe sponsor i Skënderbeut,” shkruhet në raport. Top-Bast ka shumë gjasa të jetë “maskë” për bastvënësin aziatik SBObet. Bastet e vëna në internet me Top-Bast mund të kanalizohen në tregun Aziatik të basteve përmes SBObet, rrjedhimisht duke krijuar të ardhura më të mëdha,” vijon raporti.

“Në 33 nga 5349 ndeshje UEFA ka identifikuar se SBObet ka qenë bastvënësi i parë që ka lëvizur koeficientet në një ndeshje të përshkallëzuar. Kjo tregon se ata që kanë akses te informacioni mbi ndeshjen e fiksuar dhe janë në gjendje të vendosin bastet e tyre e bëjnë këtë kryesisht përmes SBObet. Një kompani tjetër e quajtur 188bet ishte ajo që ‘lëvizi e para’ në 18 nga 21 ndeshjet e mbetura të përshkallëzuara, megjithëse në 9 nga këto ndeshje SBObet nuk po ofronte baste në kohë reale”.

“Përshkallëzimi” është termi i përdorur nga analizuesit e ndeshjeve të dyshimta kur koeficientët për të lëvizin në shkallë të konsiderueshme dhe të paarsyeshme.

Analiza e fluksit të basteve të vëna nga Shqipëria në kompaninë aziatike SBObet është kryer duke përdorur shërbimin Google Trend. Ky është një shërbim që tregon se për çfarë kërkojnë njerëzit më shumë në internet. Inspektorët vërejnë se megjithëse SBObet është një kompani bastesh në internet me bazë në Azi dhe aspak popullore në Europë, ajo është çuditërisht veçanërisht popullore në Shqipëri, dhe jo thjeshtë në Shqipëri, por veçanërisht popullore në Korçë, qyteti i Skënderbeut.

Përveç Top-Bast, inspektorët identifikojnë kompaninë tjetër të basteve I.T.S.G.A si sponsore e Skënderbeut përmes emrit Baste-Live. Kjo kompani jepet nga inspektorët si argument për lidhje të Skënderbeut me elementë të krimit të organizuar. Inspektorët vërejnë se kjo kompani është pjesërisht nën pronësinë e vëllezërve Gramoz e Besnik Murataj. Gramoz Murataj ishte dënuar nga një gjykatë italiane në vitin 2004 për trafik droge. Ai u arrestua në Vlorë në vitin 2013 me synimin e ekstradimit në Itali. Por para se gjykatat shqiptare të jepnin lejen e ekstradimit, ai u la në arrest shtëpie dhe iku në arrati para se të shpallej vendimi. Aktualisht është në kërkim.

“Lidhjet e provuara mes Gramoz Murataj dhe krimit të organizuar italian, krahas prezencës së opsioneve loguese në Italisht në faqet e internetit të Baste-Live, tregojnë se ka shumë gjasa që vëllezërit Murataj janë aktivisht të përfshirë në skemën e fiksimit të ndeshjeve të Skënderbeut,” shkruajnë inspektorët.

Sistemi alarmit

Sistemi i UEFA-s për Bastet dhe Mashtrimin, njohur në akronimin në anglisht BFDS, u krijua në vitin 2009 në përgjigje të rritjes së kërcënimit nga manipulimi i ndeshjeve si në ligat europiane ashtu edhe në ato kombëtare. Sistemi monitoron rreth 32 mijë ndeshje për sezon dhe është në gjendje të raportojë aktivitete të pazakonta në vënien e basteve sportive të një profili të caktuar në tregjet kryesore. Kompanitë e basteve ofrojnë koeficientë me të cilin gjetja e një rezultati shpërblen bastin fitues. Koeficientët janë në thelb një probabilitet matematikor nga i cili kompanitë e basteve fitojnë në shumicën dërrmuese të rasteve ndërsa lojtarët humbasin. Sa më i vogël të jetë probabiliteti për të fituar, aq më i lartë është koeficienti i ofruar dhe anasjelltas.

Sistemi BFDS është në gjendje të dallojë kur një numër bastesh del nga probabiliteti, fjala vjen, kur shumë baste njëherësh vihen për një rezultat me probabilitet të ulët, të tillë si: fitorja e një skuadre me mbi 2 gola apo përmbysja e rezultatit në fushë të huaj të njohur si 1×2. UEFA e kryen këtë analizë në bashkëpunim me kompaninë zvicerane të basteve Sportradar.

Kompanitë e basteve i monitorojnë edhe vetë në kohë reale flukset e basteve dhe zakonisht kur vërejnë flukse të pazakonta në një rezultat, fjala vjen, dikush vë një bast të majmë prej mijëra eurosh në rezultatin 1×2, atëherë kompania e basteve e ul menjëherë atë koeficient dhe ofron koeficientë më të ulët për skuadrën e dyshuar në të ardhmen. Në këtë mënyrë kompanitë e basteve janë në gjendje të faktorizojnë të gjitha rreziqet, përfshirë edhe rrezikun e fiksimit të rezultateve në çmimet e shitjeve të basteve.

Manipuluesit e ndeshjeve nuk mund të thuhet se kanë absolutisht çdo gjë në dorë. Në disa raste, pavarësisht manipulimit, rezultati zhgënjen ndërsa manipuluesit kanë nevojë të llogarisin edhe ata probabilitetet e rrezikut. Kështu, ndonëse një ndeshje është më e lehtë të manipulohet me një rezultat të thjeshtë, koeficientët për rezultate të tilla janë më të ulëta dhe përfitimet e manipuluesve janë gjithashtu të ulëta. Për të nxjerrë fitime të mëdha, rezultati duhet të manipulohet në mënyrë precize, fjala vjen, duke përcaktuar se njëra skuadër humbet me më shumë se sa dy gola. Por në këtë rast, bastet bien akoma më shumë në sy dhe mund të kapen nga sistemi.

Dhjetëra ndeshje të kapura

Gjithsej, 53 ndeshje të luajtura nga Skënderbeu klasifikohen si të dyshimta nga sistemi BFDS.

“Siç do ta demonstrojnë ekspertët në seancë para organeve disiplinore të UEFA, modelet statistikore dhe matematike të BFDS-së janë të sakta dhe do të konfirmojnë, në masë të konsiderueshme për panelin, se skuadra shqiptare Skënderbeu ka qenë vazhdimisht e përfshirë në aktivitete të fiksimit të ndeshjeve në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar përgjatë shtatë viteve të fundit,” shkruhet në raport.

Hetuesit e Skënderbeut nuk janë mjaftuar me marrjen e të dhënave nga sistemi i kontrollit. Ata ia dërguan këto të dhëna një paneli me tre ekspertë, profesorë të ekonomiksit dhe statistikës, për të vlerësuar secilin rezultat të kapur.

Ekspertët i vlerësuan në këtë mënyrë rezultatet:

“Shpërthime aktiviteti në kontekstin e tregut të basteve mund të kuptohen duke vrojtuar ndryshimet e pazakonta të probabiliteteve (njohur në shqip si koeficientë). Ndryshime të tilla shpesh sinjalizojnë flukse të larta të pazakonta parash, të cilat reflektojnë se bastvënës të caktuar besojnë se koeficientët e mëparshëm janë favorizues për ta; në disa raste kjo do të ndodhë për shkak se ata vetë kanë rregulluar që ndeshja të marrë një rrjedhë të caktuar. Ndryshimet (e koeficientëve) mund të vërehen gjithashtu në rastet kur organizuesit e basteve krijojnë opinionin se një ndeshje është subjekt manipulimi, për shembull ata mund të përgjigjen duke caktuar koeficientë në një nivel jotipik jokonkurrues. Për rrjedhojë, ndryshimet e koeficientëve tregojnë njëkohësisht diturinë si të bastvënësve ashtu edhe të kompanive dhe algoritmet që identifikojnë baste anormale të shtyjnë të mendosh se ka nevojë për hetime të mëtejshme”.

Kompania SportRadar grumbullon me frekuencë të lartë koeficientët e ofruar nga kompani të shumta bastesh në vende të ndryshme dhe sistemi i tyre dërgon një email sa herë që kompanitë e basteve i ndryshojnë koeficientët duke i çuar përtej një niveli të arsyeshëm. Analistët e kompanisë vendosin pas kësaj ta mbajnë nën monitorim atë ndeshje të caktuar për të cilën kanë ndryshuar në mënyrë të paarsyeshme koeficientët. Me raste, kompania dërgon për të ndjekur ndeshjen një agjent të vetin.

Duke filluar që nga viti 2010, sistemi identifikoi dhjetëra ndeshje të dyshimta. Ndeshja e parë e kapur nga sistemi ishte ajo mes Skënderbeut dhe Dinamo e luajtur më 13 nëntor 2010. Por për disa nga ndeshjet që pasuan, konkluzionet e BFDS-së ishin drastike. Për një ndeshje të luajtur mes Dinamos dhe Skënderbeut më 15 prill 2011, analistët shkruan: “Në tërësi, ka prova dërrmuese se kjo ndeshje u manipulua për qëllime bastesh, në një mënyrë precize dhe të orkestruar, me përfitime korruptive bastesh të gjeneruara”.

Për një ndeshje të luajtur më 16 tetor 2011 mes Skënderbeut dhe Kastriotit, konkluzioni ishte akoma më drastik: “Tiparet e basteve të kombinuara me elementë të tjerë të përfshirë në këtë raport përmbajnë indikacione të qarta se bastvënësit kishin dijeni paraprake për rezultatin dhe për golavarazhin”.

Analiza sportive

Përveç analizës statistikore të basteve, inspektorët kanë porositur tre trajnerë futbolli me eksperiencë për të kryer një analizë sportive dhe statistikore të sjelljes së lojtarëve në ndeshjet e dyshuara.

Të tre trajnerët analizuan ndeshjen përmes luhatjes në lojën e lojtarëve, para së gjithash, ritmin e lojës dhe ngadalësimin e saj, rastet e lejuara për të goditur portën në raport me mesataren e rasteve në ndeshje normale apo shpejtësinë me të cilin lojtarët qarkullojnë topin në rastin kur janë në disavantazh. Termi statistikor kyç në këtë analizë është outliers që do të thotë, një e dhënë statistikore që del shumë përtej të zakonshmes. Fjala vjen, nëse mesatarja e goditjeve në portë për një skuadër është 5 brenda një ndeshjeje ndërsa në një ndeshje të dyshuar goditet porta 10 herë brenda dhjetë minutave të fundit, atëherë kjo statistikë konsiderohet jashtë të zakonshmes ose outliers.

Paneli i ekspertëve doli në konkluzionin se ngjarje të tilla të pazakonta ndodhnin shpesh në ndeshjet e Skënderbeut. Në dy ndeshje, ajo kundër ‘Crusaders’ dhe ajo kundër ‘Sporting de Portugal,’ ecuria e ndeshjesh përshkruhet në këtë mënyrë:

“Duke marrë parasysh se Skënderbeu normalisht përballet me 4.59 goditje në portë mesatarisht brenda 90 minutave, atëherë përballja me 10 goditje brenda 6 minutave të fundit në ndeshjen kundër Crusaders është një fakt tërësisht i pazakontë.”

Paneli i ekspertëve analizoi edhe performancën individuale të lojtarëve të caktuar për të parë se si luanin ata zakonisht dhe se si luanin në ndeshjet e dyshuara.

“Të dhjetë minutat e fundit të ndeshjes janë thjeshtë të pabesueshme, të tmerrshme, me kaq shumë mundësi për të shënuar dhe një skuadër që përfundimisht ndaloi së luajturi me disa lojtarë që kishin sjellje të turpshme, absolutisht të pashqetësuar nga loja, duke mos vrapuar, duke mos u mbrojtur dhe në disa raste, duke mos e parë fare ndeshjen.”

Në lidhje me ndeshjen Sporting – Skënderbeu të luajtur më 25 tetor 2015, ekspertët u shprehën të tmerruar nga mënyra se si skuadra shqiptare, pasi luajti shumë mirë për pjesën më të madhe të lojës, hëngrën tre gola në pjesën e dytë. Ekspertët shprehin çudinë se si ndodhi që, pasi hëngrën dhe golin e pestë, Skënderbeu duket se e mori veten në dhjetë minutat e fundit, duke u mbrojtur më mirë duke kufizuar topat e lartë të kundërshtarëve dhe duke shfrytëzuar raste për kundërsulm.

“Megjithëse skuadra luajti si normale për shumicën e lojës, ata ishin të dytët më të mirët për pothuajse të gjithë kohën pavarësisht se po luanin me 10 lojtarë,” shkroi eksperti Michael Appleton në opinionin e tij. “Skënderbeu pati periudhën më të keqe në mes të gjysmës së dytë të lojës, gjë që mund të jetë e dyshimtë sepse ata lejuan 3 gola. Gjatë kësaj periudhe ata patën shumë pozicione jashtë loje dhe gjithashtu lëshuan topin me shumë pasime të këqija në zona të këqija….[…] Për 10 minutat e fundit, pasi hëngri pesë gola, Skënderbeu u përpoq të mbrohej më mirë sërish dhe punoi për të kufizuar topat e gjatë të kundërshtarit.”

Rasti flagrant i ndeshjes me ‘Crusaders’

Disa nga ndeshjet e dyshuara si të manipuluara nga Skënderbeu ranë aq shumë në sy sa kjo skuadër u bë e famshme në Shqipëri dhe nëpër botë. Raporti i inspektorëve jep një pasqyrë të kësaj fame. Skënderbeu pati fituar 4 me 1 në ndeshjen në Shqipëri dhe humbi 2 me 3 në ndeshjen e dytë. Renato Arapi dyshohet se qëllimisht bëri një faull për të marrë një karton të kuq që në minutën e dhjetë. Sipas raportit, kompanitë e basteve ndryshuan koeficientët pas të kuqes së Arapit por asnjë bast i çuditshëm nuk u regjistrua. Përkundrazi, Skënderbeu luajti mirë dhe shënoi dy gola duke pasur rezultat të përgjithshëm 6 me 2. Vetëm në minutën e 78 bastet reaguan në mënyrë të dhunshme. Koeficientët që statistikisht duhet të ishin 6 (dhjetë euro bast baraz me 60 euro fitim), në kompaninë e basteve Maxbet ra në 2.09.

“Sasi të mëdha parash, dhe ne flasim këtu për një minimum prej qindramijëra dollarësh, po vendoseshin në baste njëkohësisht duke kundërshtuar çdo logjikë normale bastesh”, shkruajnë inspektorët.

Në dhjetë minutat e fundit, Skënderbeu duket sikur humbi çdo interes për lojën. Ndërsa bastet rridhnin lumë, mbrojtja e Skënderbeut lejoi dy gola, ndërsa dy herë të tjera skuadra kundërshtare u zu në pozicion jashtë loje. Megjithëse lejoi të humbiste në mënyrën më të çuditshme të mundshme, Skënderbeu u kualifikua falë fitores 4 me 1 në ndeshjen e parë. Por ndërkohë për të gjithë u bë e qartë se ndeshja ishte e manipuluar.

Sean O’Neill, portieri i ‘Crusaders,’ shkroi në Tëitter pas ndeshjes: “Nëse nuk ka një hetim të UEFA-s në ndeshjen tonë sot, atëherë ka diçka të gabuar. 3.5 gola, ishte barsaletë. Dhjetë minutat e fundit, nuk kam parë kurrë futboll si ky”.

Sipas raportit, disa kompani të mëdha bastesh nga Azia e hoqën Skënderbeun nga listat e tyre.

Ndeshja tjetër shumë e dyshimtë ishte ajo e luajtur nga Skënderbeu kundër Dinamos së Zagrebitmë 25 gusht 2015. Dinamo e kishte fituar praktikisht kualifikimin pasi kishte fituar ndeshjen e parë 1 me 2 në fushë kundërshtare ndërsa shënoi një gol në pjesën e parë. Papritur, nga mesi i pjesës së dytë, kur rezultati i përgjithshëm ishte 3 me 1 për Dinamon dhe Skënderbeu nuk kishte shanse reale për kualifikim, bastet shpërthyen në opsionin se në ndeshje do të kishte akoma më shumë gola. Dinamo e Zagrebit po luante ndërkohë me një lojtar më pak dhe e kishte siguruar kualifikimin. Një lojë e ngadaltë ishte ajo që pritej. Sistemi BFDS identifikoi mundësinë që bastvënësit e dinin se së paku një gol tjetër do të shënohej.

“Me një lojtar në avantazh për klubin e tij, lojtari i Skënderbeut Renato Arapi reagoi shumë ngadalë ndaj një topi që u nis për drejt portës dhe pastaj hoqi dorë tërësisht nga ndjekja e kundërshtarit,” shkruhet në raport.

“Portieri Orges Shehi u soll gjithashtu në mënyrë shumë të dyshimtë në këtë aksion të ndeshjes, duke vendosur të ruajë vijën e portës në vend që të mbyllte këndin.”

Rasti i tretë flagrant ishte ‘Sporting’ kundër Skënderbeut. Në minutën e 24 të lojës, Hamdi Salihi, i cili është gjithashtu futbollist i kombëtares, doli nga loja pasi mori një të verdhë të dytë për shkak të prekjes së një topi me dorë. Inspektorët e konsideruan episodin një shembull tjetër të neverisë që Skënderbeu ka për sportin e pastër.

“Duhet të theksohet se ky veprim ndodhi kur Skënderbeu ishte në sulm dhe jo në një goditje drejt këndit për mbrojtje. Ai ishte më pak se 10 metra larg dhe drejtpërsëdrejti në sytë e arbitit anësor, duke konfirmuar më tej kryerjen e qëllimtë të faullit për të dalë me të kuqe,” shkruhet në raport.

Skënderbeu shkaktoi edhe dy faulla për penallti ndërsa inspektorët thonë se golat e pësuar në këtë mënyrë i dhanë mundësi asaj të bënte para me bastet më të paimagjinueshme, atë të shënimit të gjashtë golave. Shumë vonë në lojë, ndërsa Sporting udhëhiqte 4 me 0, një sasi e madhe bastesh filluan të vihen. Kur Skënderbeu hëngri golin e pestë, akoma më shumë baste të palogjikshme u vunë në shkallë botërore.

“Bastet ishin në fakt kaq të pazakonta, të palogjikshme dhe të manipuluara, sa një kompani e njohur Aziatike vendosi të heqë nga tregu i ndeshjeve bazë këtë ndeshje para se ajo të përfundonte,” vërejtën inspektorët.

Gjergj Erebara/ BIRN

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"