Ramadani në rolin e psikologut, terapi antistres futbollistëve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 16, 2016 | 9:42

Ramadani në rolin e psikologut, terapi antistres futbollistëve

Humbja përballë Laçit në kampionat ka lënë shije të hidhur në kampin vlonjat. Për të mbajtur ekipin larg presionit, trajneri Zekerija Ramadani ka bërë dje psikologun.

ramadani curriPërpara seancës stërvitore, ai ka këshilluar lojtarët që të kenë vetëbesim në ndeshjen e Kupës së Shqipërisë. Ramadani u ka bërë futbollistëve pak minuta terapi antistres, duke u thënë se presioni është i dëmshëm.

“Ju mungon vetëbesimi në fushë. Këtë gjë e treguat në ndeshjen me Laçin. Por këtë nuk e shoh në stërvitje, këtu paraqiteni ndryshe. Duhet të jeni sa më të qetë në ndeshjen me Tiranën.

Zbatoni me përpikmëri të gjitha detyrat dhe ushtrimet që bëjmë së bashku. Kërkoj nga ju qetësi, vetëbesim dhe seriozitet.

Ju e dini se sa e rëndësishme është kjo përballje për ne, ndaj me qetësi dhe siguri në vetvete mund të arrijmë së bashku objektivin”, mësohet t’u ketë thënë trajneri futbollistëve. Ky i fundit, pas ndeshjes me Laçin, ka marrë përsipër të gjitha përgjegjësitë për humbjen, duke synuar që t’u heqë futbollistëve barrën e përgjegjësisë.

Lojtarët

Pas fjalës së trajnerit, lojtarët kanë premtuar se do të bëjnë më të mirën në sfidën e Kupës ndaj Tiranës

. Futbollistët e dinë fare mirë rëndësinë e kësaj ndeshjeje, e cila për të gjithë cilësohet si finale, por edhe si një biletë për ekipin që, në rast të fitores së këtij kompeticioni, të përfaqësohet në Europë.

Idrizi

Administratori Sinan Idrizi mësohet se nuk do t’i kërkojë ekipit të tij kualifikimin në gjysmëfinalen e Kupës me çdo kusht. Një gjë të tillë mësohet se Idrizi e ka shprehur gjatë një takimi me bashkëpunëtorët e tij.

“Të gjithë e dimë se sa e rëndësishme është ndeshja me Tiranën për objektivat, por edhe për të kthyer qetësinë pas problemeve që patëm. Por ekipi nuk duhet që të jetë nën presion. Ta mbajmë skuadrën sa më të qetë dhe sa më larg presionit”, ka thënë Idrizi, i cili edhe më herët ka bërë me dije se ka mbetur i kënaqur nga paraqitja e ekipit të tij.

Përgatiti: ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"