Ramadani: Ndaj Elbasanit nuk duhet të jemi në gjumë, në Vlorë marrim pikë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 27, 2017 | 10:56

Ramadani: Ndaj Elbasanit nuk duhet të jemi në gjumë, në Vlorë marrim pikë

Luftëtari pret sot në stadiumin “Gjirokastra” Elbasanin, në kuadër të ndeshjes së kthimit për turin e parë të Kupës së Shqipërisë. Fitorja 3-0 e arritur në Elbasan nuk lë vend për çudira, por Behar Ramadani mundohet që t’i japë rëndësinë e duhur kësaj sfide.

behar ramadani

Në deklaratën e dhënë për “Panorama Sport”, ai shprehet: “Është mundësia e të gjithëve për të dhënë më të mirën për ngjyrat e ekipit. Fitorja e arritur në Elbasan nuk duhet të na vërë në gjumë, përkundrazi. Na mbetet për detyrë që të tregojmë se ne jemi Luftëtari”. Shkodrani i bën analizë edhe kampionatit, ndërsa në tri javë kanë grumbulluar 4 pikë.

“Ndaj Vllaznisë duhet të kishim bërë më shumë, nisur nga faktori fushë. Unë jam shkodran dhe krenohem për këtë. Por, si futbollist profesionist e shoh veten te Luftëtari dhe si tillë për këtë skuadër sakrifikoj gjithçka. Rezultati tregoi edhe një herë se Vllaznia dhe Luftëtari meritojnë më shumë vlerësim dhe konsideratë për skeptikët”, u shpreh mesfushori.

Këtë fundjavë, gjirokastritët do të udhëtojnë drejt Vlorës. Një ndeshje delikate, prej së cilës pritet vetëm maksimumi i pikëve.

“Është një ndeshje delikate që do përqendrim maksimal. Vlora, pavarësisht se është një fushë që ka presion, të lejon të luash futboll. Ne po përgatitemi që të marrim rezultat pozitiv atje, pa harruar dhe kualifikimin në Kupë që e kemi detyrë shtëpie. Flamurtari është një ekip i mirorganizuar, vjen pas një fitoreje në Durrës, por kjo nuk na i zbeh mundësitë që të dalim me pikë nga kjo ndeshje.

Po rritemi nga ndeshja në ndeshje dhe besoj shumë te forcat tona si ekip. Flamurtari është e vetmja skuadër që sezonin e fundit na ka marrë 12 pikë, por kjo s’do të thotë se historia do të përsëritet”, përfundoi Ramadani. Sakaq, nën urdhrat e stafit teknik, nuk është Kristal Abazaj, i cili po kryen fizioterapi në kryeqytet. Megjithatë, lajme të mira ka për të, pasi do të jetë gati për Flamurtarin.

TOMOR SHEHU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"