Ramadani: Me uruguaianët mezi kuptoheshim në stërvitje, tani argëtohemi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 10, 2017 | 12:57

Ramadani: Me uruguaianët mezi kuptoheshim në stërvitje, tani argëtohemi

Behar Ramadani, i cili mbas dëmtimit që e la pushim disa javë, është kthyer në formën më të mirë sportive, çka e tregoi në ndeshjet e aktivizuara. Në ndeshjen me Lushnjën u cilësua si lojtari më i mirë në fushë midis të dyja ekipeve dhe ajo që duhet përmendur është se tashmë po merr rolin e futbollistit organizator.

behar ramadani

RAMADANI

Për gazetën “Panorama Sport”, mesfushori Behar Ramdani shprehet: “Është e vërtetë se në këtë fazë kemi grumbulluar më pak pikë, krahasuar me një vit më parë. Po kështu, duhej të kishim shënuar më shumë gola. Këto mangësi e kanë një shpjegim dhe për mendimin tim e filluam kampionatin të papërgatitur si duhet. Vonesa në kohë në grumbullim, por edhe cilësia e stërvitjes, bashkë me përgjegjësinë tonë në disa ndeshje, na pozicionuan në fundin e renditjes, e cila do të jetë e përkohshme.

Jo vetëm dy ndeshjet e radhës që do t’i luajmë në fushën tonë, por në vazhdim do të jemi edhe më rezultativë se në sezonin e kaluar. Mungesa e fitoreve në disa takime, që i konsideronim si të fituara, na krijuan një ngërç psikologjik. Të godasësh pesë herë shtyllat apo të shpërdorosh raste ideale për gol, nuk është e lehtë. Më parë harxhonim shumë kohë në stërvitje për t’u marrë vesh me njëri-tjetrin apo për të sqaruar ushtrimin që do të kryenim në procesin stërvitor me trajnerët e huaj.

Tani gjërat kanë ndryshuar për mirë dhe kjo është e dukshme në tri takimet e fundit. Stërvitja është më shumë funksionale dhe nuk është se po lavdëroj trajnerin H.Lika, por komunikimi i drejtë, na e bën më aktive stërvitjen. Ndaj Teutës do të kërkojmë fitoren, edhe si revansh për humbjen e fazës së parë.

E filluam kampionatin me këtë skuadër dhe ajo humbje ishte e pamerituar për ne. Tashmë, jemi shumë më të përgatitur, sepse kanë kaluar shumë javë që na kanë shërbyer për të korrigjuar të metat e konstatuara. Në fazën e dytë, në ndeshjen me Teutën kemi si objektiv të rikuperojmë pikët e humbura në fushën tonë dhe në përfundim të saj të kemi grumbulluar më shumë pikë se sa një vit më parë”, përfundon Behar Ramadani.

TOMOR SHEHU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"