Ramadani: Ëndrra ime është Kombëtarja A, Partizani do të kthehet aty ku e ka vendin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 4, 2017 | 19:23

Ramadani: Ëndrra ime është Kombëtarja A, Partizani do të kthehet aty ku e ka vendin

Fitorja e parë në kualifikueset e Europianit të 21-vjeçarëve, ndaj Islandës në transfertë duket se ia ka hapur oreksin Kombëtares Shpresa. Kuqezinjtë e trajnerit Alban Bushi do të rikthehen të luajnë sërish ndaj Islandës, kësaj herë në shtëpi, me shpresën për të marrë një tjetër fitore.

Ramadani

Në konferencën e zhvilluar për shtyp, ish-mesfushori i Partizanit ka treguar se objektivi kryesor i skuadrës është vendi i dytë në grup. 21-vjeçari veç të tjerave ka treguar se është tejet i lidhur me kampionatin shqiptar dhe shfaq besim se ish-skuadra e tij do ta kalojë momentin e vështirë.

Objektivat e Kombëtares Shpresa

“Prej fillimit të Europianit objektivi ishte vendi i dytë, ose vendi i parë. Kemi një ekip të mirë me një grup cilësor. Jemi paraqitur mjaft mirë, edhe pse në dy ndeshjet e para na ka munguar fati. Kemi lojtarë shumë të mirë në ekip që mund ti shërbejnë edhe Kombëtares A, por është trajneri që i merr vendimet. Ne do të mendojmë të hyjmë në çdo ndeshje për të fituar dhe për të arritur objektivat tonë.”

Ftesa për tifozët

“Islanda është favorite përpara nesh, por ne do të hyjmë në fushë që të japim maksimumin dhe të marrim rezultat. Gjithashtu i ftoj të gjithë tifozët të vijnë në stadium se janë forca jonë.”

Aventura me klubin e Veljes në Danimarkë

“Te skuadra ime Velje ndihem shumë mirë sepse kam gjetur trajnerin Sormani me të cilin kam punuar te Partizani. Më ka ndihmuar shumë të përshtatem me stilin e futbollit danez. Ëndrra ime është Kombëtarja A. Kemi zhvilluar ndeshje të mira dhe kemi pësuar vetëm një humbje. Objektivi ynë këtë vit është Superliga, sepse klubi ka bërë blerje të mëdha, ka investuar shumë dhe besoj se pas këtij sezoni do të ngjitemi mes më të mirëve.”

Interesi për kampionati shqiptar

“I kam ndjekur të gjitha ndeshjet e kampionatit shqiptar. Më vjen keq që Partizani është në këtë gjendje dhe besoj se do të kthehet shumë shpejt aty ku e ka vendin. Te Partizani kam kaluar një pjesë shumë të bukur të karrierës, kam luajtur në Ligën e Kampioneve dhe Ligën e Europës. Me djemtë kam kaluar gjithashtu mjaft mirë, dhe nuk mund të harroj vlerat e presidentit.”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"