Ramadani: Do të bëjmë atë që na thotë trajneri, për të ardhmen do diskutoj me Partizanin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 2, 2017 | 21:14

Ramadani: Do të bëjmë atë që na thotë trajneri, për të ardhmen do diskutoj me Partizanin

Mesfushori i kombëtares shqiptare U-21, Ylber Ramadani, në konferencën e sotme për shtyp, shprehu besimin e tij për rezultatet që mund të arrijnë kuqezinjtë gjatë kualifikueseve të Europianit. Ai gjithashtu foli për të ardhmen te Partizani, teksa u shpreh i hapur të diskutojë ndonjë ofertë që mund të mbërrijë në klub.

ramadani

Për miqësoren ndaj Francës

“Pikë së pari do të mendojmë vetëm për ndeshjen me Francën dhe më pas për kualifikuesen me Estoninë. Duhet të qasemi seriozisht me Francën dhe më pas të bëjmë analizën për Estoninë. Me Francën është një ndeshje mjaft e mirë, dihet kualiteti që ka kjo skuadër, por duhet të tregojmë edhe ne kualitetin tonë.”

Për kualifikueset e Europianit

“Do të hyjmë nga minuta e parë të bëjmë në fushë atë që do të na thotë trajneri. Rezultatin e di vetëm Zoti. Kemi një grup mjaft të mirë dhe jemi të rinj në moshë. Kemi lojtarë mjaft cilësorë, që luajnë në ekipe të mëdha dhe mendoj që do ia arrijmë qëllimit. Ne do hyjmë në çdo ndeshje për të luajtur dhe për të arritur objektivat tanë.”

Për të ardhmen

“Për momentin do të mendoj vetëm për Partizanin. Nëse paraqitet ndonjë ofertë do të ulem ta diskutoj me kryesinë e klubit dhe të shohim se çfarë do të ndodhë.”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"