Rakitiç refuzon çdo skuadër, do vetëm Juven. “Zonja” sakrifikon mesfushorin për kroatin e Barçës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 18, 2019 | 11:40

Rakitiç refuzon çdo skuadër, do vetëm Juven. “Zonja” sakrifikon mesfushorin për kroatin e Barçës

Megjithëse jo në mënyrë fort të dukshme, prej disa javësh Ivan Rakitiç manifeston dëshirën e tij për të pasur më shumë minutazh dhe konsideratë nga Barcelona. Mesfushori raportohet si shumë i shqetësuar për përdorimin e pakët që po i bën trajneri Valverde, sidomos në sezonin aktual, gjatë të cilit ai mezi ka grumbulluar 255 minuta në fushë. 

Rakitic.Barcellona.braccio.alto.2019.750x450

Statusi i tij brenda katalanasve është kthyer në shqetësim aq të madh, saqë nuk është mister që 31-vjeçari po pret merkaton e janarit për t’i dhënë një drejtim të ri karrierës së tij, e cila me shumë mundësi do të vazhdojë larg Barcelonës.

PRITSHMËRI

Nëse Rakitiç pret largimin, edhe Barcelona ka pritshmëritë e saj. Katalanasit nuk dëshirojnë të bëjnë favore ndaj asnjë ekipi që kërkon 31-vjeçari dhe, me sa duket, do të pranojnë të ulen në bisedime për oferta mbi 35 milionë euro. Qëllimi i Barçës për të shituar Rakitiçin kuptohet edhe nga fjalët e menaxherit të ekipit, Erik Abidal, i cili për “Mundo Deportivo” ka deklaruar: “Ivani e di që ndaj tij është marrë një vendim i natyrës sportive. Ai duhet ta kuptojë pozicionin e tij, sepse ne e kemi paralajmëruar”.

ivan-rakitic

OFERTA 

Deri tani interes për nënkampionin e botës kanë shfaqur disa klube angleze dhe Atletikoja e Madridit që është gati të ofrojë deri në 15 milionë euro. Lojtari nga ana e tij ka bërë zgjedhjen dhe, me sa duket, ajo është Juventusi, duke pranuar madje edhe një rrogë më të ulët nga 8 milionë euro që arkëton në Katalonjë.

Edhe bardhezinjtë kanë interes të madh për kroatin dhe kërkesës së Barçës për 35 milionë euro do t’i përgjigjen me shumën ekzakte, e cila synohet të përfitohet nga shitja e Emre Xhanit. Turku, i lënë jashtë listës së Champions-it, nuk e ka asimiluar vendimin e Mauricio Sarrit dhe në janar duket i destinuar të largohet. Boshllëku i tij do të plotësohet me Rakitiçin, që mund të shohë kështu të realizuar dëshirën për të luajtur krah Ronaldos e sidomos për të pasur më shumë konsideratë dhe minuta në një projekt të ri.

/PANORAMASPORT.AL/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"