Radas u hyn llogarive: Marrim 21 pikë dhe presim gabimet e rivalëve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 17, 2017 | 22:24

Radas u hyn llogarive: Marrim 21 pikë dhe presim gabimet e rivalëve

Skënderbeu vazhdon serinë e fitoreve, megjithatë mbetet sërish i treti. Në një situatë të tillë, natyrisht që me kalimin e javëve shpresat bëhen akoma më të vakëta për të mbrojtur titullin kampion, por jo për Marko Radasin. Mbrojtësi kroat, në një intervistë për “Panorama Sport”, ka folur për luftën drejt titullit dhe shanset që ka Skënderbeu për të dalë kampion, ndërsa nuk ka lënë pas edhe Kupën si një tjetër objektiv për këtë sezon.

Radas

Marko, edhe pse fituat ndaj Korabit, mbetët sërish të tretët…

Kur je në një pozitë të tillë, nuk mjafton vetëm që të fitosh ti, por duhet të presësh edhe nga të tjerët, pra nga gabimet e kundërshtarëve. Kemi bërë më së miri punën tonë, duke i fituar të dy takimet e para të fazës së katërt. Jemi në një moment ku duhet t’i marrim maksimumin çdo jave, pasi vetëm kështu mund të marrim titullin e radhës. Them se e kemi nisur mirë këtë fazë të fundit, por e rëndësishme është që të vazhdojmë kështu.

Tani keni dy transferta radhazi, në Laç dhe Gjirokastër. Të kalueshme?

Unë do të thosha që për Skënderbeun nuk ka më dilema apo paqartësi. Duhet t’i fitojmë të gjitha ndeshjet deri në fund, e përsëris. Nuk duhet të shohim më se çfarë ndeshjesh kemi përpara apo ku do të luajmë, thjesht duhet të hyjmë në fushë me idenë që të marrim tri pikët dhe kaq. Skënderbeu, për mendimin tim, e ka të gjithë potencialin e duhur për të marrë 21 pikë deri në finish.

Le të flasim hapur, besoni ende te titulli kampion?

Sigurisht që po, është normale. Nuk mund të dorëzohemi aq kollaj, pasi në fund të fundit ne jemi kampionët në fuqi dhe kjo është e vetmja gjë që duhet të bëjmë. Natyrisht që besimi duhet treguar me lojë të mirë në fushë dhe duke i fituar të gjitha ndeshjet. E nëse në fund do të shkonim në ndeshja direkte, atëherë kjo do të ishte arritje për ne.

A janë pak apo shumë 3 pikë diferencë?

Nuk do të thosha se janë pak apo janë shumë. Mund të jenë pak nëse ne e bëjmë si duhet punën tonë dhe nëse kundërshtarët gabojnë dhe nuk e mbajnë dot presionin. Mund të jenë shumë, nëse ne nuk bëjmë si duhet menaxhimin e këtyre shtatë ndeshjeve. E them këtë, pasi tashmë në këtë pikë kampionati nuk varet nga ne.

Një tjetër objektiv i Skënderbeut është edhe Kupa e Shqipërisë?

Natyrisht që po, jemi në gjysmëfinale dhe sigurisht që rezultati i ndeshjes së parë na jep kredite. Tashmë luhet “akti i dytë” dhe duhet të dimë të administrojmë avantazhin e krijuar. Do të jetë një ndeshje impenjative, por kam besim se do t’ia dalim me sukses. Jemi totalisht të përqendruar në këtë takim. Më pas do të mendojmë edhe për ndeshjen në kampionat kundër Laçit.

Lufta në dy fronte e dëmton ekipin?

Nuk mendoj kështu, për vetë faktin se kupa tashmë nuk ka shumë impenjime. Ne kemi grup të plotë që mund ta përballojë këtë ngarkesë. Prandaj unë jam i besimit që Skënderbeu kalon Teutën dhe fiton finalen e Kupës, por edhe titullin kampion, vijojmë të besojmë akoma shumë.

LAZI SARO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"