Radas “snobon” Partizanin për titullin: Të mos i japim kaq vëmendje, nuk janë vetëm ata në garë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 18, 2018 | 20:16

Radas “snobon” Partizanin për titullin: Të mos i japim kaq vëmendje, nuk janë vetëm ata në garë

Skënderbeu ka rigjetur qetësinë pas fitores me Flamurtarin. Duke përfituar edhe nga ndërprerja e kampionatit, korçarët kanë kohën e mjaftueshme për të menduar për Tiranën, takim prej të cilit presin vetëm fitoren. Nëse në fazën e parë nuk shkuan më larg se barazimi, tashmë nuk kanë ndërmend që të falin asnjë pikë. I këtij mendimi është edhe Marko Radas, i cili në një deklaratë të dhënë për “Panorama Sport” thekson se ka ardhur koha për vazhdimësi. Sipas kapitenit të bardhekuqve kjo është forma e vetme për të mos iu ndarë Partizanit dhe rimarrë kreun.

mala radas

“Ndaj Tiranës kërkojmë fitoren. Me patjetër duhet të vijojmë rezultatet pozitive. Synojmë që të ruajmë këtë ritëm, me të cilin kemi ecur deri më tani”, kështu e nisi fjalën e tij kroati. Kur pyetet për rivalitetin me Partizanin, ai thekson se gara është aq e fortë dhe se në këtë “luftë” nuk mund të përfshihen vetëm të kuqtë. “Kampionati është shumë i gjatë dhe si i tillë është i luftuar për shumë ekipe deri në fund. Për këtë arsye nuk mendoj se jemi vetëm ne dhe Partizani në garë, ndaj nuk kemi pse i japim kaq shumë vëmendje”, tha Radas, duke “snobuar” kryesuesit.

FLAMURTARI – Gjerësisht mbrojtësi u ndal te Flamurtari, duke analizuar edhe një herë atë fitore të rëndësishme. “Kur mposht një rival direkt, morali është më i lartë. Në të vërtetë fituam, por tani që ka kaluar kjo sfidë, mund të them se nuk ishte aq e lehtë. Flamurtari na vendosi jo pak në vështirësi. Ne bëmë maksimumin në fushë dhe ka qenë një ndeshje më e luftuar si fizikisht, ashtu edhe teknikisht, ndoshta më shumë se ndeshja e fazës së parë. Kjo tregon edhe një herë se ndeshjet kurrë nuk janë njësoj”, u shpreh 35-vjeçari.

Edhe pse fitoret në fund të krijojnë ankth pa fund, Radas mendon ndryshe. Sipas tij, ato janë dëshmi e karakterit të fortë një ekipi. “Flamurtari ishte i vendosur mirë në fushë në pjesën e parë, ndërsa ne vuajtëm në qarkullonim e topin. Kjo, edhe për shkak të agresivitetit të tyre. Në pjesën e dytë e bëmë më mirë dhe në fund u shpërblyem. Goli i shënuar në fund përtej vuajtjes dëshmon se jemi një ekip që nuk di të dorëzohet. Kjo të bën të ndihesh i sigurt për vijimësinë”, përfundoi kroati i Skënderbeut. Llazi Saro

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"