Radas: Pozitive që luajmë në kryeqytet, uroj që fusha…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 7, 2018 | 11:00

Radas: Pozitive që luajmë në kryeqytet, uroj që fusha…

Skënderbeu është gati për ndeshjen ndaj Laçit dhe për më tepër në gjendje të plotë. Rikthimi i kapitenit Marko Radas ka kompletuar akoma edhe më shumë ekipin, pas mungesës në ndeshjen e fundit. Pikërisht, kroati i Skënderbeut kërkon nga ky takim maksimumin e mundshëm dhe që ekipi të vijojë serinë pozitive. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, Radas shprehet se mosshtyrja e takimit ishte vendimi i duhur. Nga ana tjetër, ai kërkon fitoren në ndeshjen e sotme.

Radas

Ndaj Laçit do të luhet sot. Si e vlerësoni këtë vendim, ishte i duhuri apo do iu bënte mirë një pushim në mesjavë?

Për fat të mirë, ndeshja do të luhet dhe sigurisht që kjo është në të mirë të garës dhe në të mirën e të gjithëve. Ishte vendimi më i mirë i mundshëm, si për ne edhe për mbarëvajtjen e kampionatit që ky takim të luhej. Ne ishim gati dhe kishim nisur përgatitjet për Laçin. U vendos që do të luhet sot në Tiranë dhe jemi gati për këtë ndeshje.

Ka pasur shumë opinione rreth kësaj dileme. Ishte në favorin tuaj të luhej apo jo?

Jo, nuk mund të themi se ishte në favorin tonë, pasi ne kemi përgatitur një javë të plotë në lidhje me këtë ndeshje. Për më tepër, ne menjëherë pas fitores me Kastriotin u akomoduam në Durrës për vijimin e përgatitjeve. Të gjitha këto fakte tregojnë se ne e donim që ndeshja të luhej normalisht. Mbi të gjitha, nëse nuk do të luanim, do të prishnim mikrociklin javor, të cilin e kemi programuar dhe sigurisht që do të ishte një minus.

Ndeshja do të luhet në atë stadium ku ju fituat dy javë më parë me Partizanin. Do të ketë ndikim psikologjik te ju?

Sigurisht që do të jetë mirë, pasi fituam një ndeshje të rëndësishme në atë stadium. Por, për mendimin tim do të jetë pozitive që mbi të gjitha do të luhet në një stadium, që i mbush të gjitha pritshmëritë dhe ka standarde të mira. Kjo është më e rëndësishmja për ne. Plus kësaj, luhet në kryeqytet dhe atmosfera do të jetë e duhura.

Fakti që 20 orë para jush do të luajë Tirana me Kukësin, rrezikon të gjeni një fushë jo të përshtatshme?

Nuk e di, nuk jam në gjendje ta them këtë sepse do të aludonim. Është paksa e çuditshme që të luhen dy ndeshje brenda 24 orëve në një stadium, por më mirë kështu. Terreni në “Selman Stermasi” është i mirë dhe nuk besoj të sjellë probleme, për vetë faktin se nuk ka pasur reshje kohët e fundit dhe fusha duhet të jetë në gjendje të mirë. Gjithsesi është diçka që mbetet për t’u parë në momentin që do të zbresim në fushë.

Ndaj Laçit sa e vështirë do të jetë duke pasur parasysh se ju ka marrë pikë në Korçë?

Çdo ndeshje ka specifikën e vet, ndaj asnjë takim nuk i ngjan tjetrit. Për këtë nuk mund të bëjmë një paralelizëm mes takimit të luajtur në fazën e parë me këtë të kësaj jave. Përtej gjithçkaje mbetet një ndeshje e vështirë, që kërkon përqendrimin maksimal nga ana jonë. Kjo edhe për vetë faktin se Laçi është ekipi që na ka shënuar tre gola në dy takime, përfshi edhe atë të Superkupës në fillim të sezonit.

Nga sa e njihni kundërshtarin, cilat janë pikat e dobëta të tij dhe ku i druheni më shumë?

Laçi ka një ekip të fortë dhe me lojtarë të rinj, por shumë të talentuar që e bëjnë ekipin të jetë konstant në gjithë këto sezone. Është një ekip që e ka kthyer në traditë pjesëmarrjen në Europë dhe për këtë meriton respekt.

A jeni i gatshëm për këtë ndeshje?

Po për fat të mirë kam lënë pas problemet dhe jam gati që të luaj titullar për ekipin. Në fund të fundit mund të them se pas gjithë atyre energjive të harxhuara, kisha nevojë për pak pushim.

LLAZI SARO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"