Radas “pa dorashka”: Skënderbeu, favorit për titullin kampion

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 31, 2016 | 18:10

Radas “pa dorashka”: Skënderbeu, favorit për titullin kampion

Korçarët janë duke vijuar përgatitjet në prag të nisjes së sezonit dhe humbja me Kukësin në Superkupë është thjesht një kujtim i hidhur, të cilin Skënderbeu kërkon ta harrojë.

marko radasNjë gjë të tillë e ka bërë të ditur vetë mbrojtësi kroat Marko Radas, i cili në një prononcim të dhënë për gazetën ka vënë në dukje disa nga pikat ku sipas tij çaloi ekipi në atë takim.

Radas është ndalur më së shumti në udhëzimet që ka dhënë Agostineli pas ndeshjes duke rikujtuar edhe një herë se ishte vetëm një takim dhe nuk ka ndodhur fundi i botës.

Mbrojtësi veteran kërkon ta harrojë sa më parë atë humbje dhe premton se në kampionat do të jetë një tjetër muzikë. “Jemi pranë sezonit të ri dhe duhet të jemi sa më parë gati, për të nisur mbrojtjen e titullit. Është e vërtetë që humbja e trofeut të Superkupës na hutoi pak sepse ishim përgatitur mirë për ta fituar, por tashmë është diçka që kaloi.

Ishte thjesht një moment shpërqendrimi në fund të takimit ai që na e humbi atë ndeshje. Kërkonim të shënonim me çdo kusht dhe pësuam.

Pa dyshim që e kemi kuptuar se ku gabuam. Në momentin kur po sulmonim dhe po rrisnim presionin te kundërshtarët krijuam shumë hapësira mes mbrojtjes dhe mesfushës. U zgjatëm shumë si ekip dhe për pasojë kundërshtari na ndëshkoi.

Por kjo iku tashmë. Nuk kemi pse të mendojmë aq gjatë për një gjë që ka kaluar. Me të vërtetë Kukësi na mundi në këtë ndeshje por të jeni të bindur se Skënderbeu i kampionatit nuk do të jetë ky që patë me Kukësin. Në kampionat do të ndryshojë muzika e lojës sonë.

Do të jemi më agresivë dhe normalisht më të kujdesshëm për prapavijën. Prandaj nuk duhet të qajmë takimin me Kukësin”, deklaroi fillimisht Marko Radas.

Rivalët – Mbrojtësi kroat i Skënderbeut komentoi edhe rivalët e tij në kampionat duke vlerësuar edhe se kush do të jenë pretendentët kryesorë, por pa dyshim e shikon ekipin e tij një hap para kundërshtarëve dhe të denjë për të mbrojtur titullin.

“Skënderbeu ka ndryshuar nga viti i kaluar edhe në strategjinë e lojës dhe në përbërjen e ekipit. Por pa dyshim jemi po aq të fortë sa vitin e kaluar.

I kam parë edhe ekipet e tjera dhe sigurisht që nuk kemi asgjë më pak se ata. Madje jemi më të fortë dhe pretendentët kryesorë.

Kur je kampion në fuqi mbetesh ekipi për t’u mundur dhe normalisht i shikon në sy të gjithë dhe nuk i druhesh askujt. Këtë vit mendoj se do të jetë një kampionat i fortë, pasi shoh që edhe Tirana do të hyjë në luftë bashkë me Partizanin dhe Kukësin.

Por fillimisht të presim pesë javët e para të kampionatit para se të flasim për rivalë”, vijoi Radas. Kroati e mbylli prononcimin e tij me një batutë për mikun e vjetër, bashkëkombësin Pero Pejic që u rikthye te Kukësi.

“Rikthimi i Pejiçit pa dyshim është një vlerë e shtuar për kampionatin dhe për ekipin e Kukësit. Është një lojtar i fortë, gjahtar i golit dhe i vështirë për t’u ndalur. Megjithatë kur shkuam në Kroaci bashkë e paralajmërova se vetëm te Skënderbeu fitohet titulli kampion”, tha Radas.

LLAZI SARO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"