Radas-kroatëve: Nuk luajmë ndaj Realit! Dënimi i UEFA-s i çuditshëm, njësoj si ai për kapitenin e Dinamos

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 17, 2017 | 15:04

Radas-kroatëve: Nuk luajmë ndaj Realit! Dënimi i UEFA-s i çuditshëm, njësoj si ai për kapitenin e Dinamos

Marko Radas është një njohje e vjetër e Dinamos së Zagrebit dhe pa dyshim ka qenë lojtari më në qendër të vëmendjes ndër radhët e medias kroate. Në një intervistë për shtypin vendës, ai ka provokuar duke thënë se si ish-lojtar i Dinamos ka shumë respekt dhe pa dyshim që do të jetë e vështirë për korçarët, por, ndërkaq, ka qenë edhe ironik duke thënë se Dinamo e Zagrebit nuk është Reali i Madridit.

sudani radas

Marko, ç’do të thotë të rikthehesh sërish si kundërshtar në Zagreb?

Nuk po u besoja syve kur “peshkuam” në short sërish Dinamon e Zagrebit. Natyrisht, unë jam i lidhur shpirtërisht me këtë klub sepse kam qenë pjesë e tij, por tani u bënë shumë vite që jam larguar dhe pa dyshim që do të përpiqem të ndihmoj me sa mundem Skënderbeun.

Çfarë prisni nga kjo ndeshje?

Së pari, shpresoj të mos jetë “deja vu” e ndeshjes së dy viteve më parë. Dhe jam i bindur se nuk ka për të qenë e tillë. Skënderbeu është rritur ndjeshëm dhe mund të bëjë surprizën. Madje, edhe kur u hodh shorti, vura re se shokët e skuadrës nuk u emocionuan aq shumë sa dy vite më parë. E përjetuam ndryshe shortin e dy viteve më parë dhe asokohe Dinamo dukej më e frikshme.

Ju si mendoni, ishte short i lehtë apo i vështirë?

Duke marrë parasysh rrethanat, pra që mund të kishim përballë edhe Ajaksin, Fenerbahçen apo Krasnodarin, atëherë mendoj se ishte një short i mirë.

Cilët mendoni se janë lojtarët më të mirë të Dinamos?

Nuk ka asnjë sekret dhe nuk ka pse të jemi hipokritë. Mendoj se Sudani dhe Fernandez janë dy lojtarët më të rrezikshëm. Këtu nuk duhet të harrojmë edhe Ante Çoriç që është një futbollist klasi. Gjithsesi nuk janë si dy vite më parë sepse nuk është më Pjaca dhe Rogu, por gjithsesi Dinamo mbetet Dinamo…

Është interesante në fakt që Skënderbeu sezonin e kaluar u dënua nga UEFA të mos merrte pjesë në Europë për shkak të ndeshjeve të trukuara…

Më falni, por duhet ta korrigjoni pak. Nuk u dënuam për ndeshje të trukuara, por për DYSHIME se mund të kishim trukuar ndeshje. Është për të ardhur keq, por u dënuam vetëm mbi bazën e dyshimeve, pa asnjë provë. Nuk dua të ndalem shumë gjatë në këtë pikë, por a nuk e keni pyetur veten ndonjëherë se përse u dënuam vetëm 1 vit nëse do të kishim trukuar ndeshje?

Ju e dini që UEFA kur të dënon për trukime ndeshjesh, të flak nga Europa për një kohë të gjatë dhe jo vetëm për një vit. Kishte shumë gjëra të çuditshme tek ai vendim i UEFA-s. Ishte njësoj si me kapitenin e Dinamos, Arian Ademin. Edhe ai u dënua për dyshime se ishte dopuar, por nuk u provua kurrë. Janë disa vendime të çuditshme apo jo…?

Sa për qind shanse ka Skënderbeu për ta eliminuar Dinamon?

Nuk mund të flasim me saktësi në futboll dhe është e vështirë të thuash se çfarë do të ndodhë. Nëse përdorim logjikën, unë mund të them se shanset janë 70-30 ose 60-40 për qind për Dinamon. Por gjithsesi ne do të tentojmë deri në fund se fundja Dinamo nuk është Reali i Madridit…

Si u ndiet kur luajtët para dy vitesh në stadiumin “Maksimir” kundër Dinamos së Zagrebit?

U emocionova pa masë. Momenti më prekës ishte ai kur dola në nxehmje dhe tifozët nisën të këndonin “Mirëserdhe Radas…”. U emocionova pa masë.

LLAZI SARO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"