Radas: Do luajmë për milionat në Europë, jam pranë rinovimit me Skënderbeun

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 5, 2017 | 20:29

Radas: Do luajmë për milionat në Europë, jam pranë rinovimit me Skënderbeun

Pavarësisht se Skënderbeu nuk ka asnjë shpresë për të shkuar më tej në Europa Ligë, fakti që skuadra mund të përfitojë financiarisht nga ndeshja e fundit në grupin B, i motivon lojtarët që të bëjnë një paraqitje dinjitoze ndaj Jang Bojsit.

I këtij mendimi është edhe Marko Radas, i cili në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport”, kërkon maksimumin edhe nga ky takim i fundit në Europë për ta mbyllur me sukses këtë kapitull dhe më pas të jenë të qetë për rrugëtimin e tyre në Kategorinë Superiore. Lojtari, gjithashtu e konfirmon për gazetën, se është pranë rinovimit edhe për 1 sezon tjetër me korçarët, dhe se nuk ka ndërmend të marrë ndonjë rol drejtuesi në ekip.

radas

Pavarësisht se do të luajnë në transfertë me ekipin zvicerian, Radas është besimplotë se Skënderbeu i ka të gjitha mundësitë që të marrë rezultat pozitiv nga kjo ndeshje dhe nuk e sheh ekipin aspak inferior në këtë përballje. “Europa luan ndeshjen e fundit për këtë sezon dhe ecuria jonë është drejt fundit. Pavarësisht se nuk arritëm të kualifikoheshim në vendin e dytë, sërish mbetet edhe një ndeshje ku duhet të bëjmë mirë. Këtë e them me bindje, pasi nuk kemi pse të heqim dorë nga diçka që na ka dhënë një eksperiencë të mirë. Luhen ende financa në këtë ndeshje dhe për këtë duhet të tregohemi seriozë dhe mbi të gjitha të konfirmojmë veten tonë. Kapja e vendit të tretë në grup është objektivi që ka mbetur.

Ndaj Jang Bojs, pavarësisht se është një nga ekipet më të mira në Zvicër, ne kemi treguar se nuk jemi aspak inferior dhe duhet të rikonfirmojmë atë paraqitje që bëmë në ndeshjen e parë të luajtur në Elbasan. Kjo edhe për të shlyer atë gabim në fund të ndeshjes që tani mund të na kishte kualifikuar si ekipi i dytë i grupit. Për këtë do të jemi të përqendruar deri në fund dhe të japim maksimumin që kemi. Ka qenë një eksperiencë e bukur, prandaj na takon ta mbyllim në mënyrën më të mirë të mundshme. E them këtë, pasi ky ekip i ka mundësitë të fitojë në Bernë”, ka thënë Radas.

Radas

KAMPIONATI – Më tej, numri 33 i mbrojtjes së Skënderbeut u ndal edhe tek objektivi kryesor i Skënderbeut që është kampionati, me qëllimin për të rikthyer sërish titullin në Korçë. Për kroatin, ecuria deri tani ka qenë mjaft e mirë, ndërsa me më shumë ditë në dispozicion për të përgatitur ndeshjen e radhës, rrezikshmëria e Skënderbeut përballë kundërshtarëve sipas tij do të vijë në rritje.

“Me fundin e Europës, gjithçka mbetet që të fokusohemi te kampionati që është edhe objektivi jonë primar për këtë sezon. Me qëllimin që të kthejmë titullin atje ku i takon, kemi bërë një start mjaft të mirë dhe duhet të mbajmë këtë ritëm. 8 pikë diferencë nuk janë shumë, pasi një shpërqendrim i vogël do të ishte i dëmshëm. Por kjo s’ka për të ndodhur. Tani që do të mbyllim një kompeticion impenjativ do të kemi më shumë kohë për të përgatitur ndeshjet e kampionatit dhe do të jemi më të frikshëm.

E them këtë, pasi në Europë shkohet nga kampionati dhe atje është objektivi jonë primar. Vitin tjetër duam grupet e Champions-it, pasi Europa Ligë po na del nga qejfi”, ka mbyllur me batutë prononcimin e tij veteran i mbrojtjes bardhekuqe Marko Radas, që vijon të jetë një nga pikat më të forta të Skënderbeut, duke dhënë siguri në prapavijë.

LLAZI SARO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"