Radas dhe Vangjeli sakrificë për Skënderbeun, gati edhe 3 rikthime të tjera

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 14, 2018 | 17:01

Radas dhe Vangjeli sakrificë për Skënderbeun, gati edhe 3 rikthime të tjera

Marko Radas dhe Kristi Vangjeli bëjnë prapakthehu. Mbrojtësit janë rikthyer zyrtarisht në Korçë, duke i ofruar besnikëri klubit. Një zgjedhje zemre dhe plot sakrificë, pasi duhet thënë që pranuan që të luajnë në një ekip që nuk mund të marrë pjesë në Europë dhe për më tepër kur e ardhmja është e pasigurt dhe e varur e gjitha prej KAS-it. I pari që hapi rrugën e rikthimeve të mëdha ishte kapiteni Marko Radas.

Skenderbeu kapiteni

Por nuk kaloi shumë dhe atë e pasoi Kristi Vangjeli. Pasditen e djeshme u pa në ambientet e klubit edhe korçari. Pas bisedimeve të zgjatura me Ardjan Takajn, mbrojtësi ka vendosur që të rikthehet te Skënderbeu. Ai ka filluar që dje vrapimet në fushë, ndërsa pritet që ditën e sotme t’i bashkohet edhe grupit. Në të tilla kushte, Skënderbeu duket se po merr formë dhe ndoshta do të pasohet me afrime të tjera.

TË TJERËT – Me shumë interes pritet edhe përgjigjja e Tefik Osmanit, Gjergji Muzakës apo Gledi Micit, të cilët ka të ngjarë që të mbeten bardhekuq. Mesfushori fierak nuk po gjen dot sistemim jashtë vendit. Tratativat me Netanian duket se nuk kanë shkuar ashtu si priteshin dhe lojtari po mendon që të vijojë karrierën në Shqipëri. Dhe Skënderbeu mbetet një nga opsionet më të mira për të luajtur.

gledi mici

Burime të sigurta për “Panorama Sport” tregojnë se Gledi Mici është duke kërkuar shtëpi në Korçë. Ai ka telefonuar miqtë e tij për të gjetur banesë komode dhe kjo të le të mendosh se fieraku e ka vendosur që do të jetë pjesë e skuadrës që drejtohet prej Orges Shehit. Të njëjtin diskutim janë duke bërë edhe Osmani e Muzaka, që pas bisedave me kreun e klubit dhe kontakteve të vazhdueshme me trajnerin po mendojnë seriozisht të kthehen në Korçë.

Duket se veç financave, lojtarët i mbante pezull edhe mungesa e shokëve të ekipit me eksperiencë, por tani që ata pranuan të jenë pjesë e Skënderbeut, kemi parasysh këtu Marko Radasin dhe Kristi Vangjelin, edhe të tjerët nuk kanë më motiv të thonë “jo”.

LLAZI SARO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"