Raçiç hero, Partizani e bën festë në Kukës. Shaqiri: E pafalshme, humbëm shumë raste

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 15, 2014 | 22:30

Raçiç hero, Partizani e bën festë në Kukës. Shaqiri: E pafalshme, humbëm shumë raste

Kukesi-Partizani 0-1, Racic ka shenuarKUKËSI-PARTIZANI 0-1
GOLAT: Raçiç 88′
KUKËSI: Halili, Malota, Dushku, Smajli, Hallaçi (Gvozdenoviç 90′), Musolli, Dosti (Allmuça 67′), Zeqiri, Lushtaku, Hysa, Pejiç (Hasani 46′). (Në dispozicion: Koci, Brahja, Xheferson, Periç). Trajner: A.Shaqiri
PARTIZANI: Hoxha, Fejzullahu, Rrahmani, Vrapi, Cuculi, Batha, Trashi, Vila (Nexhipi 81′), Mazrekaj (Mustafa 70′), Raçiç, Shabani (Fazliu 32′). (Në dispozicion: Xhika, Dishliev, Daja, Osmanaj). Trajner: Sh.Duro
KARTONË TË VERDHË: Malota 87′, Dushku 63′, Smajli 45′, Lushtaku 60′ / Fejzullahu 26′, Raçiç 45′, Nexhipi 93′, Fazliu 41′
DELEGAT: Myrteza Allkja (Elbasan)
VËZHGUES: Elton Lita (Tiranë)
GJYQTARET: L.Jemini, E.Barushi, G.Qirici (Tiranë)

MINUTAT
18′ Kukësi shfaqet rrezikshëm në portën e Partizanit. Lushtaku del fitimtar përballë mbrojtjes së kuqe dhe gjuan, por topi përplaset me portierin Alban Hoxha dhe përfundon në traversë dhe më pas largohet.
19′ Hysa triblon bukur afër zonës së rreptësisë dhe pason shpejt për Pejiçin, i cili gjendet këtë herë në pozicion jashtë loje.
24′ Shtatshkurtri Hysa i rrëmben topin njërit prej lojtarëve të Partizanit dhe gjuan drejt trekëndëshit, por Hoxha bën mrekullinë duke e devijuar me vështirësi në goditje këndi.
28′ Musolli fiton dyluftimin me Vilën dhe menjëherë preferon të gjuajë kuadratin, por topi përfundon jashtë.
42′ Zeqiri në pozicion të prirët me portën gjuan, por topi shkon drejtpërdrejt në duart e Alban Hoxhës.
45′ Smajli provon nga distanca, por portieri Hoxha tregohet i gatshëm dhe pret në kohë.
50′ Musolli kërkon të zërë në befasi Partizanin, gjuan tokas, por jashtë.
58′ Topi largohet nga mbrojtja e të kuqve dhe përfundon në mesfushë te Hallaçi, i cili nuk mendohet, por gjuan nga rreth 50 metra, ndërsa sfera përfundon ngjitur me shtyllën e majtë pingule të portës.
64′ Cuculi dërgon topin në zonë, por nuk ndodhet asnjë prej lojtarëve të kuq që ta dërgojnë atë drejt kuadratit.
71′ Vila sheh hapësirë të lirë drejt portës, gjuan, por jashtë.
84′ Top i ardhur nga goditja e këndit te Batha, i cili gjuan drejt kuadratit, por largohet sërish në këndore.
88′ Partizani fiton një goditje dënimi pranë zonës. Disa lojtarë duan ta gjuajnë këtë goditje standarde. Por trajneri ka vendosur që topin ta gjuajë sulmuesi Raçiç. Në pozicion ballor me portën, gjuan serbi në mënyrë të prirët dhe shënon gol, 0-1 për Partizanin.
89′ Hallaçi merr krahun nga e majta dhe kur i afrohet zonës, jep një top në formë krosi për Lushtakun, i cili nuk gjuan saktë dhe topi përfundon jashtë.

Lojë me dy fytyra mund të quhet ajo mes Kukësit dhe Partizanit, e zhvilluar dje në fushën e verilindorëve. Pjesën e parë e zotërojnë vendësit, ndërsa të dytën të kuqtë. Fitorja në fund i buzëqesh Partizanit me golin e Raçiçit të shënuar nga goditja e dënimit. Të kuqtë u treguan racionalë në lojën e tyre dhe ditën të marrin tri pikë “të arta” ndaj një rivali direkt për titullin. Tifozëria kuksiane ka treguar qytetari në këtë sfidë, pasi në përfundim të ndeshjes, ata kanë duartrokitur fitoren e demave të kuq, që së bashku me kuksianët pas katër javësh ndodhen në kuotën e 7 pikëve. Nuk ka kaluar pa probleme sfida, ku në minutën e fundit të kohës së rregullt, Hallaçi nuk pranon zëvendësimin dhe hedh shiritin në formë proteste.
Pjesa e parë – Të dy trajnerët e nisën takimin me formacione të ndryshuara, ku te Partizani binte në sy lënia në stol e kapitenit Nexhipi që u tha se ka probleme të lehta. Në minutat e para të kësaj sfide duket që ekipet janë të etura për pikë dhe që nuk lëshojnë terren ndaj njëra-tjetrës. Më tepër lojë e zhvilluar në mesin e fushës, ndërsa kërcënimet në portat respektive pothuajse nuk ekzistojnë deri në minutën e 15-të. Më pas, vendësit marrin frenat e lojës në dorë dhe “kërcënojnë” disa herë radhazi portën e mbrojtur nga Alban Hoxha. Drithërimat e para në këtë sfidë i jep kosovari Lushtaku, i cili, pasi ka kaluar mbrojtjen e kuqe, del përballë “gardianit” Hoxha, gjuan, por topi përfundon në traun e portës. Sulmet e vendësve nuk ndalen këtu, Hysa në minutën e 24-t ka një mundësi të mirë, por Hoxha bën mrekullinë. Të njëjtën situatë e përsërit edhe Musolli, por gjuajtja e tij nuk është drejt kuadratit. Në minutën e 32-të merr fund dhe aktivizimi i Shabanit në këtë takim, lojtari dëmtohet dhe lë fushën i detyruar. Ndërsa në minutat e fundit nuk mungojnë dhe shenjat e nervozizmit në fushë, ku Smajli përplaset disa herë me serbin Raçiç dhe Jemini i ndëshkon të dy me karton të verdhë.
Pjesa e dytë – Pero Pejiç lë fushën i detyruar, pasi dëmtimi që pësoi në pjesën e parë, nuk e lejon të vazhdojë. Vendin e tij e merr Hasani. Deri në minutën e 60-të janë Musolli, Smajli dhe Hallaçi që kërkojnë të gjejnë rrugën e rrjetës, por fati nuk qëndron me ta. Më pas, loja, në pjesën e mbetur, kalon nën zotërimin e të kuqve. Rasti i parë i rrezikshëm krijohet nga Cuculi, i cili dërgon një top në zonë, por nuk ndodhet askush prej sulmuesve që ta shtyjnë në rrjetë. Në minutën e 71-të, Vila kërkon kuadratin, por gjuajtja përfundon mbi traun e portës. Më pas ka një rast Batha, por pa rezultat. Në minutën e 86-të Kukësi Allmuça shërben brenda zonës për Hysën, ky i fundit pengohet nga Fejzullahu dhe verilindorët në këtë moment protestojnë për 11-metërsh, por Jemini vazhdon lojën. Dy minuta më vonë të kuqtë fitojnë një goditje dënimi në kufijtë e zonës që erdhi pas prekjes së topit me dorë nga Malota. Ekzekuton me mjeshtëri Raçiç dhe gjen rrjetën, 0- 1. Kukësi detyrohet ta nisë lojën nga mesi i fushës, Hallaçi jep një top nga krahu i majtë për Lushtakun, i cili nuk gjuan saktë dhe e nxjerr topin jashtë. Pas kësaj, Shaqiri e zëvendëson kapitenin, i cili largohet i nervozuar nga fusha, duke hedhur dhe shiritin në shenjë proteste. Akordohen 5 minuta shtesë, por fati i buzëqesh Partizanit, i cili merr tri pikë me mjaft vlera në Kukës. Ndërsa shembulli më i mirë i frymës “fair-play” jepet nga tifozët vendës, të cilët duartrokasin të kuqtë!

MË I MIRI
Ndoshta nuk dha atë që pritej gjatë 90-minutëshit, por sulmuesi serb i Partizanit, Steven Raçiç, bëri diferencën me golin e shënuar me anë të goditjes së dënimit në fundin e takimit. Edhe para katër ditësh serbi mori penalltinë ndaj Skënderbeut. Edhe Lorenc Trashi, që luajti titullar për herë të parë, la mbresa. Për vendësit, Lushtaku vlen për t’u përmendur, por humbja i zbeh paksa vlerat e tij.

MË PAK AKTIVI
Pero Pejiç bën një pjesë të parë të dobët dhe i shoqëruar me dëmtimin, detyrohet të lërë fushën e lojës. Kroati nuk dha atë që pritej, teksa nuk mund të cilësohet në asnjë rast të lojës sulmuese të Kukësit në pjesën e parë. Në tërësi, edhe mbrojtja e verilindorëve nuk u tregua e saktë në rastin e pësimit të golit, duke mos u pozicionuar mirë. Edhe mbrojtësit e Partizanit patën luhatje në disa momente, por kapiteni Hoxha mbeti i pakalueshëm.

Shaqiri drejton stervitjen e KukesitShaqiri: E pafalshme, humbëm shumë raste për gol
Artim Shaqiri ndien keqardhje për humbjen e tij të parë në krye të Kukësit. Trajneri ua faturoi këtë dështim rasteve të shumta që lojtarët e tij humbën para portës së Hoxhës, si dhe gabimi në mbrojtje, që solli golin e Partizanit. “Dua të them se nuk kemi luajtur me dy fytyra. Ne bëmë lojën tonë përgjatë gjithë ndeshjes. Mirëpo, ndonëse nuk është e shkruar, në futboll, nëse nuk shënon, atëherë do të pësosh. Kështu që fati nuk ishte me ne këtë herë. Mendoj se nuk kemi marrë atë që dhamë në fushë, pasi meritonim shumë më shumë. Kemi humbur shumë raste, madje më shumë nga sa prisnim të krijonim. E udhëhoqëm lojën thuajse gjithë takimin, por finalizimi ynë la për të dëshiruar, por që do t’i korrigjojmë në javët në vijim. Përqendrimi i futbollistëve përpara portës nuk ka qenë ai i duhuri. Në këtë ndeshje, si pasojë e disa problemeve me dëmtimet në sfidën në Laç, ishim të detyruar të bënim disa ndryshime në formacion. Fundi i lojës na penalizoi dhe ka qenë një pakujdesi në mbrojtje. Na kushtoi shtrenjtë ai rast, por futbolli kështu e ka, që edhe për një gabim të vogël, mund të humbasësh tri pikë. Tashmë duhet të shikojmë përpara, duke e harruar sa më shpejt këtë humbje. Kemi marrë vetëm 1 pikë në dy ndeshjet e fundit, por nuk kemi humbur terren. Ne duhet të përgatitemi me kundërshtarin që kemi direkt për titullin. Dy rezultatet e fundit nuk na shkojnë për shtat. Ndeshjen e radhës e kemi kundër Skënderbeut dhe në Korçë duhet të shkojmë me një mentalitet fituesi. Jam i bindur që Kukësi do të rikthehet sa më shpejt te suksesi”, deklaroi Shaqiri pas ndeshjes.

Hallaci dhe te tjere ndajne gezimin me tifozetAcarohet kapiteni Hallaçi, nuk e pranon zëvendësimin
Mund të jetë hera e parë që Rrahman Hallaçin e shohim në një situatë të tillë, pasi për vite me radhë ka qenë shembull në fushë dhe jashtë saj me sjelljen e tij. Mirëpo, në sfidën kundër Partizanit, kuksiani e ka humbur vetëdijen dhe ka kaluar në gjendje nervozizmi, duke bërë dhe gjestin e hedhjes së shiritit në fushë. Kapiteni i Kukësit, për “Panorama Sport” sqaron situatën dhe thotë se nuk e ka pranuar në fushë dhe se vijon të mos e pranojë zëvendësimin e bërë nga trajneri Artim Shaqiri në minutën e 90- të me Ivan Gvozdenoviçin. Mbrojtësi i verilindorëve u kërkon ndjesë tifozëve dhe personave që janë ndier të fyer nga gjesti i tij, duke thënë se është i vetmi kuksian në fushë dhe që duhet të mos ishte zëvendësuar në atë moment të lojës. “Gjesti im u krye nga gjaknxehtësia e momentit, pasi nuk e pranoj atë zëvendësim që u bë në atë moment të lojës. Kur rezultati ishte në disfavorin tonë, unë duhet të isha ende në fushë të jepja maksimumin për ndryshimin e tij dhe jo të zëvendësohesha. Po luaja me shpirt sa në mbrojtje e sa në sulm që të merrnim pikët që na takonin, ndaj dhe mbeta i shtangur dhe u nxeha. U bë ndërrim kokë më kokë, mbrojtës i majtë me mbrojtës të majtë, ndaj dhe nuk pajtohem me këtë. Faji është i trajnerit, i cili më zëvendësoi, pasi unë jam i vetmi kuksian në fushë dhe jap shpirtin për atë skuadër, sepse e ndiej fanellën më shumë se kushdo pjesëtar tjetër i ekipit”, u shpreh kapiteni. Falja – “Unë i kërkoj ndjesë çdo personi apo tifozi që u ndie i fyer nga gjesti im. Nuk kam asgjë ndaj tifozëve, madje i falënderoj për mbështetjen dhe u kërkoj falje nëse i kam fyer. Problemi im është vetëm me trajnerin, për zëvendësimin dhe këtë gjë unë si kapiten do ta shoh edhe më vonë”, tha Hallaçi disa orë pas përfundimit të ndeshjes.

Duro: Te goli kam edhe unë dorë
Shpëtim Duro nuk e fsheh gëzimin për fi toren e arritur në Kukës, për më tepër që brenda tri ditësh skuadra e tij ka mposhtur edhe Skënderbeun kampion në fuqi. Në intervistën direkte pak minuta pas ndeshjes për “TVSH”, trajneri i Partizanit komentoi fitoren dhe veçanërisht rastin e golit të shënuar nga serbi Raçiç.
Zoti Duro, tri pikë të arta në një fushë si Kukësi, ku Partizani luan për herë të parë në “Zeqir Ymeri”…
Arritëm një fitore të çmuar përballë një kundërshtari shumë serioz, i cili ka pasur suksese të mëdha, jo vetëm në kampionatin shqiptar gjatë viteve të fundit, por edhe në Kupat e Europës. Jam shumë i lumtur, pasi në një hark kohor prej tri ditësh kemi arritur të marrim 6 pikë ndaj dy skuadrave më të mira të kampionatit, Skënderbeut të enjten dhe sot (dje) Kukësit. Fusha e Kukësit më sjell fat, duke qenë se edhe me Vllazninë kam marrë pikë këtu.
U panë disa ndryshime në formacion…
Mendoj se të gjithë lojtarët që u aktivizuan, kanë justifikuar besimin tonë si staf. Unë e kam thënë edhe më parë, kam shumë alternativa dhe rotacioni në skuadër do të jetë i vazhdueshëm. Pra, çdo ndeshje do të jetë një Partizan tjetër. Këtë e tregoi edhe formacioni që hodhëm në fushë ndaj Kukësit. Dua që t’i falënderoj lojtarët për atë çka dhanë në fushë. Jemi një skuadër e re dhe që po fiton besimin nga ndeshja në ndeshje.
Goditjen e dënimit e ekzekutoi sulmuesi Raçiç dhe jo Nexhipi, kishte ndonjë sekret këtu?
Të jem i sinqertë, kam qenë vetë protagonist në këtë rast.
Çfarë doni të thoni me këtë?
Përpara se të ekzekutohej goditja e dënimit, thirra një nga lojtarët që ishte më afër stolit dhe i thashë të njoftonte Raçiç për ta goditur topin. I komunikova që të gjuante fort, vetëm kaq. Topin për ta goditur e mori Nexhipi dhe unë ndërhyra, duke i besuar goditjes së Raçiç. Fati ishte me ne, pasi ajo gjuajtje na dha tri pikë në një fushë shumë të vështirë.
Fitoni ndaj një skuadre që shikohet si rival për titull. Kush mendoni se do të jetë deri në fund për kreun?
Është e vërtetë, arritëm një triumf ndaj klubit që ka investuar shumë. Nuk mund të flasim që tani për titullin kampion, por deri në fund do të jemi rivalizues me skuadra si Kukësi, Skënderbeu, Flamurtari dhe Tirana. Kampionati është i gjatë dhe ka shumë ndeshje, kështu që çdo gjë mund të ndodhë në të ardhmen. Ky është kampionat që ka shumë ekuilibër dhe rivalitet, jo vetëm për kreun, por edhe për mbijetesën. Mendoj se do të ketë surpriza. Çdo javë do të ketë nga një befasi sa u përket ndeshjeve.
Tifozët e Kukësit ju duartrokitën. Ju bëri përshtypje?
I falënderoj tifozët e Kukësit, pasi ata kanë qenë “fair-play”, duke pranuar rezultatin. Kjo është shumë e rëndësishme, sepse në këtë ndeshje mund të ndodhte çdo gjë, pra kishte brenda çdo rezultat. Partizani im, kudo që do të shkojë, do të jetë korrekt, si në fushë, ashtu edhe tifozët në shkallët e stadiumit. Këto janë ndeshje vajtjeardhje dhe, ashtu siç na priti sot Kukësi, duhet t’ia kthejmë edhe ne këtë mikpritje.
Çfarë prisni në javën e ardhshme?
Do të luajmë ndaj një skuadre për t’u respektuar si Teuta, e cila ka një emër të madh. Duhet ta vlerësojmë maksimalisht, për të mos përsëritur atë që ndodhi në takimin kundër Apolonisë.
Së fundmi, cili është komenti juaj për ngjarjen në Shkodër?
Më vjen shumë keq për atë që ndodhi. Unë kam qenë trajner edhe te Vllaznia, kështu që ndiej keqardhje si për tifozët shkodranë, ashtu edhe ata tiranas. Jam i ndërgjegjshëm që tifozët e Tiranës kanë qenë gjithmonë korrektë, por ata duhet të kuptojnë se brenda tyre kanë një pjesë shumë enigmatike, që duhet ta pastrojnë nga radhët e tyre. Kështu dëmtohet futbolli dhe klubi i tyre.

Partizani gooolRaçiç: S’ndalem këtu, prisni dopietë ndaj Teutës
Steven Raçiç ka shënuar golin e dytë me Partizanin, duke i dhënë tri pikë “të arta” për t’u ngjitur më lart në tabelën e klasifikimit. Sulmuesi shtatlartë, i ardhur gjatë merkatos së verës te “demat”, po bind ndeshje pas ndeshjeje. Ai ka shënuar ndaj Laçit dhe ndaj Kukësit, duke i dhënë 4 pikë skuadrës së Shpëtim Duros. Trajneri i të kuqve e konsideron bast të fituar serbin. Në përfundim të takimit ai është shprehur i lumtur për këtë arritje dhe se golin ua dedikon mbështetësve të Partizanit. Ndërkaq, për sfidën e radhës kundër Teutës, ai premton 2 gola. Për “Panorama Sport” sulmuesi serb u shpreh: “Unë edhe më parë kam thënë që e rëndësishme është të fitojmë. Skuadra luan mirë dhe arkivon gola në çdo ndeshje. Jam shumë i lumtur që shënova atë gol dhe që fituam ndaj Kukësit. Rruga jonë është që të fitojmë ndeshje pas ndeshjeje dhe të arrijmë atje ku duam. Për sa i përket të ardhmes, unë nuk premtoj vetëm një gol në ndeshjen e radhës, por dy të tillë. Fitoren dhe golin ua dedikoj të gjithë tifozëve dhe atyre që duan Partizanin”, u shpreh autori i golit të fitores, Raçiç.

Shaqiri mundet nga ish-lojtarët e Shkëndijës
Takimi Kukësi-Partizani ka qenë edhe një përballje ish-ësh. Në radhët e Kukësit ishin disa lojtarë që më parë kanë veshur fanellën e kuqe, si Hallaçi, Malota, Allmuça. Por këtu pati edhe një tjetër betejë ish-ësh, ajo mes atyre që kanë qenë pjesë e Shkëndijës së Tetovës. Tre lojtarët e Partizanit, Nderim Nexhipi, Bunjamin Shabani dhe Ardian Cuculi kanë arritur që të mundin ish-trajnerin e tyre te kuqezinjtë e Tetovës, Artim Shaqiri. Pjesë e kësaj sfide ka qenë edhe trajneri i Partizanit, Shpëtim Duro, i cili arriti të fitojë përballjen e parë me trajnerin që i la vendin te Shkëndija e Tetovës.
ERJON HAMITAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"