Qokat në Superiore, Farruk Sejdini: Vllaznia shpëton, kampionati me “letër kopjativ”
Java 35-të e Kategorisë Superiore u kthye në një estradë, me skuadra që refuzojnë të fitojnë apo sulmues që duan të shënojnë me çdo kusht gola. Ndërsa, Flamurtari rikthen tifozët në stadium, duke paguar gjobën dhe në fund në fushë një pjesë e futbollistëve janë të rinj. Në një prononcim për “Panorama Sport”, Farruk Sejdini, ish-futbollisti dhe trajneri i njohur i Dinamos, shprehet se e gjithë situata është e njohur dhe përsëritet vit pas viti.
“Nuk është as e re as e papritur pamja që kam përpara syve. Siç thotë Skënderbeu ‘lirinë e gjeta këtu midis jush, nuk jua solla unë’. Tashmë kjo është bërë një histori e njohur, një shëmtirë e njohur, një jashtëqitje e futbollit do të thosha. Kështu që është e kotë ta diskutosh. Ndoshta kjo vjen se edhe rregullat strikte apo komisionet strikte të Etikës që dënojnë tregon se janë të papërfillshme. Njeriu kur nuk ka frikë, do të thotë se nuk funksionon ligji. Në rast se ligjet apo rregullat do të zbatoheshin me të njëjtin standard, gjërat do të ishin ndryshe. Kjo është edhe arsyeja që edhe spektatori largohet dhe sa vjen e po zbehet tifozllëku.
Nuk di se si mund të zgjidhet kjo, por është një shëmtirë. Megjithatë, zgjidhje ka, pasi nëse ligjvënësit do të zbatojnë ligjet rigorozisht pa seleksionime. Pasi ata seleksionojnë të njohurit në një anë, të panjohurit në një anë tjetër. Futbolli është i bukur se ka të panjohura, futbolli është i bukur se tërheq. Nuk ka dy gola njësoj, s’ka dy faulle njësoj, s’ka dy ndeshje njësoj. Ne na përsëriten situatat si me letër kopjativ, vit pas viti sheh çfarë ka ndodhur dhe vazhdon ndodh e njëjta gjë”, është shprehur Sejdini, i cili nuk pret ndryshime në rast se ligjet nuk do të nisin të zbatohen ashtu siç duhet.
Vllaznia – Një nga temat më të diskutuara të ditëve të fundit është mbijetesa e Vllaznisë. Sejdini mendon se shkodranët do të mbijetojnë, duke u bazuar tek ajo që ka parë në javën e parafundit të Superiores. “Unë nuk kam asgjë, qoftë me Vllazninë qoftë me Kamzën. Unë jam për futbollin e bukur dhe atë të ndershëm. Kam qenë, jam dhe do të mbetem sido që të vijë puna. Por, ç’është e drejta, Vllaznia fajet i ka pasur vetë. Mendoj se kështu si po vijnë situatat, do të shpëtojë. Nga serveri, nga kopjativi mendoj se do të shpëtojë”, ka mbyllur Sejdini.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"