Qipriotët i druhen Laçit, gjykon një lituanez

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 14, 2018 | 12:31

Qipriotët i druhen Laçit, gjykon një lituanez

Paraqitja e Laçit të trajnerit Besnik Prenga i ka surprizuar qipriotët e Anorthosisit, të cilët e mbyllën në disavantazh 1-0 pjesën e parë. Por qipriotët arritën ta përmbysin golin e Hoxhallarit, duke shënuar dy gola për tetë minuta në pjesën e dytë. Ndeshja e kthimit që do të luhet të enjten në Laç do të jetë vendimtare për kalimin në turin e dytë kualifikues të Ligës së Europës.

laci1

Goli i shënuar në transfertë i lë me shpresë të besuarit e trajnerit Prenga, pasi kanë shanset e tyre në duelin e 19 korrikut për të synuar kualifikimin. Madje, edhe vetë qipriotët e kanë pranuar se rezultati i ndeshjes së parë nuk i favorizon, ndonëse në letër Anorthosis Famagusta ishte favorit kryesor. Kroati Danjel Pranjiç, në prononcimin e dhënë për mediat qipriote, e shpreh qartë frikën për sfidën e kthimit në Laç.

“Nuk jemi të kënaqur me atë që treguam në ndeshjen e parë. Nuk do të shkojmë në Shqipëri për të mbrojtur fitoren 2-1 të ndeshjes së parë, por për të fituar. Në letër, Anorthosis ka skuadër më të mirë, por këtë duhet ta tregojmë në fushën e lojës. Pra, nuk do të shkojmë në Shqipëri vetëm për t’u mbrojtur dhe për të fituar. Duhet të luajmë thjesht dhe të shënojmë sa më shumë gola”, u shpreh kroati i Anorthososit. Ish-lojtari i Bajernit të Mynihut, Pranjiç, ka pohuar se paraqitja e ndeshjes së parë i ka lënë të pakënaqur si ekip, ndaj në Laç duhet një skuadër luftarake, në mënyrë që të arrijnë synimin, kualifikim për në turin e dytë të Ligës së Europës.

laci

GJYQTARI– Mediat qipriote kanë zbuluar edhe gjyqtarin e takimit të kthimit mes dy skuadrave, që do të luhet më 19 korrik në Laç. Takimi i dytë i është besuar lituanezit Donatas Rumshas, i cili nuk ka ndonjë eksperiencë të madhe në veprimtaritë ndërkombëtare. 30-vjeçari lituanez ka gjykuar disa ndeshje në dy sezonet e fundit në Europë, por jo ndeshje me peshë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"