Qeveria e futbollit harron produktin e kampionatit vendas, Shqipëria i vetmi vend pa datë për fillimin e sezonit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 28, 2022 | 18:52

Qeveria e futbollit harron produktin e kampionatit vendas, Shqipëria i vetmi vend pa datë për fillimin e sezonit

Viti 2022 do të mbahet mend dhe do të jetë historik për Shqipërinë në aspektin futbollistik, pasi për herë të parë në vend u organizua një finale e rangut të lartë e veprimtarive europiane, siç ishte finalja e Ligës së Konferencës. Pa dyshim, organizatorët e kësaj ngjarjeje, ku bën pjesë edhe FSHF, meritojnë përgëzime për provën e kaluar me sukses, por me sa duket, qeverisë së futbollit shqiptar nuk i ka dalë akoma “dehja” e kësaj arritjeje. Madje, në vazhdimësi federata ka vijuar me disa aktivitete dhe angazhime të tjera edhe në rang ndërkombëtar, të organizuara në ambientet dhe zyrat e reja.

ABISSNET SUPERIORE

Në këtë periudhë në ndërtesën e re të FSHFsë janë shpërndarë diploma dhe certifikata në masë, por e habitshme është se si federata, që është organizatorja e aktiviteteve futbollistike në Shqipëri, e ka harruar fare produktin vendas. Viti 2022 është specifik, për shkak të Kupës së Botës, “Katar 2022”, që për herë të parë në histori do të zhvillohet në dimër. Për këtë shkak, në të gjitha vendet është planifikuar që kampionatet e futbollit të nisin më herët se zakonisht, pasi fundviti do t’i kushtohet vetëm Kupës së Botës. Gjithsesi, kjo nuk i bën përshtypje FSHF-së, edhe pse Shqipëria është vendi i vetëm që ende nuk e ka përcaktuar datën se kur do të nisë sezoni i ri futbollistik.

Në mbarë Europën janë publikuar edhe shortet dhe që nga fillimi i korrikut nisin kampionatet. Ndërsa në vendin tonë, të flasësh për datë fillimi apo short, duket “mollë e ndaluar”, pasi FSHF nuk ka bërë publike as skuadrat që nuk u licencuan për në Europë apo të bëjë të ditur se cilat kritere licencimi duhen plotësuar për edicionin e ri.

Gjithsesi, rregullat dhe kushtet dihen, por duke vijuar me heshtjen, mbulohen të gjitha “zullumet” dhe mangësitë që ka futbolli i organizuar nga FSHF. Madje, ende nuk dihet as struktura që do të kenë kampionatet e reja, për vetë faktin se ka dilema mbi ekzistencën dhe vazhdimësinë e disa klubeve, duke filluar nga ekipi i vendlindjes së presidentit të federatës, Erzeni.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"