Qetësohet Lushnja, trajneri Gjyla mposht koronavirusin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 2, 2020 | 14:04

Qetësohet Lushnja, trajneri Gjyla mposht koronavirusin

Shërohet Ilir Gjyla. Trajneri ka kaluar me sukses COVID-19 dhe pas 14 ditëve në karantinë, dje ka rimarrë frenat e Lushnjës. I fundit që ka mbetur në izolim është kapiteni Dionis Musaku, i infektuar gjithashtu nga ky virus. Skuadra dje zhvilloi të parën stërvitje, pas dy ditësh pushim. Këtë fundjavë nuk luajnë prej kalendarit, ndaj përgatitjet janë përqendruar te java e 6-të. Lushnja ka dy fitore dhe dy barazime, duke u pozicionuar në vendin e tretë (me një pikë më shumë se Tomori, por me diferencë të dukshme nga katërshja e dytë).
gjyla

Rezultatet e javëve të fundit kanë shtuar entuziazëm në kampin verdhejeshil dhe meritë në këtë sukses ka edhe zv.trajneri Dritan Çuko, i cili ka drejtuar ekipin në transfertë me Elbasanin. “Filluam të përgatisim ndeshjen e radhës. Skuadra po kalon një moment të mirë. Ecuria është pozitive, edhe pse jemi goditur që nga java e parë nga dëmtimet. Gjithnjë kemi pasur mungesa të konsiderueshme, por skuadra ka ditur të marrë rezultatin, duke luajtur mirë dhe duke bërë një lojë të rrjedhshme. Fituam transfertën me Elbasanin dhe kjo na gëzon.
cuko
Shënuam dhe nuk pësuam, duke rikuperuar atë që skuadra pësonte në fillim. Tani mendojmë për ndeshjen me Pogradecin, që parashikohet e vështirë. Kundërshtari ka futbollistë që luajnë vite bashkë dhe kjo duhet marrë në konsideratë. Kemi kohë për të përgatitur dhe do ta shfrytëzojmë këtë pushim që na jep kalendari, që të marrim maksimumin ndaj liqenorëve”, u shpreh numri dy i stolit.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"