“Qeshni edhe pak”, kthehet mesfushori Sharavolli: Tomori nuk bie, do hidhëroheni në fund

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 2, 2019 | 18:55

“Qeshni edhe pak”, kthehet mesfushori Sharavolli: Tomori nuk bie, do hidhëroheni në fund

Tomorit i rikthehet buzëqeshja para Elbasanit. Kur na ndajnë vetëm dy ditë nga supersfida që mund të vulosë mbijetesën, beratasit rikuperojnë një lojtar të rëndësishëm për formacionin.

tomori

Genald Sharavolli është gati për të zbritur në fushë. Duket se mesfushori me tipare sulmuese është në gjendjen e tij optimale dhe rrjedhimisht gati për të zbritur në fushën e lojës. Riaftësimi i tij ndodhi në kohë rekord dhe përtej çdo parashikimi pas asaj tërheqjeje që pësoi në këmbën e djathtë.

Në fillim u tha se futbollisti e mbylli sezonin, mirëpo ndryshe ngjau. Puna intensive e mjekëve të klubit dhe mbi të gjitha dëshira e vetë Sharavollit për t’i dhënë një dorë ekipit në këtë fazë delikate, kanë bërë që të rikthehet aty ku e la, pikërisht ndaj Elbasanit (kujtojmë që u dëmtua pikërisht pas një ndeshjeje të luajtur me këtë kundërshtar). Ky lajm gëzon jo vetëm stafin teknik, por edhe tifozët, të cilët kanë një simpati të veçantë për 23- vjeçarin.

SHARAVOLLI – Në një prononcim për “Panorama Sport”, Genald Sharavolli u shpreh se tanimë e ka lënë pas krahëve dëmtimin dhe beson te kthesa e madhe e skuadrës.

“Do të jem në dispozicion të trajnerit për ndeshjen e kësaj fundjave. Më vjen mirë që dëmtimi im përfundoi në një kohë rekord dhe për këtë falënderoj shumë stafin mjekësor të klubit. Ndodhemi në pozita aspak komode dhe kjo situatë nuk i shkon për shtat këtij klubi të lavdishëm. Janë disa faktor të ndryshëm që kanë ndikuar në këtë ecuri, por nëse gara do të ishte e pastër, besoj se nuk do të ndodheshim në fundin e renditjes.

Gjithsesi, ndaj Elbasanit do të marrim maksimumin dhe për këtë jemi të sigurt. Nuk ka më vend për hapa falsë. Çfarë është bërë, është bërë, nuk kthehet më mbrapa. Duhet të marrim maksimumin në tri ndeshjet e radhës, pasi vetëm në këtë mënyrë mund të shpëtojmë. Premtoj gol? Në këto situata, të rëndësishme janë vetëm pikët. Premtoj se do të fitojmë ndaj Elbasanit dhe më pas do të nisim kthesën e madhe. Tomori nuk bie nga kategoria. Gjithkush që e dëshiron medoemos këtë gjë, të qeshë edhe pak ditë… se pastaj do të hidhërohet”, e mbylli Sharavolli, duke “thumbuar” kundërshtarët dhe ata që përpiqen të dëmtojnë Tomorin.

ERIS SYLYKU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"