“Qepe gojën!”, si Flik u tërbua me Salihamixhiçin. Zbulohet sherri mes drejtuesve të Bajernit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 19, 2021 | 23:24

“Qepe gojën!”, si Flik u tërbua me Salihamixhiçin. Zbulohet sherri mes drejtuesve të Bajernit

Pas fitores 2-1 në Champions ndaj Lacios, trajneri i Bajernit pranoi se kishte bërë një bisedë pajtimi me drejtorin sportiv, Hasan Salihamixhiç. Me këtë të fundit ka mbizotëruar një marrëdhënie e trazuar në muajt e fundit. Sipas “Bild”, sherri mes trajnerit dhe drejtuesit të klubit ka ndodhur në autobus pas kthimit nga një ndeshje. Flik, i nervozuar nga një fjalim i Salihamixhiçit në drejtim të lojtarëve, mësohet t’i ketë thënë Brazos të ulë tonet.

Flik Salihamixhic

“Tani mjaft, mbylle gojën!”, ishin fjalët e 56-vjeçarit. Gjithçka ka ndodhur në prani të lojtarëve dhe pjesës tjetër të stafit të cilët udhëtojnë gjithmonë së bashku. Edhe pse debati mësohet të jetë mbyllur aty, Salihamixhiç ka mbajtur qëndrim ndaj trajnerit. Hansi Flik është kandidat kryesor për të marrë vendin e Lëvit i cili do të largohet nga kombëtarja e Gjermanisë pas përfundimit të Europianit.

Por, me sa duket, të mërkurën në mbrëmje gjithçka është qartësuar, kjo me shumë mundësi edhe pas ndërhyrjes së Karl Hainc Rumeniges i cili para disa ditësh deklaroi se në shtëpinë e Bajernit nuk kishte asnjë çështje, edhe pse kjo mësohet të ketë qenë një deklaratë sa për të qetësuar gjakrat, pasi në të vërtetë në shtëpinë e kampionëve ekziston një tension i brendshëm i cili mund të dëmtojë shumë skuadrën në arritjen e objektivave sezonalë.

Salihamixhic Flik

Gjithsesi, paqja duket se është arritur vetëm për momentin pasi ashtu si Flik, edhe Salihamixhiç duan që fokusi të jetë vetëm te fusha e lojës dhe jo te problemet e tyre. Gjithçka do të sqarohet dhe do të zgjidhet në fund të sezonit, atëherë kur do të mësohet edhe e ardhmja e trajnerit i cili në 2 vite po fiton shumë tituj me skuadrën e Bajernit.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"