“Qëndrova prej trajnerit Shehi”, Toshevski: Nëse ruhet grupi dhe bëhen 3 afrime, fitojmë sërish titullin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 10, 2022 | 23:56

“Qëndrova prej trajnerit Shehi”, Toshevski: Nëse ruhet grupi dhe bëhen 3 afrime, fitojmë sërish titullin

Kristijan Toshevski firmos edhe për një se zon me Tiranën. Lojtari i bardhebluve që luajti prej verës së 2020-ës, vendosi që të jetë pjesë e Tiranës edhe për një kampionat.

TOSHEVSKI ALEKSI

Toshevski pranoi marrëveshjen e re, ndërsa në një intervistë për “Panorama Sport”, maqedonasi zbulon prapaskenat e marrëveshjes. Thotë që ka pasur shumë oferta në Superiore, ndërsa firmosi sërish me bardheblutë, duke veshur vitin e tretë fanellën e Tiranës.

Kristijan Toshevski ishte një nga blerjet pas sezonit të titullit 2019- 2020. Lojtari nga Tetova ka luajtur në Champions dhe Europa League, ndërsa këtë vit ishte titullar në fushë, duke luajtur pothuajse të gjitha takimet në krahun e djathtë.

Vetëm pas bisedimesh intensive palët ranë dakord që të vazhdojnë bashkëpunimin edhe një vit. Toshevski ka qenë edhe pjesë e kombëtares së Maqedonisë.

Kristijan, keni firmosur një kontratë të re me Tiranën. Do të jetoni në Shqipëri edhe një sezon?

Siç e dinë tashmë të gjithë, unë kam firmosur edhe një sezon me ekipin e Tiranës. Shkaku është i qartë. Unë besoj te kjo skuadër dhe ne mund të bëjmë gjëra të mëdha në Europë.

Gjatë këtyre ditëve u duk sikur ishit larg Tiranës. Kishit oferta para se të vendosnit për bardheblutë?

Po, është e vërtetë që kam pasur shumë oferta gjatë këtyre ditëve. Gjithsesi, unë vendosa të qëndroj te Tirana, sepse te Tirana dhe në këtë qytet ndihem si në shtëpi.

Cili është qëllimi i vërtetë i Tiranës në Europë? Mund të arrijë skuadra të kualifikohet në fazën e grupeve?

Tirana mund të shkojë në fazën e grupeve. Realisht e mendoj një gjë të tillë. Për ta bërë të mundur, duhet të punojmë goxha shumë. Nga ana tjetër, skuadra duhet të ketë shtyllën kurrizore. I shkuam afër dy sezone më parë, por nuk ia dolëm. Unë sapo isha bashkuar me skuadrën.

Përse vendosët që të firmosnit me Tiranën? Vetë pranuat më lart që kishit oferta. Cili ishte shkaku që solli firmën te Tirana?

Ashtu siç e thashë edhe më parë, unë besoj te ky ekip. Kemi bërë gjëra të mëdha dhe do të bëjmë plot gjëra të tjera. Nga ana tjetër, mund të them me bindje se trajneri Orges Shehi ishte një faktor shumë i rëndësishëm që unë firmosa kontratën e re me Tiranën.

Pas Europës, sido që të shkojë, a mundet që Tirana të përsërisë këtë sezon dhe të shpallet kampione e Shqipërisë?

Jam i bindur që po. Nëse klubi mban të gjithë lojtarët dhe afron dy-tre futbollistë të tjerë, fitojmë titullin. Ne mund të bëhemi pretendentët kryesorë për të fituar titullin kampion.

OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"