Qendërmbrojtësi Xhafa “arkivon” Shënkollin: Ishte turp! Kthesa, si shpëtim për Besënc

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 30, 2019 | 17:39

Qendërmbrojtësi Xhafa “arkivon” Shënkollin: Ishte turp! Kthesa, si shpëtim për Besënc

Humbja me Shënkollin nuk mund të harrohet lehtë nga kavajasit. Derisa e shkuara nuk mund të zhbëhet, te Besa po ndërrojnë “faqe”.

erion xhafa

Vëmendja është e gjitha tek Apolonia, ndeshje që do ta luajnë këtë fundjavë në transfertë. Kthesa shihet si shpëtim prej verdhezinjve dhe i këtij opinioni është edhe qendërmbrojtësi me përvojë Erjon Xhafa. Gjatë një prononcimi të dhënë për “Panorama Sport”, ai evidenton se nuk kanë më kohë që të merren me atë disfatë.

“Çdokujt mund t’i ndodhë të mundet nga ekipi i vendit të fundit. Nuk dua ta justifikoj aspak atë ndeshje dhe pajtohem me faturat. Faji është i gjithi yni. Nuk ishte humbje normale, por një turp. Po të merresh me të gjatë, nuk ia vlen. Themelor mbetet mësimi që ke nxjerrë. Ndaj, tani duhet të gjejmë rrugën për të dalë nga kjo situatë. Ne këtë po e bëjmë që prej të hënës, por punojmë dhe po shohim përpara. Humbja me Shënkollin të na vlejë për të reaguar fort në fushë dhe jo me deklarata optimiste gazetash. Futbolli ‘flet’ më mirë në fushë dhe kjo është ajo që presin të shijojnë të gjithë”, u shpreh fillimisht qendërmbrojtësi.

Fusha sintetike Verdhezinjtë këtë fundjavë do të kenë një transfertë të vështirë ndaj Apolonisë. Shqetësimi real dhe i vetëm mbetet fusha ku do të luhet. Mund të ndodhë që të luhet në aneksin stërvitor të Fierit, që është me bar sintetik dhe për Xhafajn nuk do të ishte normale.

“Siç e dini, ne stërvitemi në fushën me bar të stadiumit ‘Besa’ dhe kuptohet se nëse luajmë në fushën me bar sintetik, do të ishte një avantazh i vogël për fierakët. Në situatën ku e kemi çuar veten, nuk kemi zgjidhje tjetër veçse të kërkojmë fitore kudo ku luajmë, duke nisur nga Fieri. Përjashto Shënkollin, Besa ka treguar vërtet nivel lojërash të kënaqshme. Nuk e them unë, por të gjithë kundërshtarët tanë. Tjetër gjë se rezultatet teknike nuk përputhen me lojërat e zhvilluara. Me këtë dua të them se personalisht besoj se në Fier kemi të gjitha mundësitë të tregojmë anët tona më të mira. E përsëris se premtimet janë të tepërta, pasi nga ne kërkohet reagim në fushë e rezultate konkrete”, përfundoi mbrojtësi.

FERIZ FERIZAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"