“Që të gjithë përgjegjës për pikët e lëna, erdha për gola”, Canka premton kthesën: Vetëvrasje, nëse do ta nënvlerësojmë Maliqin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 21, 2021 | 11:34

“Që të gjithë përgjegjës për pikët e lëna, erdha për gola”, Canka premton kthesën: Vetëvrasje, nëse do ta nënvlerësojmë Maliqin

Besës i ndalohen gabimet. Kanë lënë 5 pikë në 180 minutat e fundit dhe humbur terren në renditje, ndaj kthesa kërkohet me urgjencë. Përballë do të kenë Maliqin dhe luajnë në Luz, por kavajasit e kanë zhdukur nga fjalori termin “ndeshje të lehta”. I këtij mendimi është edhe Mikel Canka, që e nis kështu prononcimin e tij për “Panorama Sport”:

mikel canka

“Nuk kemi luksin të nënvlerësojmë asnjë kundërshtar. Javët paraardhëse na kanë dëshmuar se mund ta pësosh. Maliqi vërtet nuk është emër i madh, por ka treguar se ka një ekip ambicioz dhe nuk dorëzohet lehtë. Duhet të sakrifikojmë që të gjithë, nëse duam fitoren.

Kemi gabuar mjaft deri tani, duke lënë pikë të sigurta, sidomos në shtëpi përballë Korabit, Apolonisë apo në Peqin. Gjykoj se në të tilla situata, pavarësisht se kush ka gabuar, përgjegjësia u takon të gjithëve. Gjatë këtyre ditëve pushim nga kampionati, trajneri Bubeqi ka folur me secilin prej nesh për të na motivuar dhe kuptuar që vlerat reale të secilit të pasqyrohen në fushë. Gara sa vjen e rrit ngarkesat e saj dhe tani të gjitha ekipet janë në kulmin e formës së tyre.

E kemi vetë në dorë të bëjmë kthesën që kërkohet pasi kemi në grup lojtarësh me shumë përvojë që do reagojnë”. Si një “ekspert” golash, ai flet edhe për ambiciet e tij personale. Ai është i vetëdijshëm për pritshmëritë që ka klubi dhe shokët nga përvoja e tij.

“Jam koshient se te Besa erdha për të shënuar. Deri më sot kam bërë gjithçka mirë, por jo gjithçka varet nga dëshira apo loja ime. E kam thënë dhe e përsëris se sa më shumë topa të vijnë drejt sulmuesve, aq më shumë shanse kemi ne për të shënuar e kurorëzuar kështu djersën e të gjithëve.

Unë do të vazhdoj të punoj fort për të nderuar veten dhe ekipin. Do përpiqem të vazhdoj të shënoj dhe këtë gjë do ta kërkoj edhe ndaj Maliqit.

Shpresoj t’ia dal jo për veten, por për ekipin, pasi Besa vërtet meriton të jetë më lart në klasifikim. Gjykoj se mund dhe do ta bëjmë këtë. Gara tani bëhet e ngjeshur, me 3 ndeshje brenda javës dhe kërkohet patjetër qetësi, siguri e pragmatizëm nga ne”, përfundoi lushnjari.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"