Që nga 2015-ta nuk fitojnë në Berat, portieri Kaloshi: E njohim mirë filozofinë e Tomorit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 8, 2022 | 23:56

Që nga 2015-ta nuk fitojnë në Berat, portieri Kaloshi: E njohim mirë filozofinë e Tomorit

Lushnja e nis me “derbi” sezonin 2022-2023. Pas pushimit të kushtëzuar, të shtunën verdhejeshilët marrin rrugën në Berat. E para ndeshje nën drejtimin e Klodian Duros, është pikërisht ajo kundër Tomorit. Një duel që spektaklin e ka të garantuar dhe interesin po ashtu, ndaj pritet një stadium i tejmbushur.

Kaloshi Lushnja

Duhet thënë që lushnjarëve nuk u ka ecur në këtë transfertë, aq sa të fundit fitore e kanë në 2017-ën. Asokohe në fakt ndeshja u zhvillua në Kuçovë. Ndaj që të gjesh trepikëshin e fundit në fushën e Beratit, duhet të kthehemi në prill 2015. E megjithatë, pikë kanë marrë edhe më tutje. Konkretisht kanë dalë 1-1 në shtator të 2018-ës.

Verdhejeshilët janë gati që t’i thyejnë këto statistika dhe do të shfrytëzojnë një “bonus” të madh para këtij 90- minutëshi: ish-ët. Janë të shumtë futbollistët që kanë luajtur më parë me Tomorin dhe e njohin mirë kundërshtarin. Është Mikel Kaloshi në portë, e për të kaluar me radhë te kapiteni Mikel Canka, Brunid Pepa, Ledion Ruço, Enes Isufi, Ardit Ziaj apo Florian Daci (ndonëse ky i fundit mungon për shkak dëmtimi).

PORTIERI – Portieri Mikel Kaloshi beson se do ta nisin mbarë garën. Duke njohur stilin e lojës së kundërshtarit, ai mendon se do të dinë t’i kapin në befasi. Gjatë një deklarate të dhënë enkas për “Panorama Sport”, 29-vjeçari thotë: “Na pret një ndeshje shumë e vështirë, ditën e shtunë.

Përballjet me Tomorin kanë qenë gjithmonë shumë të forta. Po përgatitemi dhe jemi shumë të angazhuar në seancat tona. Përveç meje janë edhe gjashtë lojtarë të tjerë që kanë luajtur me beratasit. Shumica e njohim atë ambient mjaft mirë dhe filozofinë e lojës së tyre. Është ndeshja e parë e kampionatit për ne dhe e dëshirojmë rezultatin pozitiv. Kam besim se nuk do të dalim pa pikë nga Berati”.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"